• сабота, 16 мај 2026
MIA Flesh

18:00/ 23 prill/ 2026

Shkup – Këshillin Ekonomik – Social e ngritim në nivel më të lartë, strategjik, sipas shembullit të praktikave evropiane, ku dialogu social është pjesë thelbësore nga miratimi i politikave, deklaroi sot ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.  Në mbledhjen e sotme të KES, informon, janë hapur çështje të rëndësishme, që drejtpërdrejtë i prekin punëtorët, punëdhënësit dhe qytetarët, me çka fokusi është vendosur në masa konkrete dhe zgjidhje ligjore.  Ministri theksoi se është shqyrtuar raporti vjetor për punën e Këshillit për vitin 2025, me theks në rezultatet e arritura dhe nevojën nga përparimi shtesë i dialogut social. 

Shkup – Në libër jetojnë zërat e shekujve, bisedojnë i urti dhe fëmija, sundimtari dhe i varfri, poeti dhe shkencëtari, ai që ka ëndërruar dhe ai që ka vuajtur. Asnjë tempull nuk ka mbledhur kaq shumë lutje të arsyes, asnjë pallat nuk ka ruajtur kaq shumë pasuri sa libri. Libri për mua është një thesar ku nuk ruhen ari dhe argjendi, por ide, njohuri, vizione dhe shpresa. Libri nuk na mëson vetëm të lexojmë rreshta, ai na mëson të lexojmë dhe të kuptojmë kohët. Libri nuk na jep vetëm dije, na jep masën e urtësisë, na e lartëson karakterin. Ai që lexon, gradualisht fiton aftësinë më të rrallë – të kuptojë njeriun tjetër, por edhe veten,” tha sot presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e cila shpalli të hapur edicionin e 38-të të Panairit të Librit në Shkup. Siç theksoi Gordana Siljanovska-Davkova në fjalimin e saj, në këtë kohë të shpejtë në të cilën jetojmë, libri na shtyn drejt një heshtjeje në të cilën mund të mendojmë.

Shkup - Me rastin e 22 Prillit - Ditës së Planetit Tokë, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot realizoi aksione për mbjelljen e pishave në dy lokacione në Shkup - në Spitalin Gjinekologjik-Obstetrik në Çair dhe në çerdhen e fëmijëve ‘Fidani’. Siç informuan nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, një pishë e re u mboll në nder të të gjithë fëmijëve të lindur më 22 prill, me mesazhin simbolik se çdo jetë e re vjen në këtë botë me të drejtën për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm. Aksioni vazhdoi në çerdhen ‘Fidani’, ku së bashku me më të vegjlit u përforcua mesazhi se ndërgjegjësimi ekologjik duhet të ndërtohet që në moshë të hershme.

Shkup – Përfaqësues të institucioneve kompetente, organizatave civile dhe deputetë sot morën pjesë në debatin mbikëqyrës kushtuar zbatimit të ligjeve, politikave dhe masave institucionale për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, e organizuar nga Komisioni parlamentar për Mundësi të Barabarta midis Grave dhe Burrave.  Më shumë qendra ku viktimat e dhunës në familje do të strehohen, sigurimi i kushteve për banim të përkohshëm për këto viktima dhe krijimi i kushteve që ato të bëhen ekonomikisht të pavarura, në mënyrë që të mos kthehen përsëri te dhunuesi, ishin pjesë e rekomandimeve të paraqitura në fillim të debatit mbikëqyrës.  Zëvendësministri i Politikës Sociale dhe Rinisë, Gjoko Velkovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputeteve, tha se është në fazë përfundimtare ligji i ri për akomodim, në të cilin, ndër të tjera, parashikohet edhe mundësia që viktimat e dhunës në familje të marrin strehim derisa të stabilizohen ekonomikisht.

Shkup- Partneriteti me Slloveninë, përmes projektit „Forcimi i arsimit dhe rregullimit profesional për infermieret dhe akusheret në Maqedoni“, do të vazhdojë edhe gjatë periudhës 2026–2028. “Në Slloveni gjithmonë shohim mbështetje të fortë për integrimin tonë në BE, ndërsa përmes bashkëpunimit konkret në arsim dhe shëndetësi, si dhe përmes bartjes së praktikave të mira, këtë proces kompleks mund ta realizojmë shumë më lehtë”, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, në eventin që shënoi fillimin e fazës së dytë të projektit.”

Shkup- Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot iu drejtua seancës mbikëqyrëse të Komisionit për Mundësi të Barabarta në Kuvend, ku theksoi se roli i sistemi shëndetësor është thelbësor, si në zbulimin e hershëm, ashtu edhe në sigurimin e mbështetjes së duhur për viktimat e dhunës në familje. "Ministria e Shëndetësisë po vendos një qasje sistematike, me masa dhe aktivitete të përcaktuara qartë. Është në përgatitje një program për forcimin e sistemit shëndetësor për vitin 2027, me buxhet të paraparë prej dy milionë denarësh, i cili do të përfshijë parandalimin, shërbimet falas për viktimat, fushata për rritjen e ndërgjegjësimit dhe trajnime për punonjësit shëndetësorë. Paralelisht, po punohet edhe në integrimin e qendrave për dhunë seksuale në sistematizimin e institucioneve shëndetësore, me çka këto shërbime bëhen pjesë e përhershme e sistemit. Veçanërisht e rëndësishme është lidhja e këtyre qendrave me sistemin elektronik “e-shëndetësi”, që do të mundësojë evidentimin sistematik të rasteve dhe hartimin e politikave mbi bazën e të dhënave reale. Këto iniciativa janë një hap i rëndësishëm drejt një sistemi të integruar dhe efikas", theksoi ministri Aliu.

Shkup- Në seancën e sotme të Komisionit parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, ka filluar debati rreth amendamenteve për propozim- ligjin për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë i cili parashikon heqjen e qeverisë teknike. Nënkryetari i Komisionit, Jovan Jauleski informoi se për propozim- ligjin janë iniciuar një numër i madh i amendamenteve dhe dha një pauzë sepse, siç tha ai, “amendamentet nuk ishin përpunuar teknikisht dhe nuk ishin paraqitur në Komision”. Në përgjigjen e kërkesave të deputetëve të opozitës për t'u zhvendosur në një sallë tjetër sepse, sipas tyre, aty ku po mbahej seanca nuk kishte kushte për punë, Jauleski theksoi se nëse do të kishte kushte hapësinore, seanca do të vazhdonte në një sallë tjetër.

Shkup- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u takua me Kryetarin e Dhomës së Popujve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës, Kemal Ademoviq. Gashi, siç informojnë nga shërbimi për informim i Kuvendit, shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, të cilat nuk janë të ngarkuara nga çështjet dypalëshe, dhe si një urë shtesë lidhjeje, e theksoi rolin e boshnjakëve në Maqedoni dhe diasporës së Maqedonisë në Bosnjë e Hercegovinë. 

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot iu drejtua mbledhjes së Këshillit Ekonomik-Social në Qeveri, ku prezantoi risitë në projekt- ligjin për mbrojtje nga pirja e duhanit. “Ligji ekzistues është pothuajse 30 vjet i vjetër dhe nuk i përgjigjet realitetit të sotëm, sidomos me paraqitjen e produkteve të reja si cigaret elektronike dhe produktet e duhanit pa djegie, rregullat e paqarta për objektet e gastronomisë dhe mbrojtjen e dobët të të rinjve. Ky ligj është pjesë edhe e detyrimeve tona ndaj Bashkimit Evropian, por më e rëndësishmja, është përgjigje ndaj problemeve reale që i ndjejnë drejtpërdrejt punëtorët, kompanitë dhe familjet. Thelbi është se duhani nuk është vetëm sfidë shëndetësore, por edhe barrë ekonomike për shtetin tonë. Duhani është përgjegjës për mbi 3.600 raste vdekjeje në vit, përkatësisht rreth 13% e numrit total të vdekjeve, duke e renditur Maqedoninë ndër vendet me vdekshmërinë më të lartë nga pirja e duhanit në Evropë, me mbi 170 raste vdekjeje për 100 mijë banorë, krahasuar me mesataren evropiane prej 95”, theksoi ministri Aliu.

Shkup - Hap i rëndësishëm drejt avancimit të të drejtave dhe pozitës së të punësuarve, si dhe forcimit të integritetit institucional është bërë sot në Qendrën për menaxhim me kriza. Drejtori i QMK-së, Muhamed Ali nënshkroi marrëveshje kolektive me organizatat sindikale, duke vendosur në qendër të vëmendjes punonjësit si shtyllë kyçe e funksionimit të institucionit, kumtoi pasdite QMK. "Kjo marrëveshje mundëson një vlerësim më të drejtë dhe më të qëndrueshëm të punës, si dhe rritjen e dinjitetit profesional dhe motivimit të punonjësve. Shtatë për qind rritje të pagave nga paga e marsit 2026, shtatë për qind rritje të pagave nga paga e marsit 2027, shtatë për qind rritje të pagave nga paga e marsit 2028", shkruan në kumtesë.

Shkup-  Inspektorati i Tregut është vazhdimisht në terren dhe nëse regjistron raste të keqpërdorimeve nga tregtarët, ne do të reagojmë në përputhje me mekanizmat dhe masat që kemi në dispozicion dhe do ta kufizojmë marzhin-bruto të fitimit që të mos kalojë mbi 10 për qind - deklaroi Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, pas seancës së sotme të Këshillit Ekonomik-Social. Deri tani, sipas tij, ka pasur rritje të vogla të çmimeve, më të theksuara te produktet e bursës. Te produktet e tjera, sipas analizës që kemi bërë për periudhën nga 1 shkurti deri më 1 prill, rritja është minimale, gjë që nuk është e rëndësishme për inflacionin – tha Durmishi në përgjigje të një pyetje të gazetarëve pas seancës së Këshillit Ekonomik-Social.

Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, nesër do të jetë nikoqir i Konferencës së XX të kryetarëve/spikerëve të parlamenteve të Iniciativës Adriatiko-Joniane (IAJ), e cila mbahet në kuadër të kryesimit të shtetit tonë me këtë Iniciativë. Në takim do të marrin pjesë kryetarë, nënkryetarë dhe deputetë nga parlamentet e vendeve anëtare të IAJ-së – Republika e Maqedonisë së Veriut, Republika e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Republika e Greqisë, Mali i Zi, Republika Italiane, San Marino, Republika e Serbisë dhe Republika e Sllovenisë, si dhe përfaqësues nga Sekretariati i IAJ-së, si dhe nga vendi ynë si nikoqir i forumit.  Pjesëmarrësit në Konferencë do të fokusohen në dy tema kyçe, të cilave do t’u kushtohen dy sesioneve: "Promovimi i paqes dhe stabilitetit nëpërmjet diplomacisë parlamentare" dhe "Përforcimi i lidhshmërisë rajonale: Korridoret VIII dhe X dhe roli i parlamenteve".

Shkup – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot realizoi takim me ushtruesin e detyrës ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nikoll Varns, që përfaqësonte takim të parë pas vizitës në SHBA në kuadër të sesionit të dytë nga Dialogu Strategjik.  Siç njoftoi MPJTJ, gjatë takimit u shpreh kënaqësia për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh. Mucunski riafirmoi angazhimin e Qeverisë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në marrëdhëniet ekonomike dhe potencialin për investime të reja. Njëherësh, u bisedua edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare, situatat aktuale në kuadër të NATO-s, si dhe për sfidat aktuale të sigurisë. 

Shkup– Për shkak të intervenimeve teknike në rrjetin e shpërndarjes elektrike, nesër pa energji elektrike do të mbeten një pjesë e shfrytëzuesve nga komunat Studeniçan, Petrovec, Karposh dhe Gazi Babë, njoftoi QRMK – Shkup. 

Prishtinë - Akademiku Rexhep Qosja ka vdekur sot në moshën 89-vjeçare, kanë njoftuar familjarët e tij. Familjarët kanë njoftuar po ashtu se ka përfunduar edhe ceremonia e varrimit, ndërsa kanë theksuar se me dëshirën e të ndjerit, nuk do të organizojnë pritje familjare e as nuk do të marrin pjesë as në ceremonitë institucionale. Qosja ishte shkrimtar, historian i letërsisë, profesor universiteti, akademik. Lindi në Vuthaj të Malit të Zi më 1936, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në Vuthaj dhe në Guci. Në Prishtinë e kreu Shkollën normale, ndërsa studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Më 1967 filloi punë si asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ndërsa më 1968-69 kreu studimet pasuniversitare në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit.

Prishtinë - Ushtruesja e detyrës presidente e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e nesërme e premte, 24 prill 2026, të shpallet Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. “Në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja, dita e nesërme, e premte, 24 prill 2026, shpallet Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, ka thënë u.d presidentja Haxhiu.

Tiranë – Protokolli ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë "është i pajtueshëm" me rregullat e BE-së për kthim dhe azil, nën kushtin "të drejtat e emigrantëve të mbrohen në tërësi". Ky është qëndrimi i avokatit të përgjithshëm të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, Nikollas Emiliu, në pritje të vendimit të ardhshëm të gjykatësve në Luksemburg.  Avokati nënvizon se e drejta e BE-së “nuk e pengon” vendin të vendosë CPR jashtë territorit të saj, duke theksuar megjithatë se shteti mbetet i përkushtuar “t’i respektojë të gjitha garancitë e parapara”, duke përfshirë edhe të drejtën e ndihmës juridike, interpretimit gjuhësor dhe kontaktit me anëtarët e familjes dhe autoriteteve.  Gjithashtu vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet të miturve dhe kategorive të ndjeshme të qytetarëve.

Kopenhagë - Dy trena lokalë janë përplasur sot në veri të kryeqytetit danez, Kopenhagë, me ç'rast janë lënduar 17 persona, prej të cilëve pesë janë në gjendje kritike, kumtuan shërbimet për raste emergjente. Në vendin e fatkeqësisë në zonë pyjore gjenden dy trena, me dëmtime të dukshme në anën e përparme dhe të kthyer njëri ndaj tjetrit. Ekipet e shpëtimit skenat në vagone i përshkruajnë si "kaotike". "Dy trena janë përplasur, duke shkaktuar dëm të madh dhe xhama të thyer gjithandej", deklaroi për gazetarët shefi i shërbimit zjarrfikës dhe shpëtimit, Kristofer Bull Martekilde.

Bruksel – Vendet anëtare të Bashkimit Evropian sot edhe formalisht e miratuan kredinë për Ukrainën prej 90 miliardë euro dhe pakon e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë, njoftoi presidenca qipriote.  Që të dyja vendimet e BE-së deri më tani ishin bllokuar nga kryeministri hungarez në largim, Viktor Orban, duke e arsyetuar veton e tyre me vonesën e supozuar të Ukrainës në riparimin e tubacionit "Druzhba", i cili e furnizon Hungarinë me naftë ruse. "Druzhba" ishte dëmtuar në fund të janarit në sulm rus me dronë.  Ukraina para dy ditëve njoftoi se tubacioni "Druzhba" është riparuar, ndërsa Hungaria dhe Sllovakia sot njoftuan se përsëri po marrin naftë ruse. 

Uashington - Forcat amerikane mbrëmë kanë zbarkuar me helikopterë në një tanker në Oqeanin Indian, kumtoi Pentagoni. Forcat speciale amerikane kanë zbarkuar në tankerin "M/T mazhestik T", anije pa përkatësi shtetërore, që është nën sanksione dhe ka transportuar naftë iraniane. "Do të vazhdojmë kontrollin detar global që t'i pengojmë rrjetet ilegale dhe t'u përgjigemi anijeve që sigurojnë përkrahje financiare për Iranin, pa marrë parasysh ku lundrojnë", kumtoi Pentagoni.

Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp sot deklaroi se i ka dhënë urdhër marinës amerikane që "të qëllojë për të vrarë" çdo anije që vendos mina në Ngushticën e Hormuzit. Ai në rrjetin social "Truth Social" publikoi se "pastruesit e minave pikërisht tani po e pastrojnë Ngushticën". "Urdhërova Marinën amerikane që të qëllojë për të vrarë çdo anije, pavarësisht sa e vogël është, (TË GJITHA anijet e tyre luftarake, të gjitha 159 prej tyre janë në fund të detit!) që vendos mina në ujërat e Ngushticës së Hormuzit. Nuk duhet të ketë hezitim. Gjithashtu, pastruesit tanë të minave pikërisht tani po pastrojnë Ngushticën. Me këtë urdhëroj që ky aktivitet të vazhdojë, por në një nivel të trefishtë! Faleminderit për vëmendjen tuaj për këtë çështje", njoftoi Tramp.

Barcelonë - Sulmuesi i Barcelonës, Lamin Jamal do të mungojë nga fusha deri në fund të sezonit për shkak të lëndimit të tendinit, njoftoi sot klubi katalonas. Jamal u lëndua në ndeshjen kundër Selta Vigos të mërkurën, ndërsa Barcelona kumtoi se sulmuesi 18-vjeçar duhet të jetë gati për Kampionatin botëror këtë vit. Këtë sezon, Jamali ka luajtur 45 ndeshje në të gjitha garat dhe ka shënuar 24 gola për Barcelonën, e cila në gjashtë xhiro para fundit është lider i kampionatit me 82 pikë, nëntë më shumë se Reali i Madridit në vendin e dytë. 

Остани поврзан