• четврток, 25 декември 2025

Një djalosh është arrestuar për shkak të zjarrit në një ndërtesë afariste të gazetës "Vjesnik" në Zagreb

Një djalosh është arrestuar për shkak të zjarrit në një ndërtesë afariste të gazetës

Zagreb, 20 nëntor 2025 (MIA) - Policia kroate njoftoi se një person i ri është ndaluar sot në kuadër të hetimit për zjarrin në ndërtesën e zyrave të gazetës kroate "Vjesnik".

Në hetimin e sotëm janë përfshirë disa persona të rinj, nga të cilët njëri është arrestuar dhe zbatohet hetim kriminel.

Gazeta e Zagrebit Jutarnji List raportoi sot se një i mitur kishte telefonuar policinë dhe kishte thënë se ai dhe një grup të rinjsh ndodheshin në ndërtesën e "Vjesnik" natën kur shpërtheu zjarri. Ata dyshohet se donin të ngjiteshin në majë të ndërtesës, por gjetën një derë të mbyllur në katet e sipërme. Një djalë në grup filloi të digjte karton, i cili përhapi zjarrin dhe ata ikën me vrap.

Sipas gazetës, në ndërtesë kanë hyrë adoleshentë të moshës nga 16 deri në 17 vjet të cilët jetojnë në afërsi të rrokaqiellit.

Më 17 nëntor rreth orës 23 shpërtheu zjarr në një nga ndërtesat afariste më të mëdha dhe më të njohura në Zagreb, pjesa më e madhe e së cilës është në pronësi të shtetit.

Policia dhe zjarrfikësit ende e kontrollojnë zonën, me ç'rast është ndaluar hyrja në ndërtesë, e cila pothuajse tërësisht është djegur. Gjithashtu janë mbyllur edhe rrugët rreth ndërtesës.

Rrokaqielli, i cili dikur ishte simbol i gazetarisë në Zagreb, është i lartë 67 metra dhe ka 16 kate. Ndërtimi i tij ka zgjatur nëntë vjet, nga viti 1963 deri më 1972. Në 20 vitet e fundit, selia e dikurshme e gazetës ditore "Vjesnik" ishte kryesisht e zbrazët dhe e lënë pas dore, me përdorim të përkohshëm vetëm të zyrave.

Ministri kroat për planifikim hapësinor, ndërtimtari dhe pronë shtetërore, Branko Baçiq deklaroi se nga vlerësimi i ekspertëve do të varet nëse ndërtesa do të renovohet ose do të rrënohet. sa/

foto: MIA arkivi

Остани поврзан