Në Slloveni referendum për vetëvrasje të asistuar
- Qytetarët e Sllovenisë sot në referendum do të votojnë "pro" ose "kundër" Ligjit të miratuar së fundmi për ndihmë gjatë përfundimit vullnetar të jetës.
Lubjanë, 23 nëntor 2025 (MIA) - Qytetarët e Sllovenisë sot në referendum do të votojnë "pro" ose "kundër" Ligjit të miratuar së fundmi për ndihmë gjatë përfundimit vullnetar të jetës.
Ky është referendumi i dytë brenda dy vjetësh për vetëvrasjen e asistuar.
Parlamenti slloven e miratoi ligjin në korrik me 50 vota “pro”, 34 “kundër” ndërsa tre deputetë “abstenuan”, pasi 55 për qind e votuesve mbështetën të drejtën për vetëvrasje të asistuar në referendumin këshillimor vitin e kaluar.
Sllovenia u bë vendi i parë i Evropës Lindore që legalizoi vetëvrasjen e asistuar, por shpejt pasoi një nismë për referendum për të hedhur poshtë ligjin, i iniciuar nga një grup i udhëhequr nga aktivisti konservator Alesh Primac dhe i mbështetur nga opozita, kisha dhe disa ekspertë të shëndetit. Nisma u nënshkrua nga mbi 46.000 qytetarë.
Mbështetësit argumentojnë se vetëvrasja e asistuar do t'u siguronte dinjitet dhe liri zgjedhjeje njerëzve në fund të jetës së tyre, ndërsa kundërshtarët paralajmërojnë se kjo do të shkelte mbrojtjet kushtetuese për jetën, duke rrezikuar individët vulnerabël.
Votuesit do të duhet t'i përgjigjen pyetjes së referendumit: "A jeni dakord me futjen e Ligjit për vdekjen e asistuar, të cilin Asambleja Kombëtare e miratoi në seancën e saj më 24 korrik 2025?"
Që Ligji të refuzohet, duhet të përmbushen dy kushte – shumica e votuesve që dalin në referendum të votojnë “kundër” dhe të paktën 20 për qind e të gjithë votuesve të votojnë “kundër”. Sipas Ministrisë sllovene të Punëve të Brendshme, Sllovenia ka 1.696.025 votues të regjistruar. Numri minimal i votave të nevojshme për të hedhur poshtë Ligjin është 339.205.
Sipas ligjit të miratuar, pacientët në Slloveni kanë qasje në vetëvrasje të asistuar. Nëse kërkesa e pacientit pranohet, atij do t'i jepet një substancë me të cilën do t'i japë fund jetës së tij.
Pacientët duhet t'ia shprehin qëllimin e tyre dy herë mjekut të tyre përpara se të paraqesin një kërkesë zyrtare, e cila më pas duhet të miratohet nga një mjek i pavarur. Aftësia e tyre për të marrë një vendim do të vlerësohet gjithashtu nga një psikiatër. Punonjësit shëndetësor e kanë të drejtën të refuzojnë të marrin pjesë në procedurë.
E drejta nuk do të mund të përdoret në rastet e vuajtjeve të padurueshme si pasojë e sëmundjes mendore dhe për personat nën moshën 18 vjeç. Eutanazia, ose vdekja nga një kujdestar me kërkesë të pacientit, është e ndaluar.
Rezultatet e para të pjesshme priten pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 19:00, ndërsa rezultatet zyrtare do të shpallen pas 4 dhjetorit, kur do të konfirmohet numri përfundimtar i votuesve dhe nëse është arritur kuorumi për të rrëzuar Ligjin. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s