• петок, 26 декември 2025

Rama në Samitin në Tiranë: Nuk lutemi që të aderojmë në BE, dëshmojmë se jemi të gatshëm

Rama në Samitin në Tiranë: Nuk lutemi që të aderojmë në BE, dëshmojmë se jemi të gatshëm

Tiranë, 21 nëntor 2025 (MIA) - Samiti i Planit të Rritjes "Rruga Jonë Drejt BE-së" po mbahet në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ku marrin pjesë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe eurokomisarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij hapëse në Samiti theksoi se, rajoni po lëviz nga pasiguria drejt mundësive të reja dhe se marrëdhëniet me Bashkimin Europian po ndërtohen mbi rezultate konkrete e jo mbi kërkesa për favore.

Siç njoftoi ATSH, Rama u ndal fillimisht tek lidhja mes zhvillimit ekonomik dhe uljes së emigracionit, duke deklaruar se, kur vijnë investimet, migracioni ulet. Kur ekonomitë rriten, sigurisht që kufijtë do të kenë rëndësi më pak. Kur mundësitë rriten në vend, Europa do të bëhet një destinacion bashkëpunimi, jo një rrugë ikjeje.”

Sipas tij, Ballkani Perëndimor sot po tregon se është më i qëndrueshëm dhe më i parashikueshëm se sa perceptohej për vite të tëra.

"Për vite të tëra jemi quajtur të paqëndrueshëm, të paparashikueshëm, shumë të ndërlikuar, por faktet sot tregojnë të kundërtën. Po e vërtetojmë me reforma dhe investime që Ballkani Perëndimor nuk është pika e dobët e Europës, por mundësia e Europës. Një treg i ri, një krah pune i kualifikuar, një vendndodhje strategjike. Një rajon që do të rritet me Europën dhe jo në kurriz të Evropës".

Kryeministri Rama theksoi se rajoni po largohet nga periferia dhe po pozicionohet në qendër të historisë europiane.

"Ne po lëvizim nga skajet e hartës në qendër të historisë sonë europiane edhe përmes ekonomisë. Europa nuk është diçka të cilën po e presim, Evropa është diçka që po e ndërtojmë".

Duke iu referuar diskutimeve të zhvilluara në samit, ai nënvizoi se vendet e rajonit nuk kërkojnë favore, por vijnë me rezultate dhe punë të kryer.

"Ballkani Perëndimor nuk po kërkon ndere dhe kjo është diçka që mund të ndihet, e mund të dëgjohet në çdo pohim e deklaratë të udhëheqësve përreth tryezës. Askush nuk po kërkon nder, askush nuk po thërret për t’u shpërblyer me ëmbëlsira. Gjithkush vjen me krenarinë për të ofruar vlerë dhe për të ofruar mund e djersë. Falë Zotit nuk duhet gjak”, u shpreh Rama.

Ai iu drejtua qytetarëve të rajonit duke theksuar se rruga drejt BE-së po bëhet me rezultate të prekshme.

"Ne nuk po lutemi për të hyrë në BE, nuk po kërkojmë lëmoshë. Po provojmë çdo ditë se jemi gjithmonë e më gati. Ne nuk thjesht po flasim, po japim rezultate”, tha Rama.

Rama shtoi se konvergjenca mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është thelbësore për forcimin e të gjithë kontinentit:

"Në konvergjencë me Ballkanin Perëndimor, Evropa bëhet më e fortë. Nëse Ballkani Perëndimor është në stanjacion, atëherë Europa bëhet më e dobët. Nuk ka variant të një Europe më të fortë me një rajon të dobët ballkanik në mes të saj”.

Në përmbyllje, Rama theksoi vullnetin e vendeve të rajonit për të hyrë në Bashkimin Evropian jo si përfitues pasivë, por si kontribuues të sigurisë dhe zhvillimit europian.

“Ne do të vazhdojmë të ecim përpara derisa Ballkani Perëndimor të hyjë në BE jo si të ftuar, por si kontribuues për sigurinë, ekonominë dhe të ardhmen e tij”, tha Rama.

"Për sigurinë tuaj zgjidhni një ballkanas, dhe kjo funksionon gjithmonë. Dhe për sigurinë e Evropës zgjidhni ballkanasit. Ne mund të jemi truprojat e Europës dhe më pas Europa do të ndihet më e sigurt, shumë e shumë më e qetë në gjumin e saj", theksoi Rama. mb/

Foto: EPA

Остани поврзан