• петок, 05 декември 2025

Samit parlamentar i Platformës së Krimesë: Ideja se kufijtë mund të ndryshohen me forcë është jashtëzakonisht e rrezikshme

Samit parlamentar i Platformës së Krimesë: Ideja se kufijtë mund të ndryshohen me forcë është jashtëzakonisht e rrezikshme

Stokholm, 24 nëntor 2025 (MIA) – Në Samitin e katërt parlamentar të Platformës së Krimesë, sot në mëngjes fjalime mbajtën përfaqësuesit e delegacioneve nga Kroacia, Republika Çeke, Letonia, SHBA-ja dhe Belgjika.

"Ideja se kufijtë mund të ndryshohen me forcë është jashtëzakonisht e rrezikshme. Ajo nënkupton vizion për një botl ku pushteti i rregullave ia lë vendin sundimit të fuqisë", tha në fjalimin e tij Gordan Jandrokoviq, kryetar i Parlamentit të Kroacisë. 

Jandrokoviq bëri paralele midis historisë së Kroacisë dhe Ukrainës, duke theksuar se vendi i tij e kupton mirë çmimin e lirisë dhe luftën kundër një agresori që refuzon të pranojë zgjedhjen politike të një kombi tjetër. Ai theksoi se mbështetja për Ukrainën është një mbrojtje e vlerave të përbashkëta dhe investim në një të ardhme më të sigurt, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mbetet e palëkundur në vendosmërinë e saj dhe të vazhdojë presionin mbi Rusinë për të rivendosur drejtësinë.

Nënkryetari i parë i Senatit të Republikës Çeke, Jirzhi Drahosh paralajmëroi që bashkësia ndërkombëtare të mos përsëris gabimet e Marrëveshjes së Mynihur të vitit 1938, duke kujtuar se përpjekja për të qetësuar agresorin me çmimin e lëshimeve territoriale çon vetëm në një luftë edhe më të madhe. 

Ai theksoi se nuk mund të ketë paqe që vetë ukrainasit nuk e duan dhe u bëri thirrje partnerëve të sigurojnë ndihmë maksimale ushtarake dhe humanitare në mënyrë që Rusia të mbajë përgjegjësi të plotë për krimet e saj.

Kryetarja e Parlamentit letonez, Daiga Mierinja, tha se shtetet baltike e kuptojnë shumë mirë kërcënimin nga Rusia, pasi kanë kaluar 50 vjet nën pushtimin sovjetik, dhe i bëri thirrje Evropës të mos ndalojë së ushtruari presion mbi agresorin. Ajo theksoi nevojën për konfiskimin e mjeteve ruse për të mirën e Ukrainës dhe bëri thirrje për izolim të plotë të Rusisë derisa të rivendoset drejtësia dhe integriteti territorial i Ukrainës.

"Ne duhet ta përsërisim sot, vazhdimisht, si një mantër, se Krimea është Ukrainë; se përpjekjet e Rusisë për të ndryshuar kufijtë me forcë ushtarake janë të paligjshme; dhe se krimet e kryera nga Rusia nuk do të fshehën nën qilim", theksoi ajo.

Kryetari i Dhomës përfaqësues të SHBA-së, Majk Xhonson siguroi se SHBA-ja, së bashku me aleatët ee saj, mbetet e përkushtuar për të mbrojtur sovranitetin e Ukrainës. Ai theksoi rëndësinë e sanksioneve më të ashpra ndaj Moskës dhe forcimin e sigurisë energjetike evropiane përmes gazit natyror të lëngshëm të SHBA-së për t'ia hequr fuqinë Rusisë, duke theksuar se parimet e integritetit territorial nuk janë çështje debati.

Kryetari i Senatit të Belgjikës, Vinsent Blondel, ndau përshtypjet e tij personale nga vizita e tij në Buça dhe Kiev, duke vënë në dukje se krimet që ai pa janë ngulitur përgjithmonë në mendjen e tij. Ai theksoi se agresioni i Rusisë kundër Ukrainës nuk është vetëm një sfidë gjeopolitike, por edhe një kërcënim i thellë për sigurinë evropiane dhe vlerat e përbashkëta, prandaj bota duhet të kërkojë përgjegjësi të plotë nga agresori për krimet e luftës, torturat dhe rrëmbimet.

"Krimea është pjesë përbërëse e Ukrainës. Ne dënojmë përpjekjen për aneksim të territorit ukrainas, që shkel Kartën e OKB-së. Rusia duhet të mbahet përgjegjëse dhe të paguajë për shkatërrimin që ka shkaktuar. Dhe, le të jemi të qartë, Ukraina duhet të jetë në qendër të të gjitha përpjekjeve për paqe", tha ai. ls/

Foto: Platforma e Krimesë

 

Остани поврзан