• сабота, 24 јануари 2026

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/22 janar/2026

Shkup - Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, realizoi një takim me Ambasadorin e Konfederatës së Zvicrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kristof Zomer, gjatë të cilit u shkëmbyen mendime mbi bashkëpunimin dypalësh aktual dhe të ardhshëm në fushën e mjedisit jetësor. "Ministri Hoxha shprehu mirënjohje të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të rëndësishme që Zvicra i ofron vendit për më shumë se tri dekada, duke theksuar se ajo është një nga donatorët bilateralë më të mëdhenj dhe një partner kyç në proceset reformuese, veçanërisht në sektorët e ujërave, menaxhimit të mbetjeve, natyrës dhe qëndrueshmërisë klimatike. U shqyrtuan projektet në vijim të mbështetura nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO), përfshirë projektet për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta, menaxhimin e ujërave nëntokësore, mbrojtjen e biodiversitetit dhe ekosistemeve, si dhe forcimin e qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të ndërmarrjeve komunale", kumtoi MMJPH.

 Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, nesër, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan, do të marrë pjesë në takimin e dytë ministror të Platformës Ballkanike të Paqes, që do të mbahet në Stamboll. Në takim është paraparë të marrin pjesë ministrat e punëve të jashtme nga vendet e Ballkanit Perëndimor, bënë të ditur pasdite nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. "Platforma Ballkanike për Paqe është një iniciativë e paraqitur nga ministri Fidan në vitin 2025 me qëllim që të kontribuojë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin rajonal përmes një qasje të përbashkët për gjetjen e zgjidhjeve rajonale për çështjet rajonale. Takimi i parë ministror në kuadër të kësaj iniciative u mbajt në korrik të vitit të kaluar, gjithashtu në Stamboll"  shtuan nga Ministria.

Shkup - Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, zhvilloi një takim pune me drejtorin e Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shkup, z. Fatih Türkmenoğlu, ku u shqyrtuan projektet aktuale dhe të ardhshme në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe infrastrukturës ujore. Në takim u vu theksi te Projekti Rajonal për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta, i cili realizohet me mbështetje financiare nga BERZH, si dhe te projekti për ndërtimin e Stacionit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura për qytetin e Shkupit, një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës mjedisore në vend. Ministri Hoxha theksoi rëndësinë e partneritetit me BERZH-in, duke vlerësuar se mbështetja e Bankës ka një rol kyç në vendosjen e sistemeve rajonale për menaxhimin e mbetjeve, përmirësimin e cilësisë së mjedisit jetësor dhe harmonizimin me standardet evropiane.

Shkup - Ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Ljutkov, i cili e udhëheq delegacionin e Maqedonisë për vizitë pune në Mbretërinë Spanjolle, sot në Madrid mori pjesë në hapjen solemne të Panairit të 46-të ndërkombëtar të turizmit "FITUR 2026". Në panairin "FITUR 2026" në Madrid, Maqedonia mori pjesë me tendë kombëtare, me të cilën nga data 21 deri më 25 janar u promovua si destinacion turistik autentik, me theks të veçantë të turizmit kulturor, turizmit enogastro dhe format e qëndrueshme të turizmit. "Panairin, i cili do të zgjasë deri më 25 janar, e hapën mbreti spanjoll Felipe VI dhe mbretëresha Leticia. Në hapje morën pjesë edhe koordinatori për turizëm në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, Akan Mahmut, dhe ambasadori i Maqedonisë në Mbretërinë Spanjolle, Edmond Ademi. Në këtë platformë turistike globale më me ndikim që i lidh tregjet dhe destinacionet, me fokus të fortë të qëndrueshmërisë, inovacionit dhe digjitalizimit, këtë vit marrin pjesë mbi 9500 kompani nga 156 vende, me 155 000 profesionistë të akredituar dhe rreth 100 000 vizitorë nga opinioni më i gjerë, që e konfirmon rolin udhëheqës të këtij panairi për sektorin turistik global", kumtoi Ministria e Kulturës dhe Turizmit.

Shkup - Kryeshefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral-majori Sashko Lafçiski dje dhe sot merr pjesë në takimin e rregullt të Komitetit Uhstarakt  të NATO-s në formatin e kryeshefave të shtatmadhorive nga vendet anëtare të NATO-s dhe partnerëve. Në takimin, me të cilin kryeson kryetari i Komitetit ushtarak të NATO-s, admirali Xhuzepe Kavo Dragone, gjatë ditës së djeshme fjalim pati sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, i cili në fillim dërgoi falënderim te pjesëmarrësit e takimit për mbështetjen e vazhdueshme dhe lidershipin e plotë në forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes së aleatëve. Me këtë rast, Rute theksoi progresin e bërë që nga Samiti i Hagës, me fokus në rritjen e investimeve në mbrojtje, rritjen e prodhimit ushtarak dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën. Në fund, sekretari i përgjithshëm tha: "Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë në të gjithë botën, sepse siguria është një përpjekje e përbashkët."

 Shkup - Shëndeti publik para interesit komercial - ndalim për reklamimin dhe promovimin e produkteve të duhanit, theksohet në komunikatën e sotme të Ministrisë së Shëndetësisë.  Projektligji i ri për mbrojtjen nga duhani, siç theksohet në komunikatë, parashikon ndalim të plotë të reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit nga industria e duhanit. Këto dispozita ligjore vlejnë për publikimet në media, në internet dhe rrjete sociale, si dhe për ngjarje, lojëra shpërblyese, zbritje dhe dhurata. "Qasja e lehtë dhe ekspozimi i produkteve rrisin numrin e përdoruesve të rinj, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë. Largimi i ekspozimit konsiderohet një nga masat më efektive për parandalim. Mbrojtja e fëmijëve është prioritet absolut", vlerëson ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu në deklaratë me shkrim. 

Shkup  - Kryetari i LSDM-së, Venko FIlipçe, sot në konferencë për shtyp kumtoi një pjesë të, siç i quajti, mijëra titujve toksik, që sipas tij paraqesin fushatë të organizuar për linçim personal dhe politik, me qëllim që opinioni të defokusohet nga skandalet korruptuese të pushtetit aktual. Filipçe theksoi se sulmet ndaj tij dhe partisë janë prëforcuar paralelisht me zbardhjen e shumë skandaleve, mes të cilave emigrantë për para, tenderë kontestues dhe keqpërdorime në institucione. "Shikoni, kështu duket përdithsmëria e LSDM-së dhe e imja personale. Kështu zgjohemi, kështu flejmë, kështu funksionojmë. Me këtë luftojmë çdo ditë - të pavërteta, gënjeshtra, ofendime, ngacmime, linçime. Në këtë janë investuar miliona euro. Ky është zbulimi i tyre", tha Filipçe para se ta prezantonte galerinë me publikimet mediale.

Shkup  - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe tha se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga detyra, sepse, siç thekson, qëllimi i tij kryesor është të vazhdojë luftën për "shërimin e shoqërisë, zhdukjen e korrupsionit dhe kthimin e vendit në rrugën evropiane". Në konferencën për shtyp, Filipçe theksoi se kritikat aktuale ndaj tij dhe partisë vijnë nga, siç tha ai, "individë që shantazhohen ose blihen", duke shtuar se anëtarët dhe mbështetësit e vërtetë të LSDM-së i njohin këto përpjekje për ta dobësuar opozitën. "Unë besoj në atë që bëj. Jam një person që punon me saktësi dhe kam llogaritur mirë para se ta filloj këtë. Dua që kjo shoqëri të shërohet, të pastrohet nga korrupsioni, të bëhen reformat dhe të hyjmë në Bashkimin Evropian. Ky është qëllimi im strategjik", deklaroi Filipçe.

Shkup  - Një banor i Idrizovës, i akuzuar se m kërcënime ka kërkuar para nga ish-partneri i vajzës së tij, është privuar nga liria. Nga Ministria e Punëve të Brendshme kumtuan se mbrëmë në orën 20, në rajonin e Kisella Vodës, nëpunës policorë nga Njësia për krim të dhunshëm - Departamenti për krim të dhunshëm pranë SPB Shkup, e privuan nga liria personin e moshës 57-vjeçare. "Sipas denoncimit, ai më parë e ka kërcënuar një 26-vjeçar nga rrethina e Shkupit, ish-partner i vajzës së tij, duke kërkuar që t'i kthente një shumë parash që gjoja ia kishte dhënë për qira, për riparime të automobilit dhe për shpenzime të tjera ndërsa që të tre jetonin së bashku në një banesë me qira në lagjen e Karposhit", sqaruan nga MPB.

Shkup - Drejtori i Drejtorisë për Zona Teknologjike të Zhvillimit Industrial (ZTZHI) Goce Dimovski, sot zhvilloi takim me Kuresh Mukadam, pronar i kompanisë për prodhimin e sistemeve të cilësisë së lartë për ngrohjen e ujit "Zenith Water Heater", në të cilën u bisedua për aktivitetet rrjedhëse të kompanisë dhe mundësitë për investime të reja në kuadër të zonave, njoftojnë nga ZTZHI.

Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot në Davos, në emër të Republikës së Kosovës, ka nënshkruar Kartën e Bordit të paqes si anëtare themeluese e barabartë dhe me të drejta të plota, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). “Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt! Sot, në Davos, në emër të Republikës së Kosovës, kam nënshkruar Kartën e Bordit të paqes si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit. Faleminderit presidentit Tramp për lidershipin e tij dhe për ftesën që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë moment historik. Kosova do të jetë në shërbim te paqes, sot e përherë!”, ka shkruar Osmani.

Beograd  - Përfaqësuesi i presidentit amerikan, Donalld Tramp për misione speciale, Riçard Grenell, i bëri thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ta ndjekë rrugën amerikane, dhe jo atë evropiane. "Evropa është në probleme - ekonomitë tuaja po i ngulfatë Brukseli. Inovacioni është pothuajse i vdekur. Kompanitë nuk po rriten në Evropë. Vuçiqi duhet ta ndjekë rrugën e SHBA-së, dhe jo atë evropiane", shkroi Riçard Grenell në X. Grenell reagoi ndaj deklaratës së eurokomisares për zgjerim, Marta Kos, e cila kumtoi se në Davos ka biseduar me Vuçiqin për reformat që i nevojiten Serbisë për të qëndruar fuqishëm në rrugën evropiane dhe të përparojë me Planin për rritje.

Romë - Stuhia dimërore shkaktoi dëme të mëdha në bregun italian dhe ishujt e Mesdheut, ndërsa autoritetet sot vlerësuan se vetëm në Sicili dëmet arrijnë 740 milionë euro. Valë të mëdha, goditje të fuqishme të erës dhe shi i rrëmbyeshëm shkaktuan dëme edhe në Sardinia, ndërsa në pjesën tokësore të vendit më rëndë është goditur rajoni i Kalabrisë në jug.

Davos  - Presidenti amerikan, Donalld Tramp sot deklaroi se administrata e tij ka negociuar për marrëveshje që do t'i mundësojë SHBA-së "qasje të plotë" drejt Grenlandës, që, siç tha, është kyçe për sigurinë kombëtare. "Gjithçka vjen përmes Grenlandës. Nëse djemtë e këqinj fillojnë të qëllojnë, kjo vjen përmes Grenlandës. Kjo është mjaft e paçmuar. Kjo është e pabesueshme. E dini (ish-presidenti amerikan) Ronald Regan e kishte atë ide që moti, por nëa të kohë nuk kishim fare teknologji. Koncepti ishte i shkëlqyeshëm, por nuk kishte teknologji. Tani kemi teknologji të pabesueshme", tha Tramp. Ai sqaroi se SHBA-ja dhe NATO-ja arritën "kornizë për marrëveshje të ardhshme" për qasje të SHBA-së drejt këtij territori.

Davos - Presidenti amerikan, Donald Tramp deklaroi sot se biseda e tij me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski ka qenë shumë e mirë, se është një proces i vazhdueshëm dhe se të gjithë duan që lufta të mbarojë. I pyetur nga gazetarët pas takimit në Davos nëse ekziston mundësia që sot të arrihet marrëveshje, Trampi tha se do të shohim se çfarë do të ndodhë, transmeton "Skaj njuz". "Po takohemi me Rusinë, kjo do të ndodhë nesër dhe do të takohemi edhe me presidentin Putin. Pata një takim shumë të mirë me presidentin Zelenski, të gjithë duan që lufta të përfundojë", tha ai, transmeton Si-En-En.

 Davos - Guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Njusom, sot në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, dënoi administratën e presidentit Tramp për shkatërrimin e aleancave të formuara në fund të Luftës së Dytë Botërore. "Nuk është e lehtë të shkatërrohet më shumë se 80 vjet aleancë. Nevojiten dekada e dekada për të ndërtuar besimin, organizatat dhe arkitekturën mbi të cilën mbështetet gjithçka. Ndonjëherë duhen vetëm disa javë, një një tuit, orë ose minuta që të shkatërrohet", tha guvernatori i Kalifornisë.  "Shkatërrimi nuk është forcë. Administrata e Trampit është dobësi e maskuar si forcë", theksoi politikani demokrat që mund të jetë kandidat për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2028.

Davos - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski kritikoi liderët evropian, për siç tha, shtyrjen e veprimeve konkrete dhe bëri thirrje në formimin e "forcave të armatosura të bashkuara evropiane" të cilat "me të vërtetë mund ta mbrojnë Evropën sot". "Veprimi përcakton se ç'farë të ardhme do të kemi sot", tha Zelenski në fjalimin e tij të sotëm në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Madrid  – Një tren udhëtarësh është përplasur me një vinç ndërtimi në Spanjën juglindore, për çka nuk është konstatuar numri i të lënduarve, bënë të ditur shërbimet rajonale të emergjencës. “Treni nuk u përmbys dhe as nuk doli nga shinat”, tha një zëdhënës i shërbimeve të emergjencës në rajonin juglindor të Mursias. Aksidenti ndodhi pranë Kartagjenës në Mursia. Të paktën 43 persona u vranë në një aksident vdekjeprurës me tren në rajonin jugor të Andaluzisë të dielën.

 

Остани поврзан