Mexhiti: BDI-ja është nisur rrugës së PPD-së dhe PDSH-së‼

Shkup, 18 shkurt
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka deklaruar se Bashkimi Demokratik për Integrim është në rënie dhe po ndjek të njëjtën rrugë si ish-subjektet politike shqiptare, si PPD dhe PDSH, të cilat përfunduan në shuarje.
“BDI është nisur rrugës së PPD-së dhe PDSH-së dhe subjekteve tjera shqiptare. Prej një lëvizjeje të madhe politike, në përfundim në asgjë, që për shqiptarët nuk është mirë, sepse ne vazhdimisht ballafaqohemi me fillimin nga themeli, asnjëherë me ngritje apo kulm, por vazhdimisht nga themeli. Kjo nuk është rasti te pala maqedonase me VMRO-në dhe LSDM-në, të cilat kanë një kontinuitet të politikave dhe programeve”, deklaroi Mexhiti në podkastin "Dialog" në Lajm TV.
Mexhiti: Himni mund të jetë vetëm me muzikë, pa tekst
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka deklaruar se çështja e stemës dhe himnit shtetëror nuk është pjesë e marrëveshjes apo programit qeveritar, por theksoi se nuk ka tema të ndaluara për diskutim brenda qeverisë.
“Nuk janë pjesë e marrëveshjes ose pjesë e programit qeveritar stema, himni etj. Por edhe nuk ka tabu tema në qeveri. Për t’i biseduar, i bisedojmë edhe këto tema edhe temat tjera që kanë të bëjnë me shtetin, që kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve. Pra, parimisht e kemi biseduar çështjen e stemës, çështjen e himnit. Nëse stema është relikt komunist, atëherë domethënë edhe himni vjen nga periudha komuniste, domethënë edhe himnin duhet ta përshtatim me kohën e re, me kohën moderne, në frymën europiane. Mund të jetë një himn vetëm me muzikë, por jo dhe me tekst,” tha Mexhiti në podkastin "Dialog" në Lajm TV.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur debati mbi simbolet shtetërore po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në skenën politike të Maqedonisë së Veriut.
Mexhiti: Opozita shqiptare e paunifikuar i dha 10 vite pushtet BDI-së
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka deklaruar se në zgjedhjet e vitit 2015-16, votuesi shqiptar qartë votoi për ndryshim dhe për dërgimin e BDI-së në opozitë, por përçarja e opozitës shqiptare i dha mundësinë kësaj partie të mbetej në pushtet. “Votuesi shqiptar në vitin 2015-16 shumë qartë votoi për ndryshim, votoi që BDI të shkojë në opozitë, të reformohet dhe mandej të jetë konkurruese. Pra, nuk ka qenë faji as te votuesi shqiptar, nuk ka qenë as që BDI i ka fituar zgjedhjet, por problemi ka qenë te mosunifikimi i opozitës shqiptare. Me 120 mijë vota, po të kishin qenë të unifikuar, nuk do të kishin 10 deputetë por do të kishin 14-15 deputetë, përkundër BDI-së me 7-8 deputetë, dhe do ndodhte në mënyrë spontane ndryshimi, sikurse ndodhi në palën maqedonase me LSDM-në”, deklaroi Mexhiti në podkastin "Dialog" në Lajm TV.
Ai shtoi se mosunifikimi i opozitës shqiptare i dha BDI-së 10 vite pushtet të pamerituar, por njëkohësisht e dëmtoi edhe vetë këtë parti, duke e larguar nga realiteti politik. “Këto 10 vite kanë qenë të falura për BDI-në për shkak të mosunifikimit të opozitës. Por kjo e ka dëmtuar edhe vetë BDI-në, sepse e ka humbur kontaktin me realitetin dhe u tjetërsua nga figura si Artan Grubi dhe të tjerë që nuk kanë qenë pjesë e BDI-së kur u themelua, por u bënë pjesë për shkak të privilegjeve. Ata e tjetërsuan partinë deri në atë shkallë sa sot ka problem të ballafaqohet me realitetin”, shtoi Mexhiti. Sipas tij, reforma në BDInuk mund të bëhet nga figura që tashmë kanë shtatë apo tetë mandate si deputetë dhe janë të përfshirë në lista të zeza.
Mexhiti: Beteja e vërtetë politike do të jetë në zgjedhjet e ardhshme lokale
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka vlerësuar se në kampin politik maqedonas raporti i forcave është dukshëm i pabalancuar, ndërsa në kampin shqiptar situata ka ndryshuar ndjeshëm, sidomos pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. “Mendoj se në kampin politik maqedonas dallimi është shumë i madh, raporti është 3-1. Në kampin politik shqiptar e kemi analizuar edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare, edhe pas zgjedhjeve, se si për herë të parë BDI nuk ka shkuar vetë në zgjedhje. Është hera e parë që shkoi me 9 parti politike nga katër komunitete, që ne thamë është legjitime, duan të marrin pjesë në super ligë, siç e promovuan ata, nuk marrin pjesë në kampin shqiptar, domethënë garojnë në super ligë. Dhe kur e panë që në super ligë nuk dolën siç e menduan, e humbën luftën atje, mandej u rikthyen sërish te skema shqiptare, te terreni shqiptar, dhe u pastrua edhe ajo dilemë,” deklaroi Mexhiti në podkastin "Dialog" në Lajm TV.
Ai shtoi se për herë të parë opozita shqiptare arriti të tejkalojë 107 mijë vota, një shifër e rëndësishme duke marrë parasysh emigrimin e madh të të rinjve në 8 vitet e fundit. “Për hir të së vërtetës, e kemi fituar BDI-në dhe janë në opozitë, por për ta vulosur këtë janë zgjedhjet lokale të ardhshme. Këtu vulën duhet ta vendosë qytetari shqiptar për vettingun, nëse ja vlen ndryshimi, rotacioni politik. Mendoj që beteja e vërtetë do të jetë në zgjedhjet e ardhshme lokale”, theksoi Mexhiti.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur debati mbi të ardhmen e politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale po intensifikohen.
Mexhiti: BDI harxhoi mandatin në pushtet për ta shpëtuar Mijallkovin
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka akuzuar ashpër BDI-në duke thënë se kjo parti ka devijuar plotësisht nga parimet e saj fillestare dhe ka përfunduar në aferat e korrupsionit, duke përfituar për interesa personale. “Pjesa më e lavdishme historike e shqiptarëve në Maqedoni është UÇK-ja dhe lufta e vitit 2001. Ajo solli ndryshime të mëdha, jo barazi të plotë, por një avancim të dukshëm të shqiptarëve në Maqedoni. Megjithatë, me kalimin e kohës, politikat e BDI-së kanë ndryshuar rrënjësisht. Të fillosh si përfaqësues i UÇK-së dhe të përfundosh në listën e zezë amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në gjyqësor për Mijallkovin, tregon qartë se si kjo parti ka lëvizur nga një ekstrem në tjetrin,” deklaroi Mexhiti në podkastin "Dialog".
Ai e akuzoi BDI-në se në vend që të përdorte pushtetin për të çuar përpara interesat e shqiptarëve, e ka shpërdoruar atë për mbrojtjen e figurave të korruptuara dhe për bizneset e saj të dyshimta. “Ajo që është më e dhimbshme është se numrat në qeveri nuk kanë qenë kurrë më të favorshëm për shqiptarët. Nga vitet ‘90 deri në vitin 2020, shqiptarët nuk kanë pasur ndonjëherë pozicion ku qeveria varej prej tyre. Dhe çfarë bëri BDI-ja? E shfrytëzoi këtë pushtet për të shpëtuar Mijallkovin, për të ndihmuar arratisjen e Gruevskit, për të zhvilluar bizneset e kazinove dhe kredive të shpejta. Kjo është më se tragjike,” theksoi ai.
Mexhiti argumentoi se BDI-ja nuk përfaqëson më idealet për të cilat u themelua dhe se tashmë është e izoluar politikisht. Sipas tij, shqiptarët duhet ta vulosin ndryshimin përfundimtar në zgjedhjet e ardhshme lokale.
______________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.