• четврток, 04 декември 2025

Presidenti kolumbian paralajmëron Trampin: Kërcënimet për sovranitetin tonë do ta "zgjojnë jaguarin"

Presidenti kolumbian paralajmëron Trampin: Kërcënimet për sovranitetin tonë do ta

 Bogotë, 3 dhjetor 2025 (MIA) - Presidenti i Kolumbisë Gustavo Petro e paralajmëroi homologun e tij amerikan që të mos kërcënojë sovranitetin e vendit të Amerikës së Jugut në kushte të përshkallëzimit të luftës verbale midis Bogotës dhe Uashingtonit.

Presidenti amerikan Donald Trampi në takimin e djeshëm të kabinetit në Uashington e hapi mundësinë e sulmit ndaj Kolumbisë si pjesë e luftës së tij kundër krimit të drogës, raportoi DPA. 

 "Dëgjoj që Kolumbia, vendi i Kolumbisë prodhon kokainë. Ata kanë fabrika për të prodhuar kokainë, në rregull? Dhe pastaj na e shesin kokainën... kushdo që e bën këtë dhe e shet në vendin tonë është subjekt i sulmit... jo vetëm Venezuela", tha Trampi.

Si përgjigje të komenteve të Trampit, Petro ftoi homologun e tij amerikan të vijë në Kolumbi për të dëshmuar "shkatërrimin e nëntë laboratorëve të drogës në ditë për të parandaluar që kokaina të arrijë në Shtetet e Bashkuara". 

 Petro në një postim në X tha se qeveria e tij ka shkatërruar 18.400 laboratorë që nga marrja e detyrës në vitin 2022, "pa raketa".

"Eja me mua dhe unë do të mësoj se si t'i shkatërrosh, një laborator çdo 40 minuta, por mos kërcëno në sovranitetin tonë, sepse do ta zgjosh jaguarin", tha lideri kolumbian. 

 

"Një sulm ndaj sovranitetit tonë është shpallje lufte. Mos shkatërro dy shekuj marrëdhëniesh diplomatike. Më keni shpifur tashmë. Mos vazhdo në atë rrugë. Nëse ndonjë vend ka ndihmuar në parandalimin e konsumimit të mijëra ton kokainë nga amerikanët e veriut, ajo është Kolumbia, shtoi ai.

Marrëdhëniet midis Bogotës dhe Uashingtonit janë përkeqësuar ndjeshëm kohët e fundit. Qeveria e SHBA-së e ka akuzuar Petron për mungesë vendosmërie në luftën kundër karteleve të drogës dhe ka vendosur sanksione ndaj presidentit. 

 Ushtria amerikane për momentin po mbledh forca në Detin e Karaibeve. Në javët e fundit, ka shkatërruar rreth 20 varka që u përkisnin trafikantëve të dyshuar të drogës, ku humbën jetën më shumë se 80 persona, sipas të dhënave amerikane.

 Petro tha se në atë procesd ka humbur jetën edhe një peshkatar kolumbian, ndërsa më pas pezulloi shkëmbimin e inteligjencës me Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarisht, qeveria e SHBA-së e thekson luftën kundër karteleve të drogës si arsyen e ndërhyrjes së saj. Venezuela, megjithatë, akuzon Uashingtonin se kërkon ndryshim të pushtetit. 

Foto: EPA 

 

Остани поврзан