Mickoski: Do të ndërtojmë një sistem që njeh, analizon dhe u përgjigjet kërcënimeve hibride dhe informative
- Interesi ynë kombëtar është i qartë: të ndërtojmë një shtet që i njeh, analizon dhe u përgjigjet kërcënimeve hibride dhe informative në mënyrë të koordinuar, të shpejtë dhe profesionale, porositi sot kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën "Kërcënimet hibride dhe informative", në organizim të Institutit për Studime të Komunikimit.
Shkup, 28 nëntor 2025 (MIA) - Interesi ynë kombëtar është i qartë: të ndërtojmë një shtet që i njeh, analizon dhe u përgjigjet kërcënimeve hibride dhe informative në mënyrë të koordinuar, të shpejtë dhe profesionale, porositi sot kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën "Kërcënimet hibride dhe informative", në organizim të Institutit për Studime të Komunikimit.
Sipas tij, ka kaluar koha kur me zëvendësimin e një drejtori zhduket dija.
"Do të zbatojmë procedura, metodologji, baza të dhënash dhe standarde të detyrueshme - në mënyrë që të mos ketë më "zbrazëtira" në sistem, që të mos ketë varësi nga individë. Po planifikojmë trajnime të vazhdueshme për nëpunësit në të gjitha institucionet; programe të specializuara për MPB, MM, Platformën Kombëtare për Siguri, administratën publike dhe vetëqeverisjen lokale; programe për edukim mediatik dhe siguri digjitale për të rinjtë", tha Mickoski.
Asnjë shtet, siç theksoi, nuk mund të mbrohet pa njerëz të trajnuar, ndërsa kërcënimet hibride nuk mposhten me heshtje, por me aksion të përbashkët.
"Qeveria do të hapë një platformë për bashkëpunim të rregullt me qendrat kërkimore, universitetet, shoqatat mediatike, organizatat civile dhe sektorin privat. Ky problem është shumë i madh për t'u përballuar vetëm nga një institucion. Maqedonia do të ndërtojë një sistem, jo improvizim", tha kryeministri.
Theksoi se vizioni është i qartë - një shtet që do ta njohë herët, institucione që do të reagojnë shpejt, nëpunës që do të veprojnë profesionalisht, qytetarë që do ta njohin manipulimin, një shoqëri që nuk do të jetë viktimë - por rezistente.
"Kjo nuk është çështje për një konferencë për shtyp apo një mandat. Ky është një mision i përbashkët për të ardhmen e demokracisë sonë", tha Mickoski.
Kërcënimet hibride dhe informative, siç tha ai, nuk sulmojnë vetëm sistemin - sulmojnë besimin midis nesh.
"Dhe kur zhduket besimi, shteti bëhet i prekshëm. Detyra jonë është e qartë: ta kthejmë besimin, të ndërtojmë institucione të forta. Dhe të krijojmë një sistem që nuk do të rrëzohet me goditjen e parë të fortë të një fushate dezinformimi. Këtë herë nuk do të lejojmë improvizime. Këtë herë po ndërtojmë një shtet të përgjegjshëm që qëndron fortë - dhe që shikon përpara", tha Mickoski.
Foto: MIA