09:00 / 18 shkurt / 2026
Shkup - Kuvendi sot do të mbajë seancën e 85-të në të cilën pritet të konstatohen dorëheqjet e kryetarit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbimeve të Ujit dhe Shërbimeve të Menaxhimit me Mbeturinat Komunale, Marko Bislimovski dhe të anëtarit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe konflikt interesi, Cveta Ristova. Në seancë pritet të gjendet edhe zgjedhja e Goce Naumovskit, për gjyqtar të ri kushtetues. Pas miratimit të pikave të rendit të ditës, dy orë do të jenë për pyetjet e opozitës drejtuar kryeministrit dhe ministrave. Në rendin e propozuar të ditës për seancën e 85-të, deri tani janë përfshirë dy pika, edhe atë: Propozim për emërimin e një anëtari (të angazhuar joprofesionalisht) anëtarë i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrjen e Sigurimeve dhe Propozim-ligji për prodhimin bujqësor organik, në lexim të parë.
Shkup - Debat publik rreth versionit punues të Propozim ligjit për drejtues të lartë në organet e administratës dhe fondeve shtetërore do të mbajë sot në Kuvend Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive. Qëllimi i ligjit është të krijojë një administratë publike profesionale, jo-partiake dhe efikase, në të cilën avancimi do të bazohet ekskluzivisht në njohuri, përvojë dhe rezultate. Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, për Propozim-Ligjin për shërbimin e lartë udhëheqës së fundmi deklaroi se bëhet fjalë për një masë reformuese thelbësore dhe e shumëpritur që prezanton rregulla të qarta, profesionalizëm dhe përgjegjësi në sektorin publik.
Shkup - Debat publik për propozimin për Ligj të ri për arsimin e lartë do të mbahet sot pasdite në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, në prani të ministres së Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska. Ky është një nga seria e debateve të cilëtm sipas paralajmërimit të ministres, do të zhvillohen në universitetet e vendit për të dëgjuar mendimet e profesorëve për ligjin e propozuar. Ai ëshë vendosur edhe në Regjistrin kombëtar të regulloreve (ENER) për propozime dhe sugjerime, ndërsa MASH hapi edhe email-adresa të posaçme në të cilat palët e interesuara mund të dërgojnë komente në lidhje me këtë ligj dhe për propozim-ligjin për cilësinë në arsimin e lartë, i cili gjithashtu është në ENER.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot në Tiranë, do të marrë pjesë në takimin ministror "Korridori 8 në momentin strategjik të Evropës: Lidhja, rezistenca përmes mobilizimit ushtarak dhe prosperitetit të ndarë përmes integrimit". Mucunski në takim do të marrë pjesë me ftesë të ministres për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Shkup - Konferencë vjetore me temë "Formalizimi i ekonomisë joformale: Përmes bashkëpunimit deri te suksesi" do të mbahet sot në Shkup në organizim të Qeverisë, Organizatës për zhvillim të Kombeve të Bashkuara - UNDP, Organizatës ndërkombëtare të punës - ONP dhe Fakultetit ekonomik - Shkup. Në hapjen e konferencës do të mbajnë fjalim kryeministri, Hristijan Mickoski, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, dekani i Fakultetit ekonomik pranë Universitetit "Shën Cirili dhe Metodi" - Shkup, Mijalçe Santa, koordinatori kombëtar i Organizatës kombëtare të punës për Maqedoninë e Veriut, Emil Kërstanovski dhe përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në vend, Armen Grigorian.
Shkup - Për shkak të daljes së Vardarit nga shtrati, prej mbrëmë është vendosur ndalesë për komunikacion në rrugën rajonale R2-233 Gostivar - fshati Çegran në fshatin Forinë. Komunikacioni riorientohet nga fshati Çajle e Vjetër drejt fshatit Forinë. Rruga drejt fshatit German u bllokua në fshatin Stança nga një dru i rënë dhe nuk është e kalueshme, informoi LAMM në raportin e mëngjesit për gjendjen e rrugëve. Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet nëpër rrugë të lagështa. Të reshura të dobëta të borës ka në Kriva Pallankë - vendkalimi kufitar Deve Bair, vendkalimi kufitar Dellçevë, Stracin dhe në Ponikva, por në këtë moment nuk paraqesin pengesë për zhvillimin e komunikacionit.
Shkup - Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me periudha të diellit. Paradite do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar nga drejtimi verior (lokalisht mbi 60 km/h), posaçërisht në pjesët lindore dhe në Pellagoni. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -3 deri 5, ndërsa ajo maksimale do të arrijë prej 3 deri 11 gradë Celsius. Në Shkup, moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha të diellit. Do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të ulet deri 1, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 9 gradë Celsius.
Berlin - NATO-ja sot do të zhvillojë stërvitje ushtarake në bregun baltik të Gjermanisë. Manovrat janë pjesë e stërvitjes së madhe të Aleancës Veriatlantike "Shigjeta e palëkundur". Ushtarët, armët dhe pajisjet do të transferohen në tokë pasi të kalojnë detin përmes poligonit ushtarak Putlos në Shlezing-Holshtajn. Stërvitja, ku do marrin pjesë 15 anije dhe 2.600 ushtarë, do të vëzhgohet nga ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius dhe gjenerali i NATO-s Ingo Gerharc.
Nju-Jork - Tetëdhjetë e pesë vende-anëtare të Kombeve të Bashkuara në një deklaratë të përbashkët dënuan masat e reja të Izraelit për të "zgjeruar praninë e tij të paligjshme" në Bregun Perëndimor të pushtuar. Qeveria izraelite tre ditë më parë miratoi një ligj të diskutueshëm që ua lehtëson kolonëve izraelitë blerjen e tokës në Bregun Perëndimor. "Dënojmë kategorikisht vendimet dhe masat e njëanshme të Izraelit që synojnë zgjerimin e pranisë së tij të paligjshme në Bregun Perëndimor. Vendime të tilla janë në kundërshtim me detyrimet e Izraelit sipas të drejtës ndërkombëtare dhe duhet të anulohen menjëherë", theksohet në deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga 85 vende-anëtare të OKB-së, si dhe nga Bashkimi Evropian, Lidhja Arabe dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik.
Uashington - Nënpresidenti amerikan, Xhej Di Uens përsëri e ka shprehur qëndrimin se SHBA-ja po tenton ta pengojë Iranin për t'u pajisur me armë bërthamore pas raundit të ri të negociatave, që u mbajt në Gjenevë, njoftoi DPA. Presidenti Donald Tramp "ka shumë mundësi dhe një sërë instrumentesh" për të garantuar se Republika Islamike nuk ka armë për shkatërrim masiv, tha Uens në intervistë për Foks Njuz. Irani i ka hedhur posht pohimet se në mënyrë të fshehtë po tenton të zhvillojë armë bërthamore dhe informon se ka të drejtë të shfrytëzojë energji bërthamore për qëllime paqesore.
Uashington - Në Uashington dje u arrestua një person 18-vjeçar, i cili me pushkë ka vrapuar drejt ndërtesës së Kapitolit. Policia kumtoi se djali e ka lëshuar armën në tokë me urdhër të policisë. Incidenti ka ndodhur më pak se tre muaj prej se një ushtar i Gardës kombëtare është vrarë, ndërsa një tjetër u plagos në afërsi të Shtëpisë së Bardhë.