Mucunski - Georgiev në Mynih, dallimet bilaterale dhe bllokada e Bullgarisë mes temave në takim
- Dallimet dypalëshe, bllokimi i rrugës evropiane të vendit nga ana e Bullgarisë dhe pozita e pakicës maqedonase në Bullgari ishin ndër temat, për të cilat diskutuan sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe shefi i diplomacisë bullgare, Georg Georgiev, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Shkup, 15 shkurt 2025 (MIA) - Dallimet dypalëshe, bllokimi i rrugës evropiane të vendit nga ana e Bullgarisë dhe pozita e pakicës maqedonase në Bullgari ishin ndër temat, për të cilat diskutuan sot ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe shefi i diplomacisë bullgare, Georg Georgiev, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.
"Ministri Mucunski shprehu keqardhjen që në vend të zhvillimit të politikës së fqinjësisë së mirë, marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të ngarkuara me konteste bilaterale, të cilat janë bërë pengesë joparimore për procesin e integrimeve evropiane të Maqedonisë. Ai theksoi se të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen me përgjegjësi, përmes dialogut dhe me respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë, sepse marrëdhëniet e mira fqinjësore, krahas tjerash, nënkuptojnë edhe mbështetjen për integrimet evropiane, si angazhim strategjik i shtetit", njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Ministri Mucunski në takim e ka hapur edhe çështjen për respektimin e të drejtave dhe lirive të pjesëtarëve të pakicës maqedonase në Bullgari dhe e ka theksuar nevojën për zbatim të vendimeve të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut. bsh/
Foto: Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme