• сабота, 16 мај 2026
MIA Flesh

15:00 / 6 maj / 2026

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe se ky është një vit reformash dhe konsolidimi. Thotë se do donte të ketë zgjedhje të rregullta parlamentare në vitin 2028, por VMRO-DPMNE si parti është e përgatitur nëse ato zhvillohen edhe një vit më parë. "Disa nga partitë u frikësuan nga ajo deklaratë për zgjedhjet. Por qëndrimin tim e dini, se zgjedhje këtë vit nuk do të ketë. Ky vit është një vit reformash dhe konsolidimi. Do të doja të kishim zgjedhje të rregullta që do të zhvillohen së shpejti në pranverën e vitit 2028", ka thënë Mickoski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve për qëndrimin e tij ndaj deklaratës së djeshme të cilën disa parti e interpretuan si një paralajmërim për zgjedhje.

Shkup - Qeveria vazhdimisht punon në avancimin e sistemit elektroenergjetik, thotë kryeministri Hristian Mickoski duke e cekur ndërtimin e interkonektorëve. Pret tashmë javën e ardhshme të fillojë edhe ndërtimi i interkonektorit verior. "Qeveria e përforcon sistemin transmetues të tensionit të lartë, këtu mendoj për sistemin e MEPSO-s. E dini se po ristartohet sërish ndërtimi i interkonektorit me Shqipërinë. Vazhdojnë të rinovohen edhe unazat e brendshme, po rikonstruohen dhe por rritet kapaciteti. Njëkohësisht, në energjetikë vazhdojmë me investim në interkonektorët e gazit me Greqinë dhe pres tashmë javën tjetër, pasi që të merren të gjitha mendimet, të fillojë ndërtimi i interkonektorit verior", deklaroi Mickoski në përgjigje të pyetjes së gazetarëve pas ngjarjes për fillimin e Tregut për energji elektrike në ditën e sotme.

Shkup - Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alen Berse prej sot deri më 8 maj do të qëndrojë në vizitën e tij të parë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Nikoqir i tij është ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, me të cilin do të ketë takim tet-a-tet, ndërsa pastaj edhe konferencë të përbashkët për shtyp. Në kuadër të vizitës janë parashikuar takime të Berse-s me kreun shtetëror, me ministra kompetent, si dhe shumë aktivitete tjera të lidhura me bashkëpunimin me këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, kushtuar promovimit të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe vlerave demokratike, në të cilën vitin e kaluar vendi shënoi 30 vjet anëtarësim", njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. 

Shkup - Çmimi i ushqimit është rritur me më pak se 1 për qind në prill krahasuar me marsin e vitit 2026, tregojnë analizat e Qeverisë bazuar në shifrat e marra nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, informoi kryeministri Hristijan Mickoski në deklaratën për media pas hapjes së tregut të energjisë elektrike në Shkup. "Shërbimet e transportit janë rritur më shumë dhe sigurisht që do të ndikojnë në shumën përfundimtare të inflacionit për prillin, të cilën pres ta publikoj në ditët në vijim", ka thënë Mickoski. Kryeministri Mickoski theksoi se ka rritje të inflacionit edhe në eurozonë. Në Bullgari është tashmë mbi 6 për qind, Kroaci rreth 6, dhe Greqi  rreth 5 për qind.

Shkup – Zyrtarisht filloi funksionimi i tregut të energjisë elektrike. Drejtori i MEMO, Zoran Gjorgjievski, në ngjarjen e hapjes zyrtare të tregut “ditë më parë” deklaroi se sot nuk hapet vetëm një treg i ri, por hapet një perspektivë e re energjetike për vendin tonë. Një perspektivë që nënkupton stabilitet, besim dhe zhvillim. Në hapjen e tregut të energjisë elektrike, të organizuar nga MEMO, morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, ministrja e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale Sanja Bozhinovska, drejtori i BSP-së dhe kryetar i Bordit Drejtues të ADEX Anzhe Predovnik, si dhe Martin Martinovski, ekspert për energji elektrike dhe statistikë në Komunitetin Energjetik. "Kjo ditë është një hap i rëndësishëm për tregun maqedonas të energjisë elektrike, e për më shumë, paraqet një sinjal se po lëvizim në drejtimin e duhur drejt një sektori energjetik modern, të integruar dhe të orientuar drejt tregut. Energjia elektrike nuk është një produkt i thjeshtë. Ajo ka veçori të vet: prodhohet dhe harxhohet në të njëjtin moment. Kjo do të thotë se sistemi duhet të jetë vazhdimisht në baraspeshë. Pikërisht për këtë arsye, menaxhimi i tregut të energjisë kërkon saktësi të jashtëzakonshme, nivel të lartë koordinimi dhe rregulla të qarta funksionimi – tha Gjorgjievski.

Shkup - Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme e hodhi poshtë iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 1 dhe nenit 3 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor. Parashtruesi i iniciativës, Ilija Ivanovski nga Serbia, konsideron se dispozitat e kontestuara e vendosin atë në një pozitë të pabarabartë dhe diskriminuese në raport me pensionistët e tjerë që kanë fituar të drejtën e pensionit sipas të njëjtit ligj, por jetojnë dhe e marrin pensionin në shtet. Edhe pse të drejtën e pensionit e ka fituar sipas ligjit në fuqi, me dispozitat e kontestuara kjo e drejtë i kufizohet në bazë të vendbanimit, gjë që përbën shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë, thuhet në iniciativë.Në të njëjtën kohë, Gjykata nisi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 37 paragrafi 1, në pjesën "i lindur në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut" nga Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, pas iniciativës së paraqitur nga Kiril Mihajlloski. Parashtruesi pretendon se me vendosjen e kushtit "i lindur në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut", vihen në një pozitë më të pafavorshme për përfitimin e ndihmës së njëhershme financiare fëmijët, prindërit e të cilëve janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por që kanë lindur jashtë vendit, në krahasim me fëmijët, prindërit e të cilëve janë gjithashtu shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por që kanë lindur në territorin e shtetit. Sipas parashtruesit, vendlindja nuk varet nga vullneti i fëmijës, dhe as nuk mund të jetë një kriter i rëndësishëm për realizimin e të drejtave në fushën e mbrojtjes së fëmijëve.

Shkup - Pa nivel të lartë të hapjes institucionale opinioni nuk ka mundësi t'i kuptojë në mënyrë adekuate dhe t'i vlerësojë vendimet tona, theksoi prokurori shtetëror publik, Nenad Saveski në fjalimin e tij në konferencën "Transparenca si faktor kyç në punën e Këshillit të prokurorëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut", në organizim të Projektit "Mbështetje e BE-së për sundim të së drejtës". "Është fakt se raportet e deritanishme, edhe vendore edhe ndërkombëtare, për punën e Këshillit të prokurorëve publikë nuk dhanë vlerësime mjaft pozitive për transparencën institucionale. Kërkohet arsyetim më i mirë i vendimeve dhe veprimeve të cilat tek prokurorët publikë dhe tek opinioni publik do të krijojnë ndjenjën se po vendoset në bazë të kritereve të qarta dhe matëse dhe parimeve të paluhatshme. Por, gjithashtu, është fakt se në periudhën e fundit, Këshilli i prokurorëve publikë bëri hap të madh për ta përforcuar transparencën dhe të transformohet në institucion të hapur dhe llogaridhënës", theksoi Saveski.

Shkup - Në kohën kur energjetika është një nga çështjet më të rëndësishme për çdo shtet, detyrimi ynë është të krijojmë një sistem që do të jetë i sigurt, konkurrues dhe rezistent ndaj sfidave globale. Intraday Market pikërisht këtë e mundëson. Me këtë platformë marrim fleksibilitet më të madh në menaxhimin me sistemin elektroenergjetik, balansimin më të mirë dhe shfrytëzimin më efikas të energjisë në kohë reale, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin para fillimit të Tregut brenda ditës. Siç theksoi Mickoski, vendosja e Tregut është një tregues se hapërojmë përpara, me një vizion të qartë dhe me reforma konkrete të cilat sjellin rezultate.

Shkup - Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, sot nënshkroi Memorandume bashkëpunimi me gjashtë institucione të arsimit të lartë me [ka vendoset kornizë e re për bashkëpunim institucional midis ministrisë dhe komunitetit akademik. Në fund të vitit të kaluar, Ministria nënshkroi Memorandum bashkëpunimi me Universitetin "Shën Cirili dhe Metodi" në Shkup, me profesorët dhe stafin akademik të të cilit është vendosur bashkëpunimi. Memorandumet kanw pwr qwllim të lidhin ekspertizë akademike dhe potencialin shkencor dhe kërkimor me nevojat reale të komunave, përmes veprimit të përbashkët në fushat që janë në kompetencë të komunave.

Shkup - Gjatë inspektimit të Prokurorisë Publike në objektin e djegur "Puls" në Koçan, është gjetur një përforëcues i djegur për aktivizimin e pajisjeve piroteknike, si dhe një çantë shpine e zezë e markës "Najk Xhordan", në të cilën ndodheshin një kuti plastike me dy përforëcues për aktivizimin e mjeteve piroteknike, një bateri nëntë voltëshe e markës Filips dhe një qese me mjet piroteknik të papërdorur. Kjo u theksua sot nga Prokuroria Publike gjatë paraqitjes së provave materiale nga inspektimi në vendngjarje në objektin e djegur. Në kuadër të procedurës së provave, para Gjykatës u paraqit një album fotografik i përbërë nga 92 fotografi, të cilat në detaje tregojnë situatën aktuale në vendngjarje. Në fotografitë e bëra gjatë inspektimit, shihet brendësia e objektit të djegur, vendosja e skenës, dimensionet e dyerve dhe hekurat e dritareve të vogla të tualeteve.

Shkup - Integrimi evropian mbetet prioritet strategjik i shtetit. Ambicia jonë është e qartë – anëtarësim i plotë në Bashkimin Evropian, tha zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në konferencën "30 Vite nga rruga evropiane: Maqedonia e Veriut- Bashkimi Evropian - hapat e arshshme, që u mbajt në organizim të Klubit diplomatik - Shkup dhe Fakultetit juridik pranë UCM-së. Pas përfundimit të procesit të skriningut, ai theksoi se fokusi është vendosur tek përshpejtimi i reformave. “Tridhjetë vite partneritet dhe 25 vite nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dëshmojnë se rruga jonë evropiane është e qartë dhe e pakthyeshme. Sot, integrimi nuk është vetëm një qëllim – është proces i dorëzimit të rezultateve konkrete,” u shpreh Sali.

Shkup – Dy djem të moshës 16-vjeçare dyshohen për vepra penale “dhunë” dhe “rrezikim të sigurisë” sepse fizikisht kanë sulmuar një bashkëmoshatar. Ministria e Punëve të Brendshme informon se një nga 16-vjeçarët e ka kërcënuar bashkëmoshatarin edhe me pushkë automatike. “SPB Tetovë ngriti kallëzim kundër një 16-vjeçari nga fshati Shipkovicë, rajoni i Tetovës, dhe një 16-vjeçari nga fshati Gajre, rajoni i Tetovës, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprave penale ‘dhunë’ dhe ‘rrezikim i sigurisë’. Më 20.02.2026 në fshatin Shipkovicë, të akuzuarit e kanë sulmuar fizikisht Z.I. në oborrin e tij, me çka i dyshuari i parë e ka kërcënuar me pushkë automatike”, informoi MPB-ja në buletinin e policisë. 

Shkup - Në ndërtesën e Televizionit të Maqedonisë sot u hap edhe zyrtarisht pjesa e dytë e departamentit të rikonstruimit për punë administrative. Në këtë ngjarje mori pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili theksoi se rikonstruimi është pjesë e një procesi më të gjerë për të përmirësuar kushtet në të cilat qytetarët ushtrojnë të drejtat e tyre ligjore. Sipas ministrit, reagimet pozitive nga qytetarët janë të përditshme, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e kushteve dhe shërbimeve që ata marrin në shërbimet administrative. Ai paralajmëroi se MPB-ja do të vazhdojë me rinovimin e objekteve të tjera në vend. "Shpresoj se do ta realizojmë këtë në kohën më të shkurtër të mundshme. Do të vazhdojmë me rinovimin e të gjitha shërbimeve të tjera administrative në territorin e Maqedonisë me qëllim që qytetarëve të Maqedonisë t'u ofrojmë një shërbim kulturor dhe dinjitoz nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme", tha ministri.

Shkup - Inteligjenca artificiale nuk është më e ardhme për të cilën flasim teorikisht, ajo ngadalë, por me siguri po bëhet pjesë e çdo klase dhe e përditshmërisë së nxënësve. Çështja  që hapim sot nuk është nëse ajo do të ndikojë në arsim, por si ne do ta drejtojmë atë proces, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në panel-diskutimin e sotëm nga fushata “Magjia është në dije”, kushtuar rolit të inteligjencës artificiale në arsim. Ajo theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ndjek në mënyrë aktive trendet bashkëkohore arsimore, me fokus të veçantë në zhvillimin dhe zbatimin e inteligjencës artificiale në arsim, dhe në mënyrë të vazhdueshme realizon analiza dhe masa përmes qasjes sistematike, me qëllim përshtatjen në kohë dhe në thelb të sistemit arsimor. Theks i veçantë, siç potencoi  ajo, i kushtohet edhe trajnimeve të vazhdueshme për stafin mësimor, në mënyrë që mësimdhënësit  të jenë të përgatitur për mjetet e reja digjitale dhe ndryshimet në procesin mësimor.

Shkup – Jam për zgjedhje të parakohshme dhe më nuk do të jem pjesë e “VLEN”-it, theksoi sot ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani duke e komentuar postimin në Fejsbuk: “Me Fatmir Limanin donit luftë, tani tregoni sa vleni! Së shpejti do t’ua mundësoj ta tregoni veten!”. “Ai ishte një ripostim i një postimi nga një portal që e publikoi këtë, sapo konfirmova se jam për zgjedhje të parakohshme. Ne të gjithë jemi për zgjedhje të parakohshme, përveç ‘VLEN’. Sa më shpejt të mbahen, aq më mirë do të jetë për vendin, për zhvillimin e tij ekonomik dhe njëkohësisht për rifreskim si në kuadër të ‘VLEN’ ashtu edhe në kuadër të çdo subjekti apo strukture tjetër politike” tha Limani. I pyetur në zgjedhjet e ardhshme si pjesë e cilës strukturë politike do të marrë pjesë, Limani theksoi se nuk do të jetë pjesë e “VLEN”. 

Shkup - Ministri për Transformim Digjital Stefan Andonovski pret që Maqedonia të jetë mes vendeve të para të cilës do t'i mundësohet roaming pa shpenzime shtesë në BE. Lajme të mira pret në Samitin BE-Ballkani Perëndimor i cili do të mbahet në fillim të qershorit në Podgoricë. Ai beson se do të jetë mes vendeve të para me të cilat Bashkimi Evropian do të nënshkruajë për të a.q. roaming si në vend.

Shkup - Çmimet e shërbimeve hotelierike në muajin prill të vitit 2026 krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar janë rritur për 2,8 për qind, njoftoi Enti shtetëror i statistikës. Krahasuar me muajin paraprak, megjithatë, çmimet janë rritur për 0,6 për qind. Në periudhën janar – prill të vitit 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë rritur për 3,0 për qind, ndërsa krahasuar me dhjetorin e vitit 2025 rritja është 0,6 për qind. 

Shkup - Shumë shpejt pritet që certifikatat për eksportin e duhanit dhe verës të lëshohen në mënyrë elektronike. Ministri i Transformimit Digjital, Stevan Andonovski, thotë se procesi është në fazën e testimit. Ai pret interes të madh si nga prodhuesit ashtu edhe nga eksportuesit. "Me Inspektoratin e bujqësisë, shumë shpejt do të fillojmë me lëshimin e certifikatave për eksportin e duhanit dhe verës të cilat përdoren gjerësisht, sepse për çdo seri kërkohet një certifikatë e re. Jemi në fazën përfundimtare dhe testimin e këtij shërbimi. Pres interesim të madh nga prodhuesit dhe eksportuesit", deklaroi sot ministri Andonovski i cili mori pjesë në Konferencën e tretë rajonale të kontabilistëve publik të certifikuar.

Prishtinë - Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot Shoqatën e Familjeve të të Pagjeturve në Mitrovicë, ku është takuar me familjarë të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Në këtë vizitë, U.D. Presidentja Haxhiu, e shoqëruar nga deputetja Arjeta Fejza, ka dëgjuar nga afër shqetësimet, kërkesat dhe dhimbjen e familjeve që ende presin përgjigje për më të dashurit e tyre. “Në Komunën e Mitrovicës janë ende 104 persona të zhdukur me dhunë, për fatin e të cilëve familjet nuk kanë asnjë informacion. Kjo është plagë e rëndë për familjet, për Mitrovicën dhe për gjithë Republikën e Kosovës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Paris - Kompania franceze e anijeve "CMA CGM" (CMA CGM) njoftoi se njëra nga anijet e saj "San Antonio", u sulmua gjatë kalimit nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke rezultuar në lëndime të anëtarëve të ekuipazhit dhe dëme materiale. Nga kompania njoftuan se incidenti ndodhi mbrëmë, duke shtuar se marinarët e plagosur janë evakuuar dhe po marrin ndihmë mjekësore, pa dhënë detaje shtesë për gjendjen e tyre. Sipas të dhënave për lundrimin, anija "San Antonio", e cila lundron nën flamurin e Maltës, ishte rrugës drejt portit Mundra në Indi.

Rio de Zhanejro - Dy të punësuar janë vrarë në të shtënat në një shkollë në pjesën perëndimore të Brazilit, ndërsa dy persona, mes të cilëve edhe një nxënës, janë dërguar në spital me lëndime, kumtuan autoritetet rajonale, njofton DPA. Qeveria e shtetit federal Akre kumtoi se një djalë 13 vjeçar e ka pranuar veprën dhe u arrestua së bashku me kujdestarin e tij ligjor, i cili është pronar i armës së zjarrit, të përdorur në sulmin. Sipas portalit "G1", i cili i referohet deklaratave të dëshmitarëve, të shtënat kanë ndodhur gjatë mësimit të pasdites. Nxënësit në panik janë shtrirë në dysheme.

Pekin - Irani do të pranojë vetëm "marrëveshje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse" në negociatat me SHBA-në për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme, deklaroi sot në Pekin ministri i Jashtëm iranian, Abas Aragçi. Deklarata vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Tramp pretendon se në procesin e negociatave është arritur "përparim i madh". "Do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona legjitime gjatë negociatave. Do të pranojmë vetëm një marrëveshje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse", deklaroi Aragçi pas takimit me homologun e tij kinez, Vang Ji. Ai nuk iu referua drejtpërdrejt propozimit të Trampit për një pauzë të operacionit amerikan të shoqërimit të anijeve tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit, me qëllim lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje mes dy palëve.

Uashington – Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë miratuar një shitje të mundshme armësh për Ukrainën me vlerë 373.6 milionë dollarë (319.5 milionë euro), që përfshin komplete bombash me GPS, informon Departamenti i shtetit, transmeton Anadollu. Në komunikatë theksohet se është miratuar shitja e kompleteve “JDAM-ER” (Joint Direct Attack Munition – Extended Range) dhe pajisjeve të shoqëruara për Kievin në kuadër të programit të shitjeve ushtarake të huaja. Pakoja përfshin 1.200 komplete “KMU-572 JDAM” dhe 332 komplete “KMU-556 JDAM”, si dhe sisteme detonimi, pjesë rezervë, mbështetje logjistike dhe dokumentacion teknik.

Islamabad - Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se e mbyllin konsullatën e tyre në Peshevar, Pakistan, duke i theksuar sigurinë e personelit diplomatik dhe menaxhimin më efikas me burimet si arsye kryesore për këtë vendim. Departamenti i shtetit njoftoi se Ambasada e SHBA-së në Islamabad në të ardhmen do t'i ndërmarrë të gjitha aktivitetet diplomatike të lidhura me provincën Hajber Pahtunhva, kryeqyteti i së cilës është Peshavari. Vendimi ka të bëjë me rajonin përgjatë kufirit me Afganistanin, ku viteve të fundit u shpeshtuan sulmet dhe përleshjet mes forcave pakistaneze dhe grupeve militante.

Londër - Trajneri shumëvjeçar i Atletiko Madridit, Diego Simeone, nuk arriti të vijë drejt finales së tij të tretë në Ligën e kampionëve me klubin spanjoll, pasi që të martën humbi si mysafire tek Arsenali londinez me rezultat 1-0 në ndeshjen e revanshit gjysmë final, pas barazimit 1-1 para një jave në "Metropolitano". "Nëse jemi eliminuar, kjo do të htorë se kundërshtarët tanë merituan të shkojnë më tutje. Ata i shfrytëzuan mundësitë e veta, përfshirë edhe mundësinë e shkëlqyer në gjysmën e parë të lojës, dhe me meritë do të luajnë në finale. Nëse më pyesni se si ndjehem, ndjehem i qetë, ekipi dha absolutisht gjithçka", tha Simeone.

Остани поврзан