15:00/ 12 mars/ 2026
Shkup - Mungesa e aparateve bazë kundër zjarrit, hidrant bosh, dera ndihmëse e kyçur dhe mungesa e një sistemi për raportimin e zjarrit u konstatua nga ekipi inspektues i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) pas zjarrit në klubin "Puls" në Koçan. Këtë e theksoi një inspektor i DMSH-së nga dega rajonale në Vinicë, i cili sot dëshmoi në seancën gjyqësore, duke vënë në dukje se deri në momentin e fatkeqësisë, Komuna e Koçanit për më shumë se një dekadë nuk kishte punësuar inspektor për mbrojtje dhe shpëtim. Në pyetjet e Prokurorisë nëse më parë ishin ndërmarrë veprime inspektuese në objekt, dëshmitari sqaroi se kompetencat e tij lidhen ekskluzivisht me territorin e komunës së Vinicës. Për mbikëqyrje të jashtëzakonshme në një komunë tjetër, siç theksoi, është i nevojshëm një urdhër me shkrim nga drejtori, zëvendësdrejtori ose inspektori i përgjithshëm. Ai theksoi se në Koçan për një kohë të gjatë kishte problem me stafin, për të cilin ishte informuar edhe udhëheqësia e Drejtorisë.
Shkup - Tragjeditë nuk duhet të jenë kurrë fushë përçarjesh. Ato duhet të jenë momente solidariteti, humanizmi dhe uniteti, theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në fjalimin e tij në seancën përkujtimore për përvjetorin e zjarrit në Koçan ku jetën e humbën 63 persona, ndërsa rreth 200 u lënduan. Seanca përkujtimore filloi me një minutë heshtje në shenjë respekti për kujtimin e 63 personave që vdiqën në Koçan. Në seancë, përveç deputetëve, morën pjesë presidentja e shtetit Gordana Siljanoska Davkova, kryeministri Hristijan Mickoski, familjet e atyre që vdiqën tragjikisht në zjarrin në diskotekën "Puls"... "Sot, pas një viti, jemi mbledhur në këtë sallë për të kujtuar, për të reflektuar dhe për t’i nderuar me respekt emrat që u shuan. Jemi mbledhur si rrallëherë, jo si pozitë e opozitë, jo si përfaqësues të partive apo institucioneve, por si një shoqëri që u lëndua rëndë. Jemi këtu si njerëz që e bashkëndjejnë dhimbjen e këtyre familjarëve, për t’u dhënë mesazh se në këtë dhimbje nuk janë vetëm", tha Gashi.
Shkup - Këshilli i Qytetit të Shkupit, në seancën e sotme, miratoi ribalancin e Buxhetit, me të cilin rriten mjetet për 166 milionë denarë shtesë, të destinuara për investime të reja kapitale në qytet. Nga Qyteti i Shkupit informon se rritja e buxhetit është rezultat i menaxhimit të kujdesshëm dhe të përgjegjshme, pa huamarrje të reja. Me ribalanc është parashikuar ndërtimi i një rrethrrotullimi të ri në afërsi të Bankës Kombëtare, me qëllim përmirësimin e rrjedhës së komunikacionit në një nga pikat më të ngarkuara të komunikacionit në qytet. Paralelisht, Qyteti i Shkupit do të fillojë edhe me ndërtimin e dy garazheve shumëkatëshe në kuadër të Qendrës Klinike "Nëna Tereza". Projekti parashikon rreth 500 vende të reja parkimi dhe një investim prej rreth tre milionë euro, me çka priten të zvogëlojë ndjeshëm problemin e parkimit prej kohësh në kompleksin klinik. Nga Qyteti potencojnë se institucioni do të jetë përgjegjës për projektimin, ndërtimin dhe menaxhimin e garazheve, me qëllim shmangien e rritjes shtesë të çmimeve të parkimit për qytetarët.
Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, priti sot Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEK), Asaf Haxhiev. Në takim, Kryetari Gashi tha se vizita e tij është një mundësi e rëndësishme për të thelluar bashkëpunimin midis Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Organizatës. U theksua se anëtarësimi i Kuvendit në PABSEK konsiderohet përcaktim i rëndësishëm strategjik i vendit, i cili kontribuon në forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal parlamentar. Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi aktivitetet aktuale të PABSEK-ut dhe mbi sfidat dhe perspektivat aktuale të bashkëpunimit rajonal.
Shkup - Dhuna ndaj një punonjësi shëndetësor duhet të raportohet menjëherë, bëhet fjalë për krim i cili dënohet me burg, u theksua sot në konferencën për shtyp me rastin e shënimit të 12 Marsit - Ditës Evropiane për ndërgjegjësimin kundër dhunës ndaj mjekëve dhe punonjësve shëndetësor. Kryetarja e Odës së Mjekëve, prof. dr. Kalina Grivçeva Stardelova, tha se mbi 70 për qind e mjekëve në vend, sipas anketës së tyre anonime nga viti 2023, janë përballur me dhunë fizike ose verbale në punë, nga të cilët 80 për qind janë ekspozuar ndaj dhunës verbale, ndërsa 6,8 për qind ndaj dhunës fizike.
Shkup - Bordi i projektit „Financimi i Biodiversitetit (BIOFIN)“ në Republikën e Maqedonisë së Veriut sot mbajti takimin e parë, në të cilin paraqitje kishte ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësuesi rezident i UNDP-së Armen Grigorian dhe zëvendësministri i Financave Nikollçe Jankullovski. Në fjalën e tij, ministri Hoxha theksoi se Ministria punon vazhdimisht për mbrojtjen dhe ruajtjen e biodiversitetit, për përmirësimin e sistemit të zonave të mbrojtura dhe për harmonizimin e legjislacionit nacional me direktivat evropiane. Ai theksoi se në periudhën e kaluar është arritur përparim i konsiderueshëm në valorizimin e vlerave natyrore dhe në proceset për shpalljen e zonave të reja të mbrojtura.
Uashington - Po realizojmë një cikël të madh investimi prej disa miliardë eurosh në zhvillimin dhe modernizimin e korridoreve në Maqedoni. Po punojmë në ndërtimin dhe modernizimin e segmenteve të autostradave, po investojmë në ndërtimin e një hekurudhe të shpejtë në Korridorin 10 dhe lidhje hekurudhore në Lindje, ndërsa me mbështetjen e Bankës Botërore po punojmë në modernizimin e kalimeve kufitare me Shqipërinë dhe Bullgarinë, theksoi zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski në takimin ministror në Uashington, të organizuar nga Banka Botërore. “Jemi me fat që dy korridoret pan-evropiane kryqëzohen në vendin tonë. Është Korridori 10 që lidh jugun e Evropës me veriun e Evropës dhe është korridori më i gjatë në Evropë. Korridori i dytë është Korridori 8 që shkon nga perëndimi në lindje, fillon në Shqipëri dhe përfundon në portin e Odesës në Ukrainë dhe tani konsiderohet korridori i dytë më i rëndësishëm i sigurisë për NATO-n. Po përpiqemi t'i zhvillojmë të dy korridoret. Kemi një cikël të madh investimesh prej disa miliardë eurosh që po zbatojmë në të dy korridoret, të cilat më pas hapin mundësi të reja për zhvillimin e biznesit përgjatë tyre”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Gostivar – Një nga kompanitë që transporton nxënës në komunën e Gostivarit kërkon që të paguhen borxhet e papaguara, në mënyrë që të vazhdojë me transportin, tha kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani dhe shtoi se Ministria e Arsimit do të duhet të përfshihet në tejkalimin e situatës. Në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve në lidhje me problemin me transportin e nxënësve, ai vlerësoi se situata është e pafavorshme. Një nga operatorët e ka ndërperë shërbimin për shkak të borxheve të papaguara që komuna e Gostivarit ka ndaj tyre. "Po hasim në pengesa në metodën e financimit nga pushteti qendror. Bllok- dotacionet që ndan shteti shpenzohen tërësisht për pagat e mësimdhënësve dhe qeveritë lokale detyrohen të mbulojnë vetë kostot e mbetura, siç janë energjia elektrike, ngrohja dhe transporti i nxënësve. Kjo është një barrë e rëndë financiare e cila i kushton komunës së Gostivarit më shumë se një milion euro në vit, një shumë që buxheti lokal nuk mund ta përballojë", tha Valbon Limani, kryetar i komunës së Gostivarit.
Gostivar - Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani sot bashkë me ekipin e tij promovoi rikonstruimin e tërësishëm të rrugës "212" në lagjen Maleardi. "Sot dolëm për të parë rikonstruimin e rrugës "212" në gjatësi prej 400 metrave. Është bërë rikonstruimi i tërësishëm, kurse në disa segmente, ku ka pasur mundësi, është bërë edhe zgjerimi i rrugës me qëllim të sigurisë më të madhe të qytetarëve. Besoj se ky projekt do të ndihmojë dukshëm këtë pjesë, por gjithashtu do të shkarkojë ngarkesën e bulevardit "Vëllezërit Gjinovski". Kryetari Limani gjithashtu paralajmëroi se Komuna e Gostivarit do të vazhdojë me investime në infrastrukturën rrugore edhe në pjesë të tjera të qytetit, me qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
Tiranë- Me 82 vota kundër, shumica parlamentare e Shqipërisë vendosi ta hedh poshtë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit parlamentar të ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, me qëllim arrestimin e saj. Menjëherë pas votimit, deputetët e opozitës bllokuan foltoren, duke mbajtur pankarta ku shkruhej "dorëheqje" dhe "qeveri teknike". Shumica vazhdoi seancën, duke miratuar disa projektligje pa diskutim. Kryeministri Edi Rama u largua nga salla e parlamentit menjëherë pas votimit. Asnjë diplomat i huaj nuk mori pjesë në seancën plenare të sotme, gjë që është hera e parë që ndodh kjo. Një protestë u mbajt përpara parlamentit, e cila, përveç disa përpjekjeve për të çarë kordonin e policisë dhe hedhjes së fishekzjarreve, përfshiu fjalime nga përfaqësues të opozitës dhe në fund nga udhëheqësi demokrat Sali Berisha.
Teheran– Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohamad Bager Galibaf, paralajmëroi sot se çdo përpjekje për të pushtuar ishujt iranianë do të provokonte një përgjigje pa kufizime. "Çdo agresion kundër territorit të ishujve iranianë do të shkatërrojë çdo kufizim. Do të tërhiqemi nga të gjitha kufizimet dhe do ta mbushim Gjirin Persik me gjakun e pushtuesve", shkroi Galibaf në platformën X. Deklarata e tij vjen pas spekulimeve se SHBA-ja mund ta sulmojë ishullin Harg në Gjirin Persik. Ishulli Harg është terminali kryesor i eksportit të naftës në Iran.
Uashington – Administrata e presidentit amerikan Donald Tramp filloi serinë e hetimeve kundër partnerëve kyçë ekonomikë që të gjejë bazë të re juridike për vendosje të doganave ndëshkuese, pasi Gjykata Supreme e SHBA-së paraprakisht e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ekonomike nga ana e Trampit si të paligjshme. Përveç Bashkimin Evropian, hetimi do t’i përfshijë Zvicrën, Norvegjinë, Kinën, Japoninë, Meksikën, Tajvanin, Indinë dhe vende të tjera në Azi, por jo edhe Kanadanë, njoftuan agjencitë. Komisari amerikan për tregti, Xhejmison Gir, deklaroi se hetimi ka të bëjë me një pjesë të Ligjit për tregti të SHBA-së nga viti 1974 dhe se ekziston dyshim se shumë vende kanë ndërtuar kapacitet të shtuar prodhues i cili nuk është bazuar në kërkesën vendore ose globale dhe kjo në dëm të SHBA-së. Sipas SHBA-së, kjo mund ta dëmtojë konkurrencën korrekte në treg. SHBA-ja tashmë e shfrytëzoi ligjin nga viti 1974 në të kaluarën, për shembull, gjatë vendosjes së doganave speciale ndaj Kinës.
Tel Aviv – Ushtria izraelite (IDF) thotë se e ka goditur kompleksin bërthamor iranian Talegan në afërsi të Teheranit, për të cilin thonë se ishte shfrytëzuar për zhvillim të teknologjive të nevojshme për prodhimin e armës bërthamore. Forcat iraniane të mbrojtjes (IDF) njoftuan se bëhet fjalë për kompleksin Talegan, që ishte goditur gjatë sulmeve ajrore të forcave ajrore izraelite gjatë disa ditëve të kaluara. Sipas ushtrisë izraelite, Irani në vitet e fundit në këtë vend ka zhvilluar shpërthime të avancuara dhe ka zbatuar eksperimente të ndjeshme si pjesë e projektit AMAD, për të cilin Izraeli thotë se është programi i fshehtë për zhvillim të armës bërthamore të Iranit.
Tel Aviv – Ministri izraelit i Mbrojtjes, Izrael Kac, deklaroi sot se i ka dhënë një ultimatum qeverisë libaneze: duhet ta ndalojë Hezbollahun nga kryerja e sulmeve në Izraelin verior ose ushtria izraelite do të hyjë në territorin libanez dhe “do ta zgjidhë vetë problemin”, informon Al Xhezira. “Hezbollahu lëshoi dje një breshëri të fuqishme raketash drejt shtetit të Izraelit”, tha Kac, transmeton "Tajms of Izrael". “E paralajmërova presidentin e Libanit se nëse qeveria libaneze nuk di si ta kontrollojë territorin dhe ta parandalojë Hezbollahun nga kërcënimi i komuniteteve veriore dhe të qëllojë në Izraelin, ne do ta marrim territorin dhe do ta bëjmë vetë këtë”, tha ai.
Teheran - Mediat iraniane sot raportuan arrestimet e disa personave në vend për të cilat dyshohet se kanë lidhje me SHBA-në dhe Izraelin, shkruan Al Xhezira. Gjashtë persona u arrestuan në provincën Kerman pas denoncimeve nga qytetarët dhe punës së inteligjencës, publikoi agjencia e lajmeve Tasnim, duke cituar administratën provinciale të shërbimit të inteligjencës. Agjencia theksoi se grupi u identifikua si pjesëmarrës në djegien e makinave dhe pronave gjatë protestave në janar dhe dyshohet se po planifikonte trazira të mëtejshme. Një burrë tjetër u arrestua në të njëjtën provincë, për të cilin zyrtarët theksojnë se po planifikonte një sulm të armatosur.