Ministri i Mbrojtjes së Rumanisë jep dorëheqje për shkak të skandalit me diplomën e tij
- Ministri i Mbrojtjes së Rumanisë, Jonuc Moshtjanu sot njoftoi se ka dhënë dorëheqje, raporton agjencia e lajmeve Axherpres.
Bukuresht, 28 nëntor 2025 (MIA) - Ministri i Mbrojtjes së Rumanisë, Jonuc Moshtjanu sot njoftoi se ka dhënë dorëheqje, raporton agjencia e lajmeve Axherpres.
"Bisedova me presidentin, me kryeministrin, me kryetarin e partisë, me një pjesë të kolegëve të mi në partinë Aleanca për Shpëtimin e Rumanisë dhe i falënderoj për mbështetjen dhe besimin", shkroi Jonuc Mohtjanu në profilin e tij në Fejsbuk dhe shtoi se e bën këtë nga respekti për armatën rumune dhe si shenjë përgjegjësie.
Dje, lideri i partisë më të madhe opozitare, Aleanca për bashkimin e rumunëve (AUR), Gorge Simion, kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Moshtjanus, me arsyetimin se "kishte gënjyer në dokumentet zyrtare të shtetit rumun" lidhur me arsimimin e tij të lartë, raportoi televizoni Dixhi 24.
Skandali shpërtheu pasi gazeta "Libertatea" zbuloi se Moshtjanu në biografinë e tij të parë zyrtare kishte deklaruar se kishte diplomuar në Universitetin Ateneum – një institucion për të cilin është thënë se ai nuk ka qenë kurrë student atje. Kjo e detyroi ministrin të pranonte se bëhej fjalë për një "gabim" dhe të paraqiste një tjetër diplomë të marrë në vitin 2015. Ai tha se bëhet fjalë për "një gabim të bërë nga nxitimi".
Moshtjanu në profilin e tij në Fejsbuk shkroi se "Rumania dhe Evropa janë nën rrethim nga Rusia", për shkak se siguria kombëtare rumune duhet të mbrohet me çdo çmim.
"Nuk dua që diskutimet për arsimin tim dhe gabimet që kam bërë shumë vite më parë të tërheqin vëmendjen e atyre që tani po udhëheqin vendin nga misioni i tyre i vështirë", theksoi Moshtjanu në Fejsbuk. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s