• петок, 05 декември 2025

Nga viti 1990 deri në vitin 2023 Shqipëria ka humbur 40, ndërsa Kosova 50 për qind të popullsisë

Nga viti 1990 deri në vitin 2023 Shqipëria ka humbur 40, ndërsa Kosova 50 për qind të popullsisë

Tiranë, 26 nëntor 2025 (MIA) - Sipas raportit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nga viti 1990, Shqipëria dhe Kosova janë dy vende të cilat kanë emigracionin më të lartë të popullsisë nga vendet post-komuniste.

Në raport thuhet se Shqipëria  ka humbur rreth 40 për qind të popullsisë së saj në periudhën 1990-2023, vetëm përmes emigracionit neto, niveli më i dytë më i lartë në Evropë dhe në të gjithë grupin e ekonomive të BERZH-it.

Nga ana tjetër, shtesa natyrore ka qenë pozitive për pjesën më të madhe të periudhës dhe ka kompensuar rreth 27 për qind të popullsisë së vitit 1990, çka e zbut pjesërisht goditjen, por jo aq sa të neutralizojë flukset e largimit. Kosova, gjithashtu, ka humbur 50 për qind të popullsisë në periudhën e njejtë, që është niveli më i lartë në Evropë, ndonëse ka pasur një shtesë më të lartë natyrore se Shqipëria me gati 40 për qind, shkruan gazeta shqiptare "Monitor" në analizën e saj. 

Në raport thuhet se ky boshllëk i madh demografik po përkthehet në një frenim të ndjeshëm ekonomik për Shqipërinë. BERZH mat për herë të parë ndikimin vjetor të demografisë në rritjen e PBB-së për frymë. Për Shqipërinë, kontributi i popullsisë ka qenë negativ gjatë viteve 2000–2023, me rreth –0,2 pikë përqindje rritje të humbur çdo vit.

Për periudhën 2024–2050, ndikimi pritet të thellohet në –0.3 deri –0.4 pikë përqindje në vit, duke e bërë Shqipërinë një nga ekonomitë më të ekspozuara në gjithë rajonin e BERZH-it. Mungesa e fuqisë punëtore, rritja e numrit të të moshuarve dhe dobësimi i bazës së kontribuuesve në skemat sociale po e vendosin ekonominë nën presion të vazhdueshëm, thuhet në analizë.

BERZH paralajmëron se pa rritje të produktivitetit, investime teknologjike dhe politika që frenojnë humbjen e kapitalit njerëzor, vendet që përjetojnë emigrim masiv, do të shohin një rënie në potencialin e tyre afatgjatë të rritjes. Në raport thuhet se ky model tashmë ka pasoja të dukshme edhe në tregun e punës, investimet, produktivitetin dhe stabilitetin fiskal.

Sipas BERZH, Shqipëria dhe Kosova janë ndër ekonomitë më të ekspozuara në të gjithë rajonin. Edhe nëse rritja ekonomike mbetet pozitive, ritmi i saj potencial do të jetë dukshëm më i ulët sesa në vendet me popullsi në rritje, si Turqia, Egjipti apo vendet e Azisë Qendrore. Raporti sugjeron se në mungesë të rritjes së produktivitetit, investimeve teknologjike, rritjes së kapitalit njerëzor dhe përmirësimit të klimës së biznesit, emigracioni masiv do të vazhdojë të frenojë rritjen ekonomike për të paktën edhe tre dekada, përfundon "Monitor". qa/

Остани поврзан