SHBA-ja pezullon të gjitha aplikimet për imigracionin nga Afganistani pas sulmit terrorist në Uashington
- Shërbimet e imigracionit të SHBA-së kumtuan se për një kohë të pacaktuar do të ndërpresin procesin e të gjitha aplikimeve të qytetarëve afgan, pasi dy ushtarë të Gardës Kombëtare u plagosën rëndë në Uashington.
Uashington, 27 nëntor 2025 (MIA) - Shërbimet e imigracionit të SHBA-së kumtuan se për një kohë të pacaktuar do të ndërpresin procesin e të gjitha aplikimeve të qytetarëve afgan, pasi dy ushtarë të Gardës Kombëtare u plagosën rëndë në Uashington.
Presidenti amerikan, Donald Tramp, e ka përshkruar të shtënat në afërsi të Shtëpisë së Bardhë si një sulm terrorist dhe deklaroi se sulmuesi erdhi në SHBA nga Afganistani në vitin 2021.
Trampi ka kërkuar që të gjithë emigrantët nga Afganistani të cilët arritën në SHBA gjatë mandatit të ish presidentit Xho Bajden të kontrollohen përsëri. Ai, gjithashtu, urdhëroi dërgimin e 500 ushtarëve shtesë nga Garda kombëtare në Uashington.
Ministria e Sigurisë së Brendshme e identifikoi të dyshuarin për të shtënat si Rahmanullah Lakanvall. Sipas mediave amerikane, ai parashtroi kërkesë për azil në vitin 2024, ndërsa administrata e Trampit e miratoi atë në prill të këtij vitit. Sipas sekretares së Sigurisë së Brendshme, Kristi Noem, i dyshuari hyri në SHBA me leje me kusht në kuadër të operacionit "Mirëserdhët te Aleatët" më 8 shtator të vitit 2021, gjatë administratës së Bajdenit.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se dy ushtarët e Gardës Kombëtare, të cilët u plagosën dje janë në gjendje kritike. rq/
Foto: EPA