9:00/ 12 dhjetor/ 2025
Shkup - Në Ohër sot do të hapet Konferenca e Këshillit të ministrave të kulturës nga EJL fuqizim i kulturës në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm. Në hapjen e konferencës është paralajmëruar fjalim hyrës i ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov. Fjalime të tyre do të kenë edhe drejtoresha e Byrosë Rajonale të UNESKO-s për Shkencë dhe Kulturë në Evropë, me seli në Venecia, Magdalena Landri, ministra të Kulturës, zëvendësministra dhe përfaqësues të vendeve të EJL-së. Në konferencë pritet të miratohet Deklarata e Ohrit “Modele të qëndrueshme kulturore për të ardhmen”.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot do të marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të sallës sportive shkollore në vendbanimin Koleshinë, në Komunën Novo Sellë. Shërbimi qeveritar për informim paralajmëroi se në ngjarje është paraparë deklaratë për mediat.
Shkup – Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit sot do të përcillet udhëtari i tre miliontë i këtij viti. “Udhëtari fatlum do të jetë nga fluturimi Shkup – Bari”, paralajmëroi TAV Maqedonia, operator i aeroporteve në shtet. Me rastin e përcjelljes së udhëtarit të tre miliontë, konferencë për media do të mbajnë Aleksandar Nikolloski, zëvendëskryetar i Qeverisë dhe Nexhat Kurt, drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedonia.
Shkup - Fondi për Sigurim Shëndetësor (FSSH) sot do të informojë për Raportin mbi monitorimin e institucioneve shtetërore për vitin 2025, të përgatitur nga Agjencia për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik. Siç bëhet e ditur, drejtori i përgjithshëm i FSSH-së, Sasho Klekovski do të informojë edhe për kontrollet e realizuara në funksionimin dhe menaxhimin financiar në institucionet shëndetësore publike.
Shkup - Një pjesë e rrugëve "Natanail Kuçevishki", "Kraishka" dhe "Ho Shi Min" në komunën e Butelit sot prej orës 10:30 do të jetë pa ujë. Siç njoftuan nga NP "Ujësjellësi dhe kanalizimi" Shkup, ndërprerja e furnizimit me ujë është për shkak të ndërrimit të valvulës në rrugën "Natanail Kuçevishki" pn, kopshti "11 Tetori" dhe do të zgjat deri në përfundimin e intervenimit.
Shkup– Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë kryesisht të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar, njoftoi Lidhja Automote e Maqedonisë. Në vendkalimet e tjera kufitare në anën e Maqedonisë, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi. Qendra Informative – Dispeçere e NP Rrugët e Maqedonisë informon se në Demir Kapi është ulur dukshmëria deri 50 metra për shkak të mjegullës. Në disa akse rrugore të cilat kalojnë në gryka dhe lugina ka mundësi për paraqitje të rrëshqitjeve të vogla të dheut të cilat pastrohen rregullisht.
Shkup– Moti sot do të jetë me diell dhe relativisht i ngrohtë me vranësira të vogla deri mesatare të mëngjesit. Në orët e mëngjesit në disa vende do të ketë paraqitje të mjegullës dhe vranësira të rritura të cilat gjatë ditës do të ulen. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare, ndërsa përgjatë Vardarit erë e fuqishme e kohëpaskohshme nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej -3 deri 4, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 10 deri 15 gradë. Në Shkup, paradite në disa pjesë të luginës do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës së dobët. Gjatë ditës moti do të jetë me diell me vranësira të vogla deri mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior.
Bruksel- Pothuaj tre të katërtat nga qytetarët e BE-së vlerësojnë se vendi i tyre ka pasur dobi nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, e në të njëjtën kohë përkrahja për euron dhe për mbrojtjen dhe sigurinë e përbashkët evropiane është në nivelet më të larta deri tani, tregojnë rezultatet nga hulumtimi më i ri i Eurobarometrit "Vjeshta 2025". Sipas këtyre rezultateve, 74 për qind nga evropianët kanë deklaruar se vendi i tyre ka pasur dobi nga anëtarësimi në BE, 21 për qind janë të qëndrimit se nuk kanë pasur dobi, ndërsa pesë për qind nuk kanë mendim. Nga ana tjetër, besim në BE kanë vetëm 48 për qind nga të anketuarit, 45 për qind nuk i besojnë, ndërsa shtatë për qind nuk janë prononcuar.
Moskë - Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin dhe Shefi i Shtatmadhorisë, Valerij Gerasimov njoftuan dje marrjen e qytetit Seversk në Ukrainën lindore, duke hapur kësisoj rrugën për ofensivë të mëtejshme, informon DPA. "Kjo do të thotë se janë të mundshme sulme të tjera të suksesshme në drejtime tjera në Donbasin lindor", ka thënë Putini gjatë takimit të transmetuar në televizionin shtetëror dhe nëpërmjet video -lidhjes. Pala ukrainase fillimisht nuk ka komentuar dorëzimin e supozuar të qytetit. Armata ruse tha se qëllimi i saj i ardhshëm është marrja e qytetit Slavjansk që ishte shtëpia e më shumë se 100.000 njerëzve para se të fillonte lufta në vitin 2022.
Ashhabat - Presidenti rus, Vlladimir Putin, arriti në kryeqytetin e Turkmenistanit për vizitë dy ditore. Përveç pjesëmarrjes në ngjarjet e forumit në nder të vitit Ndërkombëtar të paqes dhe besimit, i cili festohet nga OKB-ja, Putin ka planifikuar një numër takimesh dypalëshe. Kremlini ka konfirmuar tashmë bisedimet me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, ndërsa ambasada iraniane njoftoi për planet e presidentit të atij vendi, Masud Pezeshkian, për t'u takuar me liderin rus.
Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi se SHBA-ja do të dërgojnë një përfaqësues për të marrë pjesë në bisedimet në Evropë për Ukrainën gjatë fundjavës, nëse ka shanse të mira për përparim në një marrëveshje për armëpushim. "Do të shohim nëse do të jemi atje", deklaroi Trampi para gazetarëve në dhomën Ovale. "Do të marrim pjesë në takimin e së shtunës në Evropë nëse mendojmë se ka një shans të mirë. Dhe nuk duam të humbasim shumë kohë nëse mendojmë se shanset janë të vogla", theksoi Trampi.
Tokio - Tërmet me magnitudë 6,7 ballë goditi pjesën verilindore të Japonisë sot, shkaktoi paralajmërim për cunami nga agjencia meteorologjike japoneze. Epiqendra e tërmetit ishte në thellësi prej 20 kilometra. Tërmeti u regjistrua në orën 11:44 sipas kohës lokale, disa ditë pasi një tërmet më i fuqishëm me magnitudë prej 7,5 ballë goditi të njejtin rajon. Agjencia meteorologjike japoneze shpalli paralajmërim për cunami në lartësi prej një metër.
Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për inteligjencën artificiale me të cilën do të bëjë përpjekje të parandalojë që numri në rritje i ligjeve shtetërore që rregullojnë teknologjinë të vendosë një standard kombëtar. "Duam të kemi një burim qendror miratimi", u tha Trampi gazetarëve, i rrethuar nga këshilltarët e tij, duke përfshirë dhe sekretarin e Financave, Skot Besant. Urdhri ekzekutiv do t'i japë administratës së Trampit mjetet për të shfuqizuar rregulloret shtetërore "më të rënda", tha këshilltari i inteligjencës artificiale në Shtëpinë e Bardhë, Dejvid Saks. Administrata nuk do të kundërshtojë rregullat që rregullojnë inteligjencën artificiale dhe sigurinë e fëmijëve", shtoi ai.
Shkup – Fitorja e dytë në Ligën e konferencës për Shkëndijën, nënkupton një hap drejt fazës eliminatore. Skuadra nga Tetova mbrëmë mposhti kampionin e Sllovakisë, Slovan Bratisllava me rezultat 2:0. "Lojtarët i përfunduan gjitha detyrat e caktuara. Kjo ishte një paraqitje e mirë si ekip, por do të isha edhe më i kënaqur nëse do të kishim shënuar edhe ndonjë gol. Ende nuk kemi siguruar një vend dhe kemi edhe një ndeshje për të luajtur. Pres që në Larnaka lojtarët të japin maksimumin", deklaroi trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri në konferencën për shtyp. Shkëndija, pas pesë xhirove të luajtura është në vendin e 21-të me shtatë pikë, ndërsa 24 ekipet e para vazhdojnë ndeshjet e tyre në fazën tjetër.