• сабота, 16 мај 2026
MIA Flesh

15:00 / 8 maj / 2026 

Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mori pjesë në Konferencën rajonale ministrore për përballje me ndryshimet demografike dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë organizuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me UNFPA. Në ditën e dytë të punimeve të konferencës, Gashi mbajti fjalim ku e theksoi rëndësinë e trajtimit të sfidave demografike si një prioritet strategjik për zhvillimin afatgjatë të shtetit, duke potencuar rolin e Kuvendit në krijimin e politikave të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Shkup - Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski zhvilloi takim me një delegacion nga Bashkimi Evropian të udhëhequr nga Kosmin Dobran, drejtor i Drejtorisë për paqe, partneritet dhe menaxhim të krizave në Shërbimin evropian për punë të jashtme (EEAS), në të cilin, siç informuan nga Ministria, u konfirmua angazhimi i ndërsjellë në pjesën e përforcimit të bashkëpunimit në mbrojtje. Takimi në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili u iniciua nga Shërbimi evropian për punë të jashtme, është pjesë e dialogut të vendosur midis BE-së dhe Maqedonisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe, siç informojnë, konfirmon dhe përforcon gatishmërinë e qartë të BE-së për të thelluar bashkëpunimin me vendin tonë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Misajlovski, theksohet në kumtesë, tha se takimi i sotëm pak para 9 majit - Ditës së Evropës i jep simbolikë shtesë dhe një dimension pozitiv dialogut dhe një angazhimi të përbashkët ndaj vlerave evropiane.

Shkup - Nuk ka hapësirë për ndornjë panik, sepse nuk ekziston rrezik nga shpërthimi i hantavirusit, as rrezik për qytetarët e vendit, gjë që është më me rëndësi në këtë moment. Sektori për epidemiologji në Institutin për shëndet publik (ISHP) është në komunikim të përditshëm me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendrën evropiane për kontroll të sëmundjeve, kështu që merr të gjitha të dhënat që na nevojiten çdo ditë për të ndërmarrë çdo veprim nëse nevojitet. Këtë sot e deklaroi drejtoresha e ISHP-së, Marija Andonovska, e cila tha se hantavirusi nuk është virus i ri dhe ka dy lloje, prej të cilëve njëri është evropiano-aziatik, i cili ka simptoma renale, ndërsa tjetri është ai që është zbuluar tani në kroçeren që lundroi në Oqeanin Atlantik, e ai është amerikan, i cili jep simptoma respiratore. Ajo theksoi se qytetarët mund të jenë të qetë sepse janë informuar nga OBSH se nuk ka asnjë shtetas i Maqedonisë në anije, as si udhëtar, as si anëtar i ekuipazhit.

Shkup – Kryeministri Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, e ftoi presidentin bullgar Rumen Radev ta vizitojë vendin. Mickoski, pas hapjes solemne të sezonit të parë të “Plazma – Lojërat sportive për të rinj” në Sheshi Maqedonia në Shkup, duke iu përgjigjur pyetjes të gazetarëve nëse do ta ftojë zyrtarisht Radevin për vizitë në vend dhe për takim në nivel kryeministrash, tha se nuk sheh arsye pse të mos e bëjë këtë. "Nuk shoh arsye pse të mos e ftoj. Nëse kjo është ftesë në këtë mënyrë, ja ku e fto", deklaroi Hristijan Mickoski.

Shkup - Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot realizoi takim me sekretarin e sapoemëruar shtetëror, Selatin Beluli, me ç’rast i uroi sukses në punën e tij në kuadër të Ministrisë. Beluli ka përvojë shumëvjeçare në administratën shtetërore. Gjatë karrierës së tij ka ushtruar funksionin e drejtorit të Agjencisë për Punësim si dhe sekretar shtetëror në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ai është pedagog i diplomuar në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.

Shkup - Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në konferencën për media të mbajtur sot lidhur me aksionin për largimin e automjeteve të prishura dhe të braktisura, theksoi se bëhet fjalë për një ndërhyrje konkrete që synon rikthimin e hapësirave publike për qytetarët dhe përmirësimin e standardeve ekologjike në komunë. Aksioni ka nisur të mërkurën dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, deri sa të jetë e nevojshme. Sipas evidencave të realizuara në terren, në territorin e Komunës së Çairit janë identifikuar rreth 200 automjete të braktisura dhe të prishura, të cilat zënë hapësira publike dhe parkingje në zona të ndryshme të komunës.

Shkup - Universiteti i Tetovës e mirëpriti në vizitë profesorin amerikan Jim Lofton nga Universiteti “Washington and Lee”, një personalitet me përvojë të gjatë në sistemin juridik federal të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vizita u realizua në kabinetin e Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i cili e vlerësoi lart bashkëpunimin institucional me partnerët ndërkombëtarë dhe shkëmbimin e përvojave në funksion të ngritjes së cilësisë së arsimit të lartë. Takimi midis Rektorit, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe profesorit Lofton u zhvillua në atmosferë miqësore, ku u diskutuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm në fushën juridike, zhvillimin e programeve praktike për studentët dhe avancimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies. Me këtë rast u potencua se Universiteti i Tetovës është i hapur ndaj iniciativave që krijojnë ura komunikimi me universitetet dhe institucionet prestigjioze ndërkombëtare.

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova dje realizoi takim me Sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alen Berse, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vend. Ajo, siç theksuan nga Kabineti i presidentes, e ceki rolin e Këshillit të Evropës, si institucioni më i vjetër evropian, i cili më shumë se shtatë dekada i avancon demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e së drejtës, si vlera themelore. Sipas presidentes, pakti i ri demokratik për Evropë paraqet hap të rëndësishëm drejt ripërtëritjes së besimit në institucione dhe prëforcim të rezistencës demokratike, në kushte të ndryshimeve të thella politike, tekmologjike dhe të sigurisë.

Shkup - Gjatë muajit mars të vitit 2026 janë dhënë  245 leje ndërtimi, që është zvogëluar për 26.6 për qind në krahasim me muajin e njejtë të vitit paraprak, publikoi Enti Shtetëror për Statistikë. Më së shumti leje ndërtimi, 148 janë për objektet e ndërtimit të lartë, në Rajonin e Pollogut janë dhënë më së shumti leje ndërtimi 62, pastaj vijojnë rajoni i Shkupit me 51, rajoni Juglindor 34, Lindor 24, Pellagonisë 15, dhe rajoni Verilindor 3. Për ndërtim janë parashikuar 618 banesa, nga të cilat 317 në rajonin e Shkupit, 143 në rajonin Jugperëndimor dhe 75 në rajonin Juglindor.

Shkup - Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov dhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alen Berse, soeveri e nënshkruan Konventën kornizë për inteligjencën artificiale të Këshillit të Evropës - instrumenti i parë obligues ndërkombëtar, i cili vendosë parime dhe standarde të qarta për zhvillim dhe përdorim të inteligjencës artificiale. Konventa kornizë i plotëson standardet e përhershme ndërkombëtare për të drejta të njeriut, demokraci dhe sundim të së drejtës dhe ka për qëllim t'i plotësojë të gjtha boshllëqet juridike që mund të dalin nga përparimi i shpejtë teknologjik. Që t'i qëndrojë testit të kohës, Konventa kornizë nuk e rregullon teknologjinë dhe në thelb është neutrale në mënyrë teknologjike.

Shkup - "Merruni me sport, shoqërohuni, mësoni, sepse sporti është e ardhmja e atdheut tonë Maqedonisë", tha kryeministri Hristijan Mickoski në hapjen solemne të sezonit të parë nga "Plazma - Lojërat sportive për të rinj", në sheshin Maqedonia në Shkup. Ai theksoi se Qeveria do të vazhdojë t'i mbështesë sportin dhe gjeneratat e reja. Në ngjarje, e cila bashkon mbi 27.000 fëmijë nga i gjithë vendi, u paralajmëruan garat në disiplina të ndryshme sportive në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar. Atletët e rinj më të suksesshëm do të sigurojnë një vend në finalen ndërkombëtare në Split, ku do të garojnë me bashkëmoshatarë nga rajoni.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot realizoi takim me një delegacion të lartë nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), në kuadër të Partneritetit për siguri dhe mbrojtje mes Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut. Në takim, siç kumtoi MPJTJ, u përshëndet dialogu i rregullt politik i vendosur në kuadër të Partneritetit për siguri dhe mbrojtje, të nënshkruar në vitin 2024.

Shkup - Udhëheqësit e dy personave juridik dhe të punësuar në Agjencinë për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar dyshohen për keqpërdorim të procedurës për prokurime publike, pasi Drejtoria e Policisë Financiare ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike - Shkup. Kallëzimi penal është ngritur kundër N.I. dhe B.G. në cilësinë e udhëheqësve të personave juridik, kundër dy personave juridik, si dhe kundër pesë personave të punësuar në Agjencinë për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar - F.A., G.A., P.K., F.J., dhe A.B.

Shkup - Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot mori pjesë në aksionin ekologjik “Fundjava e pastrimit”, që tradicionalisht bashkon qytetarë, institucione dhe sektorin privat në një aksion të përbashkët për pastrimin dhe ngritjen e vetëdijes publike për mbrojtjen e mjedisit. Në deklaratën e tij, ministri Hoxha theksoi se vazhdimësia e kësaj iniciative tregon se, kur ekziston vullnet i përbashkët, rezultatet janë të dukshme dhe konkrete.

Shkup - Pasojat dhe paqartësia e rritur në ambientin botëror lidhur me konfliktin ushtarak në Lindjen e Afërt kushtëzuan revizion në rënie të matur të projektimeve për rritjen e ekonomisë vendore, kthim më të ngadalshëm të inflacionit drejt mesatares historike dhe pozitës së jashtme gjithnjë e më të pavolitshme, para së gjithash nën ndikimin e komponentit energjetik. Këtë e theksoi guvernatori Trajko Sllaveski gjatë prezantimit të projektimeve më të reja pranverore makroekonomike të Bankës popullore për periudhën 2026 - 2028 para përfaqësuesve të korit diplomatik dhe të institucioneve ndërkombëtare, informojnë nga Banka popullore në kumtesën të cilën MIA e transmeto në mënyrë integrale. Në ngjarje morën pjesë përfaqësues të ambasadave të Gjermanisë, Greqisë, Itlaisë, japonisë, Kinës, Kosovës, SHBA-së, Hungarisë, Holandës, Kroacisë dhe Zvicrës, si dhe përfaqësuestë Delegacionit të Bashkimit Evropian, Bankës evropiane për ripërtëritje dhe zhvillim, Fondit monetar ndërkombëtar dhe Bankës popullore. Ngjarja tradicionalisht organizohet pas çdo cikli të projekti9meve makroekonomike të Bankës popullore.

Shkup - LSDM-ja uron Rumen Radevin për zgjedhjen si kryeministër i Republikës së Bullgarisë. Shpresojmë që qeveria e re bullgare do të demonstrojë një qasje konstruktive dhe të arsyeshme ndaj Maqedonisë së Veriut, me qëllim ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të cilat do të jenë në interes të qytetarëve të të dyja vendeve, pa asnjë kërcënim për identitetin, gjuhën dhe kulturën kombëtare maqedonase, theksohet në kumtesën e LSDM-së. Maqedonia është e përcaktuar fort për të ardhmen evropiane. E vetmja rrugë është rruga e integrimit në BE.

Shkup - Vijon moti me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell. Vende-vende do të ketë mot të paqëndrueshëm, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të fortë, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Sipas paralajmërimeve, veçanërisht të hënën dhe të martën do të fryjë erë e fortë deri më e fortë, e cila në disa vende do të arrijë shpejtësinë mbi 60 kilometra në orë. 

Shkup - Kompania "MEPSO" ka ankimuar vendimin e organit pararbitrazh për konteste, i cili vendosi në favor të kompanisë "Energoinvest" nga Sarajeva e cila duhej ta ndërtonte interkonektorin drejt Shqipërisë. Nga MEPSO janë të bindur se do ta fitojnë betejën juridike me "Energoinvest" duke theksuar se argumentet janë në anën e tyre. Janë konsultuar edhe dy kompani të njohura avokatie nga SHBA-ja, mendimi i të cilave është se MEPSO ka bazë shumë të fortë për arbitrazh. 

Tetovë - Në kuadër të programit ndërkombëtar CEEPUS, gjatë periudhës 4–7 maj 2026, në Universitetin Josip Juraj Strossmayer në Osijek (Kroaci), u zhvilluan aktivitete profesionale në kuadër të projektit “Menaxhimi i zinxhirëve të furnizimit: Nga këndvështrimi i industrive nacionale”. Në këtë veprimtari morën pjesë përfaqësues universitetesh nga disa vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore, me synimin e forcimit të bashkëpunimit ndëruniversitar, shkëmbimit të përvojave dhe avancimit të praktikave bashkëkohore në fushën e menaxhimit të zinxhirëve të furnizimit dhe ekonomisë cirkulare. Në këtë rrjet prestigjioz, Universiteti i Tetovës u përfaqësua nga Fakulteti Ekonomik, përkatësisht nga dekani Prof. Dr. Brikend Aziri dhe Doc. Dr. Ali Maksuti, drejtor i Qendrës për Ekonomi Cirkulare. Pjesëmarrja e tyre u fokusua në zgjerimin e bashkëpunimit institucional dhe promovimin e kapaciteteve shkencore të fakultetit në arenën ndërkombëtare.

Sofje - Kuvendi popullor i Bullgarisë, pas një debati të ashpër, sot zgjodhi qeverinë e re të udhëhequr nga kryeministri Rumen Radev, e propozuar nga partia "Bullgaria Progresive". Deputetët fillimisht e zgjodhën Radevin kryetar të Qeverisë. Për zgjedhjen e tij votuan 124 deputetë nga "Partia Progresive", deputetët e GERB-SDS abstenuan, ndrësa "DPS", "Bullgaria Demokratike", "Vahdojmë me Ndryshimet" dhe "Rilindja", votuan kundër. Gjithsej votuan 230 deputetë. 

Athinë – Mund të luajmë një rol konstruktiv përmes forcimit të interkoneksioneve tona dhe integrimit në një rrjet më të zhvilluar të gazit natyror në Evropën Juglindore, thotë ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, në një intervistë për portalin grek energjetik “Energygame”, duke shtuar se “kontributi ynë i drejtpërdrejtë është promovimi i projekteve që na lidhin më mirë me Greqinë dhe Serbinë”, të cilat sipas saj mund të kontribuojnë që “vendi të pozicionohet si pjesë aktive e rrjedhave rajonale energjetike”, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Ministrja shpjegon se përfitimet konkrete janë të qarta: siguri më e madhe në furnizim, më shumë konkurrencë, qasje më të mirë tek burimet alternative të furnizimit, kushte më të forta për industrinë dhe një ambient më tërheqës investues, ndërsa në aspektin strategjik “forcohet edhe roli ynë si partner i besueshëm në agjendën evropiane për diversifikim energjetik”.

Londër - Kryeministri britanik, Kir Starmer, pasi që Partia e tij laburiste pësoi humbje të rënë në zgjehdjet lokale, sot kumtoi se mbetet në krye të Britanisë së Madhe dhe do ta vazhdojë luftën për "ndryshime" në vend. Më pak se dy vite pas fitores bindëse historike në zgjedhjet e përgjithshme, votuesit e ndëshkuan qeverinë laburiste të Starmerit në zgjedhjet lokale, duke u shkaktuar goditje edhe në disa nga vatrat e tyre tradicionale në ish-rajonet industriale të Anglisë qendrore dhe veriore. Edhe përkundër humbjeve, aleatët e Starmerit shprehën mbështetje për politikanin, rejtingu i pëlqimit i të cilit është në nivelin më të ulët të vërejtur deri më tani për një lider britanik.

Moskë - Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, sot paralajmëroi se Rusia "pa mëshirë do të përgjigjet", nëse, siç deklaroi, "forcat naziste" bëjnë përpjekje të rrezikojnë ose pengojnë festimin e Ditës së fitores në Rusi. Gjatë ceremonisë së vendosjes së kurorave në ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Moskë, Lavrov vlerësoi se rrethanat bashkëkohore politike dhe të sigurisë në Evropë, kërkojnë, siç tha, "luftë praktike dhe ideologjike kundër nazizmit", publikuan mediat ruse. Diplomati i parë rus paralajmëroi në, siç konfirmoi, përpjekjet për "rishikim të historisë dhe rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore", dhe tha se në disa qarqe politike evropiane ka thirrje për përsëritje të modeleve historike, të cilat sipas tij, janë të lidhura me Gjermaninë naziste.

Остани поврзан