• четврток, 25 јули 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 30 maj/ 2024

Shkup - Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska Davkova sot e priti ambasadoren e Republikës së Kroacisë, Nives Tiganj. Siç kumtuan nga kabineti i Siljanovska Davkovës, në takim është diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe që dallohen me dialog politik intensiv dhe bashkëpunim konstruktiv në të gjitha fushat nga interesi i ndërsjellë. Në atë drejtim, citohet në kumtesë, presidentja ka theksuar se të dy vendet miqësore kanë qëllime dhe interesa të përbashkëta strategjike për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet në rajon dhe më gjerë. 

Shkup - Lidhja kombëtare e personave me invaliditet trupor e Maqedonisë së Veriut "Mobiliteti Maqedoni", me rastin e 30 majit - Ditës botërore të personave të sëmurë me multiple skleroza, sot për herë të nëntë organizoi marsh për ngritjen e ndërgjegjes për problemet, me të cilat ballafaqohen personat me multipla sklerozë për nevojat e tyre specifike për jetesë më cilësore dhe inkluzion social. Marshi, të cilit iu bashkuan edhe personat me paraplegji dhe distrofi, filloi nga Porta "Maqedonia", vazhdoi nëpër rrugën "11 tetori" në drejtim të Kuvendit dhe përfudoi në Shtëpinë "Dare Xhambaz".

Shkup - Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot ka sjellë konkluzion për përfundimin e zgjedhjeve parlamentare. Në mbledhje u shpallën si përfundimtare rezultatet e zgjedhjeve në Njësinë e gjashtë zgjedhore pasi Gjykata administrative mbrëmë rrëzoi padinë e Frontit evropian për rivotimin në vendvotimin në fshatin Llërcë të Zhelinës. Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski kumtoi se në këtë njësi koalicioni i Frontit evropian ka siguruar gjithsej tetë mandate, VLEN poashtu 8 mandate, koalicioni Maqedonia juaj udhëhequr nga VMRO-DPMNE tre dhe koalicioni për Ardhmëri Evropiane një mandat.

Shkup - Vendi të fokusohet në investimet e sektorit energjetik, të përshpejtojnë zëvendësimin e qymyrit me burime të rinovueshme, ta rrisë prodhimin vendor të energjisë elektrike dhe ushqimit dhe të bëjë një ridizajnim serioz të ndihmës shtetërore, veçanërisht në bujqësi, vlerësojnë ekspertët. Këto sugjerime, siç u tha në forumin e sotëm ekonomik i referohen në përgjithësi pjesës tjetër të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Të gjithë ata kanë marrë masa të ngjashme për t'u përballur me krizën, por është e pamundur të thuhet saktësisht se cila si dhe sa me sukses u përball me pasojat. Vlerësimi është se masat kanë dhënë rezultate dhe aktualisht ka një stabilitet më të madh të çmimeve.

Shkup - Faktori njeri është kyç për mospasjen e viktimave në aksidente trafiku. Shkaku kryesor i aksidenteve në komunikacion është vozitja e shpejtë mbi 60 për qind, ndërsa cilësia e rrjetit rrugor ndikon me një për qind të aksidenteve në komunikacion.

Shkup - Dje ITSHKSH-në e vizituan studiues nga Instituti i Trashëgimisë, Edukimit dhe Turizmit të Shqipërisë. Në këtë takim u prezantua veprimtaria e dy institucioneve, duke marrë parasysh se ushtrojnë veprimtari të ngjashme, gjë që e bën bashkëpunimin e tyre me interes reciprok. Pjesëmarrës në takim ishin Nevila Nika, drejtoreshë e ITET-it, Ramiz Rekaj, anëtar i bordit të Institutit Kanadez të Tekonologjisë dhe kryeredaktor i revistës shkencore “Univers”, si dhe koordinatorja Anisa Hykaj, ndërkaq si përfaqësues të ITSHKSH-së në këtë takim ishin drejtori, Skender Asani, dhe këshilltarët shkencorë, Zeqirija Ibrahimi dhe Sevdail Demiri.

 Strugë - Ambasadori evropian Dejvid Giri sot mori pjesë në hapjen e Shtëpisë Evropiane në Strugë, objekti i gjashtë që Bashkimi Evropian po e hap në vend. "Rrjeti i shtëpive evropiane po zgjerohet në të gjithë vendin, është shumë aktiv në promovimin e vendeve për brezat e rinj. Shtëpitë evropiane paraqesin një investim për të rinjtë e këtij vendi, në inovacion, në krijimtarinë e tyre dhe të ardhmen e tyre evropiane, këtu në Maqedoninë e Veriut. Në shtëpitë tona evropiane vetëm vitin e kaluar janë organizuar më shumë se 900 aktivitete dhe ngjarje,  me pjesëmarrjen e mbi 36 mijë të rinjve", theksoi Giri në ceremoninë me rastin e dorëzimit të objektit në përdorim. 

Shkup - Sinoptikanët paralajmërojnë se sot nga orët e mesditës, veçanërisht në pjesën perëndimore dhe lindore, moti do të jetë i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe kushte për paraqitje të izoluar të motit të ligë me shi të rrëmbyeshëm, erë të fuqishme dhe breshër.  "Për shkak të pranisë së masës ajrore të lagësht dhe të paqëndrueshme gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme të punës në orët e pasdites kryesisht në pjesët jugore do të ketë paraqitje të shiut të rrëmbyeshëm dhe bubullimave. Lokalisht proceset do të jenë në formë të motit të ligë me shi të rrëmbyeshëm intensiv, erë të fuqishme dhe paraqitje të breshrit", thonë nga DPHM.

Prishtinë - Në vitin 2023, numri i punonjësve shëndetësorë nga Kosova të punësuar në Gjermani ishte 9.091, që është për një mijë më shumë nga viti 2022, njoftojnë mediat e Kosovës. Instituti GAP ka publikuar të dhënat për numrin e të punësuarve në sektorin shëndetësor në Kosovë dhe kosovarëve të punësuar në Gjermani, si mjek, ndihmës medicinalë etj.

Prishtinë - Policia e Kosovës dje arrestoi një person në Leposaviq, një burrë me inicialet M.K., nën dyshimin për vjedhje të identitetit, përkatësisht me dokumente nga Serbia dhe nga Kosova me emra të ndryshime dhe mbiemra, njoftoi mediumi i Kosovës në gjuhën serbe, KoSSev. Lajmin për portalin e ka konfirmuar zëvendëskomandanti i policisë për rajonin verior, Veton Elshani, i cili thotë se shërbimet kompetente kanë pasur dijeni për një krim të mundshëm të vjedhjes së identitetit nga i arrestuari.

Bruksel - Të dhënat për prejardhjen e pothuajse tre të katërtave të donacioneve për partitë politike në Bashkimin Evropian nuk janë të kapshme për opinionin më të gjerë, përderisa vetëm shtatë nga 27 vende-anëtare kërkojnë partitë ta zbulojnë identitetin e të gjithë donatorëve privat, zbulon hulumtimi i ri i publikuar sot.

Moskë - Kremlini e akuzoi NATO-n se po e “provokon” Kievin për të vazhduar konfliktin në Ukrainë, përfaqësuesit e së cilës apeluan për leje nga aleatët për të sulmuar Rusinë me armë të furnizuara nga perëndimi, njoftojnë mediat franceze. Komentet vijnë pasi ministrat e Punëve të Jashtme të NATO-s ndodhen në Pragë për një takim dy-ditor mes thirrjeve në rritje për aleatët kryesorë për të hequr kufizimet që pengojnë Kievin të përdorë armët perëndimore për të sulmuar objektivat në Rusi.

Madrid - Kryeministri spanjoll, Pedro Sançez e përshëndeti miratimin e Ligjit kundërthënës për amnisti në parlament, duke cekur se "falja" është më e fuqishme se mbajtja e hidhërimit për shkak të kandidaturës së pasuksesshme për pavarësi të Katalonjës në vitin 2017.

Ramallah - Ushtria izraelite bëri të ditur sot se në afërsi të qytetit Nablus në Bregun Perëndimor, dy ushtarë kanë humbur jetën pasi në to është përplasur një automjet dhe ka goditur ata. Në kumtesën e armatës shtohet se sulmi ka ndodhur mbrëmë dhe se sulmuesi ka ikur.

Остани поврзан