• четврток, 25 јули 2024

MIA FLESH

MIA FLESH

12:00 / 30 maj / 2024

Shkup - Në Gjykatën Kushtetuse sot me fillim në orën 10 do të mbahet seancë për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës, i cili do të vijë në vendin e kryetares së deritanishme, Dobrilla Kacarska, të cilës mandati i skadon më 2 qershor. Sipas Rregullores së Kushtetueses, Gjykata Kushtetuese në seancë zgjedh kryetarin e Gjykatës nga radhët e gjykatësve me shumicë prej dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të gjykatësve, me votim të fshehtë.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, do të udhëtojë për në Pragë, ku do të marrë pjesë në Takimin Joformal të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s. Siç kumtuan nga MPJ-ja, Bisedimet do të fokusohen në sfidat aktuale të sigurisë, mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën, si dhe forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes së Aleancës.

Shkup - Rregullorja ligjore nuk krijon kushte, ndërsa aktivitetet e institucioneve kompetente nuk sigurojnë menaxhim efikas edhe ekonomizim me pronën e paluajtshme shtetërore - pronë banesore dhe afariste, kumtoi sot Enti shtetëtor i revizionit (ESHV), i cili kreu revizion të suksesshmërisë me temë "Menaxhimi me pronën shtetërore" me qëllim që t'i përgjigjet pyetjes "A menaxhojnë dhe ekonomizojnë në mënyrë efikase institucionet kompetente me pronën e paluajtshme shtetëtore - objekte banesore dhe afariste të shtetit?".

Shkup - Pothuaj 15 mijë nxënës që e përfundojnë arsimin e mesëm, këtë të shtunë do ta japin provimin e parë prej gjithsej dy eksternë të maturës shtetërore - gjuhë amtare dhe letërsi. Risi në këtë vit shkollor është ajo se në vend në klasa, testet do të jepen në hapësira të mëdha në shkolla - korridore, sallat sportive shkollore ose në hapësirë tjetër të madhe shkollore, ku ka kushte për dhënien e provimeve. Sipas të dhënave të Qendrës shtetërore për provime (QSHP), organizatore e dhënies së maturës shtetërore, për sesionin e qershorit janë paraqitur 10.088 kandidatë për provim për gjuhën maqedonase dhe letërsi, 4.189 për gjuhën shqipe dehe letërsi dhe 315 kandidatë për gjuhën turke dhe letërsi.

Shkup - Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Shkup njofton  për mundësinë e marrjes së "Bursës Ndërkombëtare Parlamentare" (IPS) nga Bundestagu Gjerman për vitin 2025. "Të rinj të diplomuar të cilët janë të angazhuar, të hapur, me interes për politikën dhe me vullnet për të marrë pjesë aktive dhe me përgjegjësi në të ardhmen demokratike të vendit të tyre, marrin mundësinë në Bundestagun gjerman të njohin sistemin parlamentar gjerman përmes teorisë dhe praktikës. Programi 2025 zgjat nga 1 mars 2025 deri më 31 korrik 2025. Ndër të tjera, parakusht për përzgjedhje është njohja e shkëlqyer e gjuhës gjermane dhe politikës, shoqërisë dhe historisë", njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Shkup - Për shkak të kryerjes së aktiviteteve ndërtimore, prej nesër përkohësisht do të ndryshojë regjimi i komunikacionit në autostradën A1, segmenti Petrovec - Katllanovë. "Ndryshimi i regjimit të komunikacionit do të fillojë të zbatohet nga e premtja, 31.05.2024, ndërsa lidhur me projektin për kryerjen e punëve të rehabilitimit me zgjerimin e segmentit të autostradës", njoftojnë nga LAMM.

Shkup - Temperatura më e ulët mëngjesit e sotëm prej 4 gradë Celsius është matur në Llazaropole. Pastaj vijon Berova me 5 gradë, 6 në Kodrën e Diellit, 7 në Hanet e Mavrovës, 9 në Kriva Pallankë, Ohër, Manastir dhe Krushevë, 10 në Shkup-Petrovec, Demir Kapi, Tetovë, Prilep, Shtip dhe në Strumicë, 11 në Vinicë, Kumanovë, Veles dhe 12 gradë në Shkup afër Zajçev Rid, Dojran, Gjevgjeli dhe në Kavadar.

Shkup - Për shkak të një defekti të F-1 në rrugën "Dizhoni" 36, ndërprerje në furnizimim me ujë kanë shfrytëzuesit e rrugës "Dizhoni", "Krimska" dhe "7 Korriku", duke përfshirë edhe Spitalin Gjinekologjik-Obstetrik "Çair". NP Ujësjellësi dhe kanalizimi - Shkup informon se furnizimi me ujë është ndërprerë prej orës 9:00 deri në përfundimin e sanimit të defektit

Prishtinë - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e përvjetorit të sulmeve ndaj ushtarëve të NATO-s në veri të Kosovës me 29 maj vitin e kaluar, shkruan se autorët e atyre veprave kriminale janë ende duke ecur lirshëm nëpër Serbi", njofton korrespodenti i MIA-s nga Prishtina. Në publikimin e sotëm në platformën "X", Osmani theksoi se autorët e "grupeve të krimit të organizuar serb" vepronin nën urdhrat dhe janë nën mbrojtjen e “regjimit të (presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Prishtinë - Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla deklaroi se Rusia mund të ndezë tensionet në Ballkan dhe të krijoj një luftë të re në mënyrë që Perëndimi të mos fokusohet në Ukrainë, shkruan gazeta "Koha ditore", duke cituar intervistën e djeshme për NatSecDiy.

Prishtinë - Ka dështuar nisma e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ta shpërndarë Kuvendin dhe për ta dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme, më së largu në fillim të korrikut, sepse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk e mbështetën atë nismë, deklaroi lideri i PDK-së, Memli Krasniqi.

Tiranë - Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama paralajmëroi se nga qershori do të hyjë në fuqi rritja e re e pagave për administratën dhe paga mesatare në sektorin publik do të jetë 900 euro. Rama këtë e deklaroi në prezantimin e djeshëm në Tiranë të Planit për motivim të administratës publike, i cili është pjesë e objektivit strategjik kombëtar për integrimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030 dhe rritjen cilësore të kapaciteteve të shtetit në shërbim të qytetarëve shqiptare.

Beograd - Heshtja parazgjedhore para zgjedhjeve lokale në Serbi fillon në mesnatë dhe do të zgjasë deri në mbylljen e vendvotimeve më 2 qershor në orën 20.  Në atë periudhë, në media dhe tubime publike u ndalohet të prezantojnë kandidatë dhe programe partiake, tu bëjnë thirrje votuesve të votojnë dhe të publikojnë vlerësime për rezultatet zgjedhore. 

Berlin - Qeveria gjermane ka kumtuar se Ukraina i ka plotësuar kushtet për reforma të nevojshme për fillimin e negociatave për inkuadrim në Bashkimin Evropian, transmeton DPA. "Sipas qeverisë gjermane, Ukraina i plotëson të gjitha kushtet që të mund të fillojë negociatat për hyrje në BE në qershor. Për këtë arsye kërkojmë që të gjitha shtetet anëtare të arrijnë shpejt një marrëveshje për kornizën negociuese", tha për DPA ministrja gjermane e shtetit për çështje evropiane, Ana Lirman.

Moskë - Kina mund të organizojë një konferencë paqesore, në të cilën do të marrin pjesë Rusia dhe Ukraina, deklaroi sot ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov. Ai tha se një veprim i tillë do të ishte "vazhdim i përpjekjeve të Pekinit për të zgjidhur krizën ukrainase".

Pekin - Presidenti i Egjiptit, Abdel Fatah el Sisi i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kujdeset që palestinezët të mos zhvendosen me forcë nga Rripi i Gazës, i shkatërruar nga lufta. "I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që menjëherë të ofrojë ndihmë afatgjate humanitare për Rripin e Gazës, t'i jap fund rrethimit izraelit dhe të ndalojë çdo përpjekje për të detyruar palestinezët të largohen nga vendi i tyre me forcë", theksoi El Sisi në Forumin arab për bashkëpunim me Pekinin.

Hong-Kong - Gjykata e Hong Kongut sot shpalli 14 aktivistë prodemokratikë fajtorë për përmbysjen e shtetit në shkallën e parë, në çështjen më të madhe gjyqësore, pasi Pekini zyrtar e imponoi ligjin për siguri në vitin 2020.

 

Остани поврзан