• петок, 21 февруари 2025

Takim pune ndërmjet MASH dhe SASHK për marrëveshje të re kolektive për të punësuarit në shkollat fillore dhe të mesme

Takim pune ndërmjet MASH dhe SASHK për marrëveshje të re kolektive për të punësuarit në shkollat fillore dhe të mesme

Shkup, 20 shkurt 2025 (MIA) - Marrëveshja e re kolektive për të punësuarit në shkollat fillore dhe të mesme, ishte tema e bisedës së takimit të sotëm të punës në hapësirat e Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) ndërmjet ministres së Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska dhe kryetarit të SASHK-ut Jakim Nedellkov.

Për një numër të madh të pikave për të cilat negociohet, siç theksoi ministrja, tashmë janë harmonizuar qëndrimet, mbetet për t'u dakorduar më tej edhe pikat tjera, siç janë rritja për një pjesë nga drejtuesit e klasës, pagesa e kompensimit rrugor për disa mësimdhënës të cilët udhëtojnë më larg për në punë, si dhe për disa  përfitime tjera të cilat do t'i kenë anëtarët e SASHK-ut.

"Takimi i sotëm është një nga takimet e shumta që i mbaj me partnerin tonë social duke synuar përmirësimin e të drejtave dhe mundësive të të punësuarve në shkollat fillore dhe të mesme. Përmes këtij procesi të vazhdueshëm me biseda të shumta dhe negociata arrijmë disa qëndrime të përbashkëta të cilat mendoj se do t'i rregullojmë në të ardhmen dhe do të arrijmë në zgjidhjen përfundimtare për nënshkrimin e marrëveshjes së re kolektive", tha ministrja Janevska para fillimit të takimit dhe theksoi se është e bindur se relativisht shpejtë do të nënshkruhet marrëveshja kolektive.

Ajo konfirmoi se paga e marsit për të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm, e cila do të paguhet në prill, do të rritet për shtatë për qind siç ishte dakorduar më parë. Praprakisht gjatë vitit të kaluar kishte rritje prej pesë për qind.

"Kjo është rritja e dytë e pagës dhe është në pajtim me inflacionin. Besojmë se kjo është e rëndësishme sepse paga e mësimdhënësve realisht do të rritet për t'i mbuluar shpenzimet e paparashikuara. Me këtë marrëveshje sigurojmë edhe vazhdimësi të rritjes së pagave të mësimdhënësve dhe të punësuarve tjerë në shkollat fillore dhe të mesme të cilat do të zhvillohen në katër vitet e ardhshme", saktëson Janevska.

Kryetari i SASHK-ut konfirmoi se në fazën përfundimtare janë bisedimet për marrëveshjen kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm. 

"Këto janë marrëveshje kolektive që nuk janë rinovuar që nga viti 2008, gjë që në vetvete tregon se ato janë komplekse dhe se janë shumë të rëndësishme për anëtarët tanë dhe për punonjësit në arsimin fillor dhe të mesëm. Për këtë arsye ata kërkojnë një qasje shumë serioze në marrjen e vendimeve të tyre përfundimtare", tha Nedellkov.

Si sindikatë, shtoi ai, me marrëveshjen e re kolektive presim shumë më tepër privilegje për anëtarët tanë që nuk mbulohen nga ligji përkatës apo ndonjë marrëveshje tjetër kolektive.

"Në Marrëveshjen e re kolektive kërkohet rritje e të drejtave për anëtarët tanë në lidhje me ligjet aktuale dhe marrëveshjet kolektive. Jemi ende në fazën finale të negociatave, më së shumti bisedohet për kërkesat financiare dhe të drejtat e natyrës financiare, për të cilat besoj se shpejt do të arrijmë marrëveshje dhe do të nënshkruhen marrëveshjet kolektive", theksoi Nedellkovski.

Ai theksoi se prania e ministres Janevska në takimin e punës tregon se po i kushtohet shumë vëmendje tekstit cilësor të marrëveshjes kolektive.

"Synimi ka qenë nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive deri sot, por për shkak të vëllimit të materialit dhe mungesës së ligjit për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesional që janë të rëndësishëm për lidhjen e marrëveshjeve, do të kemi një vonesë të vogël. Kjo nuk do të ketë asnjë konotacion negativ për punonjësit e arsimit dhe anëtarët tanë. Është një vonesë prej dy apo tre javësh", tha Nedellkovski. sa/

Foto: MIA

Остани поврзан