• четврток, 23 јануари 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 20 janar/ 2025

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski i cili gjendet për vizitë pune në SHBA do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Tramp në Uashington, ndërsa ka realizuar takim me Devin Nunes, kryesues i organit këshillëdhënës të inteligjencës së presidentit Donald Tramp dhe drejtor ekzekutiv i Korporatës mediatike Tramp, Xhon Bitov - biznesmen amerikan me origjinë nga Maqedonia, pronar i disa kompanive multimilionëshe, Marko Galina - biznesmen dhe drejtues i MAGA në Portugali dhe Kris Pavlovski, pronar i Grupacionit Rambëll.

Shkup -  Ministria e Financave kumtoi se sot ka shlyer euroobligacionin e emetuar në vitin 2018, në vlerë prej 500 milionë eurove. Mjetet për servisimin e këtij detyrimi, i cili maturoi më 18 janar të vitit 2025, u siguruan nëpërmjet huasë nga Banka Eksport Import e Hungarisë, me kushte të favorshme me interes prej 3.25%, me afat shlyerjeje prej 15 vjetësh, duke përfshirë periudhën grejs prej 3 vitesh.

Shkup – Pa marrë parasysh që është në arrati, edhe për Artan Grubin edhe për të dyshuarin tjetër, procedura vazhdon edhe më tutje dhe publiku do të njoftohet, deklaroi prokurori shtetëror publik Lupço Kocevski për mediat i pyetur nëse ka progres në hetimin për ish zëvendëskryeministrin, duke shtuar se edhe krahas urdhër-arrestit ndërkombëtar, prokurorët publikë edhe “më tutje ndërmarrin veprime lidhur me procedurën”.  Kocevski para fillimit të mbledhjes së 14-të të Këshillit të Prokurorëve Publikë i pyetur nëse ka parahetim për gjykatësin Enver Bexheti, i vendosur në “listën e zezë” të SHBA-së, u përgjigj se “bashkë me atë lëndë që ka të bëjë edhe për gjykatësin, edhe për Artan Grubin, dhe eventualisht për kryerës tjetër, po zhvillohet procedurë parahetimore dhe më tutje do të shihet se si do të zhvillohet. 

Shkup - Përmes video regjistrimeve nga kamerat e sigurisë sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup ka vazhduar gjykimi për vrasjen e të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezovskit nga Velesi, ku i akuzuari kryesor është Lupço Palevski - Palço, së bashku me Bore Videvskin, Velibor Manevin dhe Vllatko Keshishovin, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski. Në disa nga videot e prezantuara nga Prokuroria, shihet se si i akuzuari Vllatko Keshishev paguan dhe mbush një rezervuar me benzinë në një pikë karburanti "Makpetrol" në Qendrën e transportit Shkup pranë partisë "E Djathta" rreth orës 5 të mëngjesit më 27 nëntor 2023.

Prilep - Drejtori i Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Kiril Lazov, ka konfirmuar se ka lëshuar urdhër për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në spitalin e Prilepit për rastin e dy binjakëve të porsalindur që vdiqën katër ditë më parë. "Kam dhënë urdhër dhe sot në spital do të bëhet një mbikëqyrje e jashtëzakonshme inspektuese. Do të kontrollohet i gjithë dokumentacioni në lidhje me të sapolindurit. Shpresoj që gjatë ditës së nesërme do të kemi raport për mbikëqyrjen e inspektoratit”, tha Lazov.

Shkup – Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH) do të kërkojë nga ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari që të formohet një komision i ekspertëve për mjekimin e fëmijës nëntëvjeçar nga Sveti Nikolla, i cili ndërroi jetë më 14 janar. Informacionin sot për MIA-n e konfirmoi drejtori i Inspektoratit, Kiril Llazov. Mbikëqyrje e jashtëzakonshme inspektuese për mjekimin e fëmijës ishte bërë në tre vende – duke filluar nga mjeku amë, Spitali Klinik – Shtip dhe në Klinikën e Sëmundjeve të Fëmijëve në Shkup. Nga mbikëqyrjet e jashtëzakonshme inspektuese të kryera në këto institucione shëndetësore, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor nuk ka konstatuar parregullsi. 

Shkup - SHA EMV Furnizim informoi se për shkak të rritjes së humbjeve të ujit në rrjetin e shpërndarjes së ngrohjes qendrore te një pjesë e konsumatorëve do të ketë shpërndarje të reduktuar të energjisë termike.  "Ekipet e Shpërndarjes së ngrohjes ndodhen në terren dhe po punojnë aktivisht për izolimin e problemit, me qëllim vendosjen e një regjimi hidraulik të qëndrueshëm në sistem dhe normalizimin e furnizimit me energji termike. Të gjitha burimet në dispozicion janë duke u përdorur dhe ekipet po marrin masa të përforcuara dhe po bëjnë përpjekje maksimale për të vendosur furnizimin e rregullt me ​​ngrohje të konsumatorëve sa më shpejt të jetë e mundur," qëndron në informacionin e EMV Furnizim. 

Shkup - Në kinemanë "Sinepleks" në Shkup më 23 janar do të shfaqet premiera e filmit "Të gjithë e thërrasin Rexho". Bëhet fjalë për projektin më të ri të regjisorit Ibër Deari, me skenar të vetë Dearit, në bashkëpunim me Artin Selmanin. Ngjarja e filmit zhvillohet në fshatin Sllupokovë, fshat fiktiv, ku tema e filmit përqendrohet në fenomenin e migrimit, që ka shkaktuar zbrazje të fshatit nga ku shumë të rinj kanë ikur nga vendi.

Tetovë – Mësimi në të gjitha shkollat komunale në Tetovë ka filluar dhe zhvillohet pa probleme. Në komunën e Tetovës funksionojnë 12 shkolla fillore dhe pesë shkolla të mesme komunale, informoi sot udhëheqësi i Sektorit për Veprimtari Publike pranë Komunës Tetovë, Nazmi Dauti në takim me gazetarët. “Komuna e Tetovës ishte vazhdimisht në komunikim me udhëheqësit e shkollave. I kemi ndërmarrë të gjitha hapat që të mund të fillojmë në gjysmë vjetorin e dytë pa kurrfarë probleme. Deri më tani nuk kemi raportuar për kurrfarë problemi nga asnjë shkollë, mësimi do të vazhdojë pa kurrfarë problemesh. Sot ishim në komunikim me drejtorët dhe nuk është raportuar diçka që numër i madh i nxënësve mungojnë nga mësimi”, theksoi Dauti. 

Shkup - Komunikacioni në drejtimin rrugor Vodno e Mesme- Sh. Pantelemon nga ora 11 është normalizuar, informojnë nga NP "Rrugët e Maqedonisë". Më parë, Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) informoi se rruga mes Pantelemonit në Nerez të Epërm dhe Vodno të Mesme nuk është e sigurt për lëvizje të automjeteve motorike dhe bëri thirrje që të mos shfrytëzohet për shkak të ngricave. 

Kavadar - Një zjarr ka përfshirë shtëpinë e të moshuarve në fshatin Çemersko të Kavadarit ku janë të akomoduar 30 persona. Informacionin për MIA-n e ka konfirmuar kryetari i Komunës së Kavadarit, Mitko Jançev. Ai shtoi se në vendin e ngjarjes gjenden ekipe të zjarrfikësve, personelit mjekësor dhe policë. Zjarri është lokalizuar, personat janë evakuuar, informojnë nga shtëpia e të moshuarave "Doktor Janeski".

Shkup - Derivatet nga mesnata shtrenjtohen për gjysmë deri në një denar e gjysmë. Dizeli dhe Vaji ekstra i lehtë për amvisëri shtrenjtohen për gjysmë denarë, ndërsa Eurosuper BS-95 dhe Eurosuper BS-98 për një denar e gjysmë. Sipas vendimit të sotëm të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), nga mesnata rritet edhe çmimi i mazutit për 0,337 denarë për litër.

Shkup - Ekipet e NP Higjiena Komunale - Shkup, gjatë fundjavës së kaluar ngritën dhe transportuan përafërsisht 70 metra kub mbetje nga deponitë e egra të vendosura në komunat Çair dhe Qendër të Shkupit. Në komunën Çair sërish janë realizuar aktivitete në bulevardin Nikolla Karev (rruga e plastikave), ku në këndin me rrugën Maksut Sadik janë ngritur 25 metra kub mbetje komunale të përziera dhe të vëllimshme të hedhura në sipërfaqen publike, në afërsi të këndit të lojërave për fëmijë. 

Bruksel - Komisioni Evropian sot ka refuzuar të konfirmojë apo mohojë raportet e mediave se ish shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, diplomati danez Peter Sorensen, do ta trashëgojë Mirosllav Lajçakun në postin e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Beograd -Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor. "Mandati i Përfaqësuesit Special të BE-së Mirosllav Lajçak zgjat deri në fund të janarit. Aktualisht në vijim është procesi i zgjedhjes së trashëguesit të tij, kështu që ne do t'i rikthehemi kur të kemi më shumë detaje", tha Anita Hiper, zëdhënëse e Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë.

Bruksel - Komisioni Evropian me kujdes ndjek situatën politike në Serbi lidhur me protestat masive të studentëve dhe grupeve të tjera dhe inkurajon të gjithë aktorët politikë që t'i kthehen dialogut dhe të përmbahen nga përshkallëzimi i tensioneve, deklaroi sot zëdhënësi i KE-së për zgjerimin, partneritet ndërkombëtar dhe Mesdheun, Gijom Mersie. "Shprehim shqetësimin për incidentet kundër protestuesve, për të cilat presim hetim të shpejtë", ka thënë Mersie.

Davos - Në qytetin zviceran Davos sot fillon Forumi ekonomik botëror në të cilin do të marrin pjesë rreth 900 drejtorë ekzekutiv dhe 60 krerë shtetesh dhe kryeministra. Fjalimet e liderëve do të fillojnë nesër pas hapjes së sotme solemne të konferencës vjetore të Forumin ekonomik botëror.  Programi zyrtar përfshin bisedime dhe panele mbi krimin kibernetik, inteligjencën artificiale dhe ndryshimet teknologjike, nën moton "bashkëpunim për një epokë inteligjente".

Uashington - Presidenti amerikan Xho Bajden fali Dr. Entoni Fauçin, gjeneralin në pension Mark Milli dhe anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që hetuan sulmin e 6 janarit në Kapitoll, duke përdorur kompetenca të veçanta në orët e fundit të mandatit të tij, në mënyrë që të parandalohen pasojat e mundshme ligjore për të tre pasi Trampi të kthehet në pushtet. Mediat britanike transmetuan se vendimi më i ri i Bajdenit vjen pasi Trampi paralajmëroi në listën e armiqve, ku gjenden ata të cilët politikisht e kundërshtuan ose tentuan t'i bëjnë thirrje në përgjegjësi për ta përmbysur humbjen e tij zgjedhore në vitin 2020 dhe rolin e tij në sulmin e Kapitolit më 6 janar të vitit 2021.

Tel Aviv - Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotriç, foli në radion e ushtrisë izraelite për mbështetje të pushtimit izraelit në të gjithë Rripin e Gazës, njoftoi DPA. Smotriç, lideri i Partisë sioniste fetare, është një nga zyrtarët qeveritarë që kritikon marrëveshjen e paqes me Hamasin. "Duhet të pushtojmë të gjithë Rripin e Gazës dhe të vendosim autoritet ushtarak atje Nuk ka asnjë "forcë të tretë" që mund të garantojë sigurinë atje", tha Smotriç.

Shkup – Moti deri në fund të ditës do të jetë i ndryshueshëm me vranësira ne periudha dielli. Nëpër disa lugina në pjesën më të madhe të ditës me mjegull dhe vranësira të ulëta. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i ndryshueshëm. Temperatura maksimale në lugina me mjegull do të lëvizë në interval prej -3 deri 2, ndërsa në pjesën tjetër të vendit prej 6 deri 10 gradë, informojnë nga DPHM.  Në Shkup, në pjesën më të madhe të ditës do të ketë mjegull dhe vranësira të ulëta. Pasdite do të ketë ulje të pjesshme të vranësirave. Temperatura do të jetë deri 2 gradë. 

Остани поврзан