• петок, 05 декември 2025

Qipro dhe Libani nënshkruan marrëveshje për përcaktimin e Zonës ekskluzive ekonomike

Qipro dhe Libani nënshkruan marrëveshje për përcaktimin e Zonës ekskluzive ekonomike

Athinë, 26 nëntor 2025 (MIA) - Marrëveshje për përcaktimin e Zonës ekskluzive ekonomike (ZEE) u nënshkrua në Bejrut nga presidentët e Qipros dhe Libanit, Nikos Hristodulidis dhe Xhozef Aun, dhe paralelisht ata ranë dakord të avancojnë mundësinë e lidhjes elektrike midis dy vendeve duke formuar ekipe teknike dhe duke përgatitur një studim fizibiliteti, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina.

Sipas mediave qipriote, marrëveshja për Zonën ekskluzive ekonomike mbyll një çështje që ka qenë e hapur për pothuajse 20 vjet, duke pasur parasysh se marrëveshja e parë u nënshkrua në vitin 2007, por nuk u ratifikua nga Libani për shkak të problemeve të brendshme.

Presidenti qipriot e përshkroi marrëveshjen si "historike, duke i dhënë fund një problemi të gjatë", duke theksuar se me nënshkrimin, "të dy vendet po dërgojnë një mesazh të fortë politik të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin e detit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë" dhe se ata vazhdojnë të investojnë "në forcimin e besimit dhe respektit të ndërsjellë, si dhe në promovimin e bashkëpunimit dhe stabilitetit dypalësh dhe rajonal në dobi të të dy vendeve, qytetarëve të tyre dhe rajonit më të gjerë".

Presidenti libanez, nga ana e tij, tregoi se marrëveshja "do t’u mundësojë të dy vendeve të eksplorojnë burimet natyrore në zonat e tyre detare përkatëse dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në këtë nivel”. mb/

Foto: Kabineti i presidentit qipriot 

Остани поврзан