9:00/ 27 prill/ 2026
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov sot do ta vizitojnë objektin e Sallës universale, ku zyrtarisht do të paralajmërohet vazhdimi i aktiviteteve për rikonstruimin e saj. Në kuadër të vizitës, do të prezantohet projekti i rikonstruimit për këtë vend ikonik për banorët e Shkupit. Është planifikuar edhe një rrethojë e vendit të ndërtimit, ndërsa në orën 11:10 do të ketë deklaratë për mediat.
Shkup - Në Kuvend sot mbledhje do të mbajë Komisioni për politikë të jashtme dhe tregti të jashtme. Para anëtarëve të Komisionit është Raporti i ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski mbi realizimin e politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Shkup- Në hapësirat e Drejtorisë së ISHP Spitali i specializuar për mjekësi geriatrike dhe paliative "13 Nëntori" - Shkup, sot do të ndahet certifikata për akreditim pesëvjeçar nga ana e Agjencisë për cilësi dhe akreditim të institucioneve shëndetësore, informuan nga Geriatria. Nga institucioni theksuan se ai kryen veprimtari shëndetësore spitalore dhe veprimtari të specializuar - konsultante në nivel sekondar në sferën e mjekësisë geriatrike dhe paliative dhe është institucioni i vetëm shëndetësor për qëndrim afatgjatë në vendin tonë. "Ky është cikli i katërt me radhë i akreditimit për këtë institucion shëndetësor, pasi më parë janë zbatuar me sukses tre cikle akreditimi, të gjitha me vlefshmëri tre vite. Sipas vlerësimit të kryer të jashtëm, institucioni shëndetësor ka vendosur sistem funksional pune, të strukturuar dhe në një masë të konsiderueshme në përputhje me standardet për cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve shëndetësore", thonë nga institucioni.
Shkup - Enti Shtetëror për pronësi industriale sot organizon shënim solemn të Ditës botërore të pronësisë intelektuale së bashku me ngjarjen tradicionale "Patenta e vitit 2025". Ngjarja, siç bëhet e ditur ka për qëllim të afirmojë sistemin e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale nga grupe të shumta dhe të krijojë një lidhje më të fortë midis institucioneve arsimore, shkencore dhe kërkimore, kulturës dhe sektorit komercial. Ceremonia do të mbahet në hotelin Hilton, duke filluar nga ora 13:00, ndërsa do të marrin pjesë shpikës, përfaqësues të institucioneve akademike, përfaqësues të ekonomisë, avokatë dhe mysafirë të tjerë të shquar të përfshirë direkt dhe indirekt në aktivitetet e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë industriale.
Shkup - Në Kuvend sot mbledhje do të mbajnë Komisioni për çështje ekonomike, punë dhe politikë energjetike dhe Komisioni ligjvënës-juridik, ku në rend të ditës janë disa propozim-ligje, mes të cilave edhe ndryshimet e ligjeve për deputetë dhe lëndë të para minerale.
Shkup - Komisioni për mundësi të barabarta për gratë dhe burrat sot do të mbajë vazhdimin e parë të debatit mbikëqyrës me temën "Zbatimi i ligjeve, politikave dhe masave institucionale për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, nga aspekti i mundësive të barabarta, koordinimit institucional, sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e efikasitetit të veprimeve të organeve të pushtetit ekzekutiv". Siç paralajmërojnë nga Pres shërbimi i Kuvendit, në debatin mbikëqyrës fjalime do kenë, Pançe Toshkovski ministër i Punëve të Brendshme, Nenad Saveski prokuror publik republikan, Daniella Dimovska nga Gjykata Themelore Shkupi 1, Besnik Avdija nga Gjykata Themelore Shkupi 2, Irena Aleksioska Papestiev drejtoreshë e Klinikës universitare për gjinekologji dhe obstetrikë dhe Tona Kareva Taleska nga Komiteti i Helsinkit.
Shkup - Një grant në vlerë prej 500 mijë euro për realizimin e projektit "Trajnim i mençur në përpunimin e produkteve të qumështit dhe mishit" në Fakultetin e Bujqësisë pranë Universitetit "Goce Dellçev" në Shtip dhe në Shkollën e Mesme Komunale "Koço Racin" nga Sveti Nikolla, së bashku me gjashtë ndërmarrje, do të ndahet sot në kuadër të ngjarjes së katërt kombëtare për ndarjen e granteve në Maqedoni nga ana e Fondi i Sfidave Rajonale (FSR) i cili është organizuar në bashkëpunim me Odën Ekonomike, si pjesë e aktiviteteve në kuadër të konkurrueshmërisë së qëndrueshme të bizneseve nga Ballkani Perëndimor në rrugën drejt tregut të vetëm të BE-së.
Shkup – Konferencë për media sot në orën 12:00 para Prokurorisë Themelore Publike do të mbajë Jane Çento, në të cilën, siç paralajmëroi do të ndahen informacione për parashtrimin e padisë penale kundër ish prokurores publike dhe do të prezantohen detaje dhe argumente në lidhje me procedurën për ngjarjet nga 27 prilli. “Është koha për drejtësi dhe të vërtetën e vërtetë për 27 prillin. Ju ftojmë të merrni pjesë në konferencën për media që do të mbahet më 27 prill 2026 në orën 12:00 para Prokurorisë Themelore Publike. Në konferencën për media do të ndahen informacione rreth ngritjes së kallëzimit penal kundër një ish-prokurori publik me inicialet V.R. dhe do të paraqiten detaje dhe argumente që lidhen me procedurën”, thuhet në njoftim.
Shkup - Në poligonin ushtarak "Krivollak" sot do të realizohet Dita për mysafirët e lartë në kuadër të stërvitjes "Shkëlqimi 26". Është paralajmëruar prania e presidentes së shtetit dhe Komandantit suprem të Forcave të armatosura, Gordana Siljanovska-Davkova, ministrit të Mbrojtjes, Vllado Misajllovski dhe Shefit të Shtabit të përgjithshëm të armatës, gjeneral majori Sashko Lafçiski. Është paraparë edhe prania e një përfaqësuesi nga Komanda e forcave të përbashkëta të NATO-s në Napoli. Në kuadër të Ditës për mysafirët e lartë do të realizohet stërvitje taktike "Prezantimi i një Grupi të batalionit të këmbësorisë së lehtë (LPBG) në operacione ofensive.
Shkup - Moti sot do të jetë me diell me vranësira lokale të lehta deri në mesatare, ndërsa pasdite në rajonet ekstreme jugperëndimore do të ketë kushte për shi të lehtë dhe bubullima të rralla. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 2 deri në 12 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë 20 deri në 25 gradë Celsius. Në Shkup, moti do të jetë me diell me vranësira të vogla dhe erë e dobët deri në mesatare. Temperatura minimale do të bie në 7, ndërsa ajo maksimale do të arrijë 25 gradë Celsius.
Prilep - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski do të qëndrojë sot për vizitë pune në komunën e Prilepit. Siç bën të ditur Ministria e Transportit, Nikolloski së bashku me kryetarin e komunës së Prilepit, Dejan Prodanoski do të inspektojnë rikonstruimin e rrugës "Kej 1 Maj". Deklarata për mediat janë paraparë në orën 11:30.
Prishtinë - Afati që Gjykata kushtetuese në Prishtinë ia caktoi Kuvendit për zgjedhje të presidentit të shtetit, skadon nesër dhe në këtë moment nuk ka marrëveshje mes partive për këtë çështje. Sipas vendimit të Gjykatës kushtetuese, nëse presidenti i Kosovës nuk zgjedhet deri më 28 prill, kuvendi automatikisht do të shpërndahet, ndërsa zgjedhje të parakohshme duhet të mbahen në afat prej 45 ditëve. Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka më së shumti deputetë në Kuvend, por pamjaftueshëm që vet të zgjedh president, të shtunën u ofroi dy partive më të mëdha opozitare - Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës - të nominojnë tre kandidatë jopartiakë për president. Propozimi megjithatë nuk i afroi qëndrimet e Qeverisë dhe opozitës. Partia Demokratike e Kosovës, partia e dytë sipas deputetëve, e ka hedhur posht ofertën. Lideri i partisë, Bedri Hamza vlerësoi se ky është "manovër" i Vetëvendosjes dhe përsëriti se për PDK-në çështja për zgjedhje të presidentit "është e mbyllur"
Kiev - Trembëdhjetë persona janë lënduar në sulmet intensive me dron, të kryera mbrëmë ndaj qytetit ukrainas, Odesa, kumtoi shefi i administratës ushtarake të qytetit, Sergej Lisak, në profilin e tij në "Telegram". "Forcat ruse kanë kryer sulm masiv ndaj Odesës me dronë. Janë qëlluar ndërtesa banesore dhe objekte civile në pjesë të ndryshme të qytetit. Është shkaktuar dëm në blloqe banesore, hotel dhe automjete", informoi Lisak. Të gjitha shërbimet dhe ekipet mjekësore janë në terren dhe punojnë në sanimin e pasojave nga sulmet. Janë formuar edhe shtabe operative për ndihmë të lënduarve.
Shkup - Në poligonin ushtarak "Krivollak" sot do të realizohet Dita për mysafirët e lartë në kuadër të stërvitjes "Shkëlqimi 26". Është paralajmëruar prania e presidentes së shtetit dhe Komandantit suprem të Forcave të armatosura, Gordana Siljanovska-Davkova, ministrit të Mbrojtjes, Vllado Misajllovski dhe Shefit të Shtabit të përgjithshëm të armatës, gjeneral majori Sashko Lafçiski. Është paraparë edhe prania e një përfaqësuesi nga Komanda e forcave të përbashkëta të NATO-s në Napoli. Në kuadër të Ditës për mysafirët e lartë do të realizohet stërvitje taktike "Prezantimi i një Grupi të batalionit të këmbësorisë së lehtë (LPBG) në operacione ofensive.
Los Anxheles - Tre persona janë vrarë në një sulm ushtarak amerikan ndaj një objekti lundrues të dyshuar për transportimin e drogës në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor. Fushata e administratës së Donald Trampit për të shkatërruar objekte të dyshuara për trafik droge në ujërat e Amerikës së Jugut filloi në shtator të vitit të kaluar deri më tani, sipas informacioneve janë marrë të paktën 186 jetë. Sulme të ngjashme janë kryer edhe në Detin e Karaibeve. Komanda Jugore e forcave ushtarake të SHBA-së njoftoi për sulmin e fundit, por nuk paraqiti prova se ndonjë nga objektet e sulmuara po transportonte në të vërtetë drogë.