• сабота, 24 јануари 2026

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/23 janar/2026

Shkup  - Kuvendi sot me 81 vota "për" dhe 19 "kundër" dhe pa të përmbajtur e votoi Ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për kundërvajtje, me procedurë të shkurtuar. Me këtë hapet rruga për fillimin e sistemit për regjistrim automatik dhe sanksionim të aksidenteve "Qyteti i sigurt" nga 1 shkurti. Me kërkesë të koordinatores së "Frontit Evropian", Rina Ajdari, votimi ishte individual. Për miratimin e ndryshimeve ligjore u nevojit shumica prej dy të tretave të deputetëve. Ligji parasheh përforcimin e sigurisë në trafik përmes vendosjes së procedurës së veçantë për kundërvajtje të konfirmuara me ndihmën e mjeteve teknike dhe pajisjeve për regjistrim. Sanksionimi i shpejtë dhe efikas i kundërvajtësve dhe shqiptimi i sanksioneve pritet të ndikojë në parandalimin e përgjithshëm në fushën e sigurisë së trafikut.

Shkup - Kuvendi sot në kuadër të seancës së 65-të e zgjodhi Faton Selamin nga Tetova për avokat të ri të popullit.  Për zgjedhjen e Selamit votuan 89 deputetë, gjashtë ishin kundër, ndërsa nga deputetët që u përkasin komuniteteve që nuk janë shumicë, 28 ishin "pro", tetë "kundër". Selami është jurist i diplomuar, magjistër i shkencave juridike, me provim të dhënë të jurisprudencës dhe noterit. Kuvendi e zgjedh dhe shkarkon avokatin e popullit. Avokati i popullit zgjidhet në mandat prej tetë vitesh, me të drejtë për rizgjedhje. Zgjedhjen dhe shkarkimin e avokatit të popullit Kuvendi e bën me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, me ç'rast duhet të ketë shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve të cilët i përkasin komuniteteve që nuk janë shumicë.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski sot mori pjesë në Takimin e Dytë Ministror të Platformës Ballkanike të Paqes, që u mbajt në Stamboll, me iniciativë të ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë Hakan Fidan. Në takim morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Siç informon Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Mucunski në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e një qasje realiste dhe të orientuar drejt rezultateve ndaj bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se stabiliteti nuk fitohet, por ndërtohet përmes interesave të qarta, bashkëpunimit praktik dhe rezultateve konkrete që qytetarët i ndiejnë në jetën e tyre të përditshme. Ai potencoi se në kushtet e rritjes së fragmentimit global, konkurrencës dhe sfidave të sigurisë, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shndërrojnë gjeografinë e tyre në një avantazh dhe politikën në rezultate të matshme.

Shkup  - Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot zhvilloi një takim me ambasadorin e Republikës së Francës Kristof Le Rigoler, në të cilin, siç informojnë nga Ministria  është biseduar për avancimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mjedisit jetësor dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian. "Në takim, ministri Hoxha shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i jep vendit, veçanërisht në zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e fondeve IPA. Ai theksoi se prioritet i Ministrisë është krijimi i një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës për trajtimin e ujërave të ndotura, në kuadër të zbatimit të Programeve Operative Sektoriale për Mjedisin Jetësor dhe Veprimin Klimatik përmes IPA II dhe IPA III", bëri të ditur MMJPH. 

Shkup  - Ministri i Drejtësisë Igor Filkov sot njoftoi një sërë masash urgjente dhe afatgjate për stabilizimin e sistemin gjyqësor, duke treguar se gjendja me integritetin, përgjegjësinë dhe efikasitetin e institucioneve është "një pikë krizë reale dhe e thellë", që nuk mund të injorohet më. Në fjalim ai paralajmëroi se ngecjet shumëvjeçare në rastet për korrupsion të lartë dhe mungesa e reagimeve institucionale seriozisht e dëmtojnë besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit. Si pjesë të masave urgjente, Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar kërkesë zyrtare te Ministria e Financave për punësimin e kuadrit të ri në shërbimin gjyqësor dhe të prokurorive publike.

Shkup  - Sindikata e "Postës së Maqedonisë" përmes kumtesës drejtuar mediumeve informoi se janë tejkaluar të gjitha problemet lidhur me pagesën e rrogës dhe se ajo tashmë u është paguar të gjithë punëtorëve. "Si Sindikatë, qëllimi ynë është t'i mbrojmë të drejtat e të punësuarve, por me vizion të qartë dhe përmes marrëveshjes efikase me të cilën do të sigurojmë kushte më të mira për punë të të punësuarve dhe punën e SHA "Posta". SHA "Posta" ndodhet në situatë në të cilën ne si Sindikatë japim mbështetje të plotë në procesin e riformimin e ndërmarrjes me përgatitjen e sistematizimit të ri me qëllim që SHA "Posta" të ngritet në nivel të ofruesit konkurrent të shërbimeve në treg", thonë nga Sindikata e "Postës së Maqedonisë".

Shkup  - Deputeti dhe koordinuesi i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit "Maqedonia yte", Nikolla Micevski, sot në konferencë për shtyp deklaroi se koalicioni LSD dhe BDI qëndruan kundër projektit "Qyteti i sigurt" dhe kundër jetëve dhe sigurisë së qytetarëve. "Koalicioni LSD dhe BDI u tregua në vepër edhe në opozitë. BDI dhe LSD lidhën martesë dhe qëndruan kundër jetëve dhe sigurisë së qytetarëve. LSD dhe BDI, koalicioni Ali dhe Venko sot së bashku në Kuvend votuan kundër projektit 'Qyteti i sigurt'. Ata sot qartë qëndruan kundër projektit qytet i sigurt", tha Micevski.

 Shkup  - Rregullat e reja për hyrje në zonën shengen nuk zgjidhin asgjë për të përmirësuar një fushë të caktuar në BE, ndërsa neve  na krijojnë probleme serioze. Ato do të ndikojnë shumë të keq në biznes. Mendoj se janë paralajmëruar protesta serioze dhe nga e hëna pritet që reagimet të përhapen në të gjitha vendet e prekura nga ky vendim, tha sot kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski. Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas vizitës në "Titan Usje", Azeski theksoi se pret që rregullat e reja të tërhiqen, por jo së shpejti. 

Nju-Jork  - SHBA-ja e përfundoi procesin e tërheqjes nga Organizata botërore e shëndetësisë, agjencia e specializuar e Kombeve të Bashkuara, një vit pasi që presidenti amerikan, Donald Tramp kumtoi se e ndërpret anëtarësimin e vet 78-vjeçar në organizatën e themeluar në vitin 1948. Sipas mediumeve amerikane, kjo nuk është "një ndërprerje e pastër" sepse SHBA-ja kësaj agjencie të KB-së i ka borxh mbi 130 milionë dollarë, ceket në vlerësimin e kësaj organizate. Edhe përfaqësues të administratës së Trampit pranojn[ se nuk kanë përfunduar me zgjidhjen e disa problemeve, siç është qasja e humbur drejt të dhënave nga vende të tjera, që do të ishte paralajmërim i hershëm për SHBA-në për pandemi të re.

Abu Dhabi - Në Abu Dhabi filloi takimi trepalësh midis Ukrainës, Rusisë dhe ShBA-së, raportoi Si-En-En-i, duke cituar një burim të paidentifikuar. Takimi në Abu Dhabi midis përfaqësuesve amerikanë, ukrainas dhe rusë është duke u zhvilluar, deklaroi një burim i njohur me bisedimet për rrjetin televiziv amerikan.  Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dje paralajmëroi një takim në Abu Dhabi, ndërsa Kremlini konfirmoi mbrëmë se do të marrë pjesë në takim.  Kievi njoftoi se në Abu Dhabi do t'i dërgojë kryenegociatorin Rustem Umerov dhe shefin e shtabit të Zelenskit, Kirill Budanov.

Kampala - Në Ugandë janë vrarë 30 mbështetës të opozitës, ndërsa rreth 2.000 persona janë arrestuar gjatë protestave për zgjedhjet e kontestuara, deklaroi sot shefi i shtabit të ushtrisë ugandase, Muhuzi Kainerugaba, djali i presidentit të rizgjedhur Joveri Museveni.

 

 

Остани поврзан