• среда, 01 април 2026
MIA Flesh

9:00/ 1 prill/ 2026

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dhe presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend, sot do të mbajnë ligjëratë të përbashkët në Fakultetin Juridik "Justiniani i Parë" " pranë Universitetit "Shën Cirili dhe Metodi" në Shkup. Presidentja Siljanovska Davkova e priti dje Milatoviqin me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në ceremoni në Vilën "Vodno", e më pas pasoi një takim tet-a-tet dhe konferencë e përbashkët për shtyp, nga e cila të dy presidentët dërguan mesazhin për një vizion të përbashkët për një rajon të qëndrueshëm dhe të begatë të integruar në BE me fokus në bashkëpunimin rajonal. Milatoviç theksoi se të dy vendet i lidh edhe afërsia e thellë historike e konfirmuar me solidaritet dhe mbështetje të ndërsjellë.

Shkup - Arkivi shtetëror i Republikës së Maqedonisë sot shënon 75 vjetorin e themelimit.  Në ceremoninë që do të mbahet në Porta Maqedonia, siç informojnë nga Arkivi Shtetëror, do të ketë fjalime dhe ndarje të mirënjohjeve për mbështetësit dhe miqtë e tij besnikë. "Ky përvjetor është një moment për të kujtuar rëndësinë e Arkivit si mbrojtës i kujtesës kulturore dhe trashëgimisë historike, por edhe si një institucion që ndërton ura drejt së ardhmes, theksohet në kumtesën.  Drejtori i institucionit, Dimitar Bogeski, në intervistën për MIA-n informoi se me rastin e përvjetorit do të organizojnë ekspozita, promovime të librave dhe dokumenteve, me qëllim që të afirmohen dokumentet që ruhen në Arkiv, ose, siç theksoi, të afirmohet e gjithë veprimtaria shoqërore, historike dhe kulturore në Maqedoni.

Shkup - Ambasada e Greqisë, në bashkëpunim me NOVA International School Shkup, sot do të organizojë panairin universitar "Study in Greece", në të cilin do të prezantohen mundësitë akademike që ofrojnë universitetet shtetërore greke për studentët ndërkombëtarë. Në panairin do të marrë pjesë Platforma Study in Greece, së bashku me përfaqësues nga pesë universitete kryesore shtetërore greke, të cilët do të prezantojnë programe universitare dhe pasuniversitare në gjuhën angleze. Vizitorët do të mund të informohen për kushtet për pranim, bursat e disponueshme, jetën studentore, si dhe për avantazhet e marrjes së një diplome të njohur ndërkombëtarisht në Greqi.

Shkup – Komisioni parlamentar për Mundësi të Barabarta të Grave dhe Burrave sot do të mbajë mbledhje, në rend dite të të cilës është Propozim vendimi për mbajtjen e debatit mbikëqyrës në temë: “Zbatimi i ligjeve, politikave dhe masave institucionale për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna në familje, nga aspekti i mundësive të barabarta, koordinimi institucional, sfidat dhe mundësitë për përparimin e efikasitetit të veprimit të organeve të pushtetit ekzekutiv”.  Nisma është parashtruar nga deputetet Zhaklina Peshevska dhe Monika Zajkova. Theksohet se kjo nismë parashtrohet duke e pasur parasysh nevojën që Kuvendi, përmes organeve të tij kompetente të punës dhe në kuadër të funksionit të tij mbikëqyrës, të sigurojë mbikëqyrje më të hollësishme në atë si institucionet kompetente i zbatojnë ligjet, politikat dhe mekanizmat për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave, si një nga çështjet thelbësore në lidhje me të drejtat e njeriut, sigurisë, dinjitetit, mosdiskriminimit dhe mundësive të barabarta të grave dhe burrave. 

Shkup- Në Komunën e Gjevgjelisë sonte në ora 18 do të mbahet tribunë në kuadër të fushatës "Zërin që e dëgjojmë - më e mira e Maqedonisë". Fushata "Zërin që e dëgjojmë - më e mira e Maqedonisë" filloi më 18 mars nga komuna e Bosilovës. Siç paralajmëroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, do të vizitohen mbi 30 komuna dhe më shumë se 120 vendbanime. Qëllimi është të dëgjohen qëndrimet dhe nevojat e bujqve, të prezantohen politikat e deritanishme dhe masat e sektorit, si dhe të diskutohet për sfidat aktuale.

Shkup – Në Klinikën e Gastroenterohepatologjisë në kuadër të Qendrës Klinike “Nëna Terezë” – Shkup sot do të mbahet ngjarje me rastin e fillimit të dy procedurave medicinale: Kolangioskopia dhe Aplikimi Endoskopik i Stenteve nën Kontrollin e Endozografisë (LAMS). Ngjarja do të mbahet në kabinetin e rinovuar të endoskopisë së Klinikës. Siç informojnë nga Klinika mysafir nderi në ngjarje do të jetë prof. dr. Petko Karaxhozov, profesor i gastroenterohepatologjisë dhe shef i Klinikës së Gastroenterohepatologjisë, Acibadem (Tokuda) Hospital, Sofje.

Shkup - Moti sot, nën ndikimin e aktivitetit ciklonik, do të jetë me shi, ndërsa në disa vende reshjet do të jenë më të bollshme (mbi 20 l/m²). Nga DPHM-ja informojnë se për shkak të zbritjes së një mase të ftohtë ajrore, në male dhe në disa nga vendet më të larta reshjet do të shndërrohen në borë. Do të fryjë erë e përforcuar, herë pas here e fortë, e cila në disa vende do të arrijë shpejtësinë mbi 70 km/h. Temperatura minimale do të jetë në intervalin 1 deri në 6 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 7 deri në 12 gradë. Në Shkup, moti do të jetë kryesisht me vranësira dhe reshje shiu. Do të fryjë erë e përfocuar deri e fortë nga drejtimi verior.  Temperatura minimale do të bjerë në 4, ndërsa maksimalja do të arrijë në 10 gradë.

Bejrut – Një seri sulmesh me dronë janë kryer në Irakun verior. Burime për agjencinë gjermane DPA kumtuan se në Erbil, kryeqytetin e Rajonit autonom Kurdistan, gjatë natës janë kryer sulme me rreth 20 dronë.  Nga rënia e mbeturinave të droneve janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në ndërtesa civile në disa vendbanime. Aktualisht nuk ka informacione për persona të vdekur ose të plagosur.  Ende nuk është konfirmuar se kush qëndron pas sulmeve.

Bejrut - Një projektil goditi një tanker pranë bregut të Katarit, njoftoi herët në mëngjes Qendra e operacioneve tregtare detare e Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO). Autoriteti kumtoi se mori një raport për një incident 17 milje detare (31,5 kilometra) në veri të Dohas në orën 22:35 sipas Griniç. "Oficeri i sigurisë i kompanisë raportoi se tankeri u godit nga një projektil i panjohur në anën e majtë, duke shkaktuar dëme në trupin mbi vijën e ujit. Ekuipazhi raportohet se është i sigurt. Nuk ka ndikim në mjedisin jetësor", kumtoi UKMTO në paralajmërimin.  Më parë, një cisternë e madhe kuvajtiane me naftë u sulmua pranë bregut të Emirateve të Bashkuara Arabe në Gjirin Persik natën e kaluar. Ajo ishte shënjestër e një sulmi iranian ndërsa ishte e ankoruar në portin e Dubait.

Kuvajt - Rezervuarë për derivate në aeroportin ndërkombëtar në Kuvajt ishin objektiva të sulmeve me dronë, që shkaktoi zjarr në lokacionin, kumtuan autoritetet e aeroportit herët në mëngjes. Autoritetet njoftuan se Irani qëndron pas sulmit, duke shtuar se shërbimet për intervenime urgjente janë sistemuar në terren. Sipas informatave të para, granatimi ka shkaktuar vetëm dëm material dhe nuk ka raportime për viktima. Izraeli dhe SHBA-ja e sulmojnë Iranin nga 28 shkurti, me ç'rast Irani përgjigjet me sulme ndaj Izraelit dhe aleatët amerikanë në rajonin e Gjirit.

Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp, në një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë, tha se priste që SHBA-ja ta "përfundonin punën" në Iran "brenda ndoshta dy javësh, ndoshta disa ditë më gjatë".  Kur një gazetar e pyeti se kur SHBA-ja do t'i  “jap fund ose do ta përfundojnë luftën” në Iran, Tramp u përgjigj: “Mendoj se brenda dy ose tre javësh”, transmetoi DPA. "Do të largohemi sepse nuk ka asnjë arsye për ta bërë këtë", vazhdoi Trampi. Ai më vonë shpjegoi se, ndonëse ndryshimi i regjimit në Teheran "nuk ishte një nga gjërat që kisha si qëllim", ai prapë kishte një qëllim.

Остани поврзан