9:00/ 22 janar/ 2025
Shkup - Kuvendit sot në orën 13 duhet ta vazhdojë seancën e 31-të. Deputetët duhet të debatojnë për ndryshimet e Ligjit për veprimtari komunale, për ndryshmet dhe plotësimet e Ligjit për policinë financiare, për ndryshimet e Ligjit për ndërtim dhe për ndryshimet e Ligjit për transportin rrugor, të gjitha me procedurë të shkurtuar. Kuvendit dje në kuadër të seancës së 31-të pa diskutim e mbylli debatin e përgjithshëm për Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj femrave dhe dhuna në familje dhe Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve, të dy në lëxim të parë, me konkluzion se janë të pranueshem për t'u përcjellë në lexim të dytë edhe në Komisionin për mundësi të barabarta edhe në Komisionin juridiko-ligjvënës.
Shkup - Në Kuvend sot seanca do të mbajnë komisionet për financim dhe buxhet, për transport, transformim digjital, mjedis të jetesës dhe planifikim hapësinor, për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve dhe Komisioni ligjdhënës-juridik. Në rend të ditës të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve janë Propozim-vendimi për përcaktimin e koeficienteve për konfirmimin e pagës së Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe funkisonarëve, të cilët i zgjedh dhe emëron Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Konfirmimi i Propozim vendimit për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për cilësi në arsimin e lartë. Komisioni për transport, transformim digjital, mjedis të jetesës dhe planifikim hapësinor duhet t'i shqyrtojë ndryshimet e Ligjit për veprimtari komunale, të Ligjit për transport në komunikacionin rrugor dhe ndryshimet e Ligjit për ndërtim, të gjitha me procedurë të shkurtuar.
Shkup – Çerdhja e re “Rilindja” në kuadër të Institucionit Publik “Rinia” do të hapet sot në Tetovë, njoftoi Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Me rastin e hapjes së çerdhes, janë paralajmëruar fjalime të ministrit të këtij dikasteri, Fatmir Limani, ambasadorit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami dhe drejtoreshës së IP “Rinia”- Tetovë, Fatlinda Jaja.
Shkup - Dukshmëri e ulur deri në 50 metra për shkak të mjegullës ka në qafën malore Gjavatë dhe Presekë, si dhe në Stracin, Prilep, Koçani dhe luginën e Strumicës. Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa ndërprerje, në kushte dimërore, nëpër rrugë kryesisht të lagështa. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti. Nga data 15.11.2024 fillon detyrimi ligjor për posedim të detyrueshëm të pajisjeve dimërore në vetura, pa marrë parasysh gjendjen momentale të motit. Ky detyrim do të zgjasë deri më 15.03.2025.
Shkup – Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me periudha dielli. Nëpër lugina do të ketë paraqitje të mjegullës. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare, në pjesët perëndimore nga drejtimi perëndimor, ndërsa në pjesët juglindore nga drejtimi veriperëndimor. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej -3 deri 4, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 4 deri 12 gradë. Në Shkup mot i ndryshueshëm dhe i qetë me paraqitje të mjegullës. Temperatura minimale do të bie deri -1, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 4 gradë.
Berlin – Kancelari gjerman, Olaf Shollc planifikon të udhëtojë në Paris sot në takim me presidentin francez Emanuel Makron dy ditë pas inaugurimit të presidentit amerikan Donald Tramp. Takimi pritet rreth mesditës, informon DPA. Krahas pozicionimit të ardhshëm të BE-së në raport me SHBA-në, bisedimet sipas gjitha gjasave do të përqendrohen edhe në luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Lindjen e Mesme. Shollci nuk është politikani i vetëm udhëheqës gjerman i cili udhëton në Francë për momentin.
Davos - Presidenti amerikan Volodimir Zelenski deklaroi se për të parandaluar një ofensivë të re ruse, nevojiten të paktën 200,000 paqeruajtës nga Evropa. Zelenski e bëri deklaratën në Forumin ekonomin botëror në Davos, Zvicër, një ditë pasi Donald Tramp përsëri e mori funksionin e presidentit të SHBA-së me një premtim për një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë. Lideri ukrainas u bëri thirrjeve vendeve evropiane të ndërmarrin hapa më vendimtare për të mbrojtur kontinentin. "200,000, ky është minimumi. Çdo gjë më poshtë do të ishte e barabartë me asgjë", tha Zelenski duke marrë pjesë në panel diskutimin pas fjalimit të tij në forum. Ai nuk dha detaje për planin, por vetëm theksoi se për një marrëveshje të tillë me shumë gjasa do të duhen paqeruajtës evropianë për të ruajtur stabilitetin.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se me siguri do të vendos sanksione ndaj Rusisë nëse lideri i saj Vlladimir Putin refuzon të negociojë për përfundimin e luftës në Ukrainë. Tramp nuk dha hollësira për sanksione eventuale shtesë. SHBA-ja tashmë ka vendosur sanksione serioze ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të saj ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Sipas Trampit, administrata e tij mendon edhe për dërgimin e armës për Kievin.
Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp premtoi se do të vendosë dogana për BE-në dhe se administrata e tij po shqyrton opsione që të vendosë dogana prej 10 për qind për mallra të importuara nga Kina nga 1 shkurti. Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i SHBA-së tha se tashmë ka vendosur dogana të mëdha për Kinën gjatë kohës së mandatit të tij të parë. Ai shtoi se BE-ja dhe vendet e tjera, gjithashtu, kanë çekuilibër shqetësues tregtar me SHBA-në.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se është i hapur për mundësinë që miliarderi teknologjik Ilon Mask të blejë aplikacionin për video të shkurtra, nëse drejtori ekzekutiv i Tesllës dëshiron ta bëjë këtë. "Do të isha i gatshëm nëse do të donte ta blinte atë”, tha Tramp, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse Mask është i gatshëm të blejë platformën sociale.
Uashington - Rreth 47 për qind të amerikanëve e miratojnë presidencën e Donald Trampit pas kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë këtë javë, tregon anketa më e re e Rojters/Ipsos. Sipas mediumeve amerikane, kjo është shenjë e polarizimit të vazhdueshëm të shoqërisë amerikane pas fitores së republikanëve në zgjedhjet presidenciale në nëntor vitin e kaluar. Anketa, e zbatuar në dy ditët e para të javës pas inaugurimit të Trampit, tregon se popullariteti i tij ështtë më i madh sesa ishte në pjesën më të madhe të mandatit të tij të parë në vitin 2017 deri në fillim të vitit 2021.
Uashington – Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp paralajmëroi investim të madh për ndërtimin e infrastrukturës për inteligjencën artificiale e kryesuar nga gjiganti japonez Softbank, gjiganti Oracle dhe ChatGPT / OpenAI. Ajo sipërmarrje, e quajtur “Stargejt”, “do të investojë të paktën 500 miliardë dollarë në infrastrukturën e inteligjencës artificiale në SHBA”, tha Trampi në deklaratën në Shtëpinë e Bardhë. “Kjo sipërmarrje monumentale është deklaratë e zëshme për besim në potencialin e SHBA-së”. Drejtori kryesor ekzekutiv i OpenAI, Sem Altman, shefi i SoftBank, Masajoshi Son dhe themeluesi i Oracle, Leri Elison, morën pjesë në publikim.
Tel Aviv - Katër persona janë lënduar në një sulm me thikë në Tel Aviv, kumtuan shërbimet izraelite për ndihmë urgjente, njoftoi DPA. Sulmuesi është qëlluar nga një kalimtar i rastit në vendin e ngjarjes. Sulmi ka ndodhur në qendrën e qytetit, në rajon të popullarizuar me shumë restorante dhe kafene. Policia nuk e përjashton mundësinë se bëhet fjalë për sulm terrorist. Ky është sulmi i dytë me thikë në Tel Aviv për katër ditë. Të shtunën e kaluar, edhe një njeri u lëndua rëndë në një incident të ngjashëm, ndërsa sulmuesi i dyshuar u qëllua nga një kalimtar i rastit.
Gazë - KB kumtoi se mbi 2.400 kamionë me ndihmë humanitare kanë mbërritur në Rripin e Gazës për tre ditë që nga fillimi i armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Vetëm dje, në enklavën palestineze kanë hyrë 897 kamionë me ndihmë. Gjithashtu, të dielën kanë hyrë 630 kamionë, ndërsa të hënën 915. Armëpushimi parashikon të paktën 600 kamionë në ditë, prej të cilëve 50 duhet të transportojnë karburant, ndërsa gjysma e ndihmës së përgjithshme është destinuar për pjesën veriore të Gazës, ku banorët përballen me kërcënim nga uria.
Los Anxhelos - Numri i viktimave në zjarret në Los Anxhelos është rritur në 28, kumtuan sot autoritetet lokale. Në zjarrin në qarkun Iton, i cili përfshiu më shumë se 14.000 hektarë në lagjen Altadena, jetën e kanë humbur të paktën 17 persona. Në zjarrin në qarkun Palisejds, i cili shkatërroi më shumë se 23.000 hektarë, jetën e kanë humbur 11 persona, njoftoi Ej-Bi-Si njuz. Sipas informatave të qasshme, në zjarrin në Pacifik Palisejds, i cili shpërtheu më 7 janar, deri tani janë shkatërruar ose dëmtuar mbi 6.000 objekte.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se paraardhësi i tij Xhozef Bajden i ka lënë një porosi "frymëzuese" në tavolinën e tij në Zyrën ovale në Shtëpinë e Bardhë, duke e vazhduar traditën e shkëmbimit të letrave në ditën e inaugurimit. Tramp u tha gazetarëve se ai e hapi letrën të hënën mbrëma dhe ende po mendon nëse do ta publikojë. Sipas tij, Bajden e këshilloi në letrën që të shijojë mandatin e tij dhe theksoi rëndësinë e presidencës.
Kuala Lumpur – Asociacioni i Shteteve nga Azia Juglindore (ASEAN) të martën publikoi një kumtesë në të cilën e përshëndeti arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe grupit radikal palestinez Hamas në Rripin e Gazës, ndërsa njëkohësisht bëri thirrje për zbatim të plotë të saj. Blloku e ka parasysh më së shumti lirimin e të gjitha pengjeve të cilët i mban Hamasi, si dhe të burgosurve palestinezë në Izrael, thuhet në kumtesën e vendit kryesues, Malezia.
Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp e amnistoi Ros Ulbriht, themeluesin e dark ueb “Silk Roud”, i cili ishte dënuar me burg të përjetshëm për menaxhim me platformë të jashtëligjshme onllajn në të cilën shiteshin narkotikë. Vlera e përgjithshme e shitjes ishte më shumë se 200 milionë dollarë, me çka ishte shfrytëzuar bitkoini si mjet për pagesë. Trampi e përmbushi premtimin e tij nga maji për lirimin e 40-vjeçarit Ulbriht, i cili ishte arrestuar në vitin 2013 dhe ishte dënuar në vitin 2015.
Uashington – Disa orë pas dhënies së betimit të Donald Trampit si president i SHBA-së, administrata e tij e hoqi versionin spanjoll të ueb-faqes zyrtare të Shtëpisë së Bardhë. Shfrytëzuesit të cilët po bëjnë përpjekje të kenë qasje në versionin spanjoll të ueb-faqes marrin porosi për gabim („Error 404“), që tregon se faqja nuk ekziston më ose nuk është në dispozicion. Gjithashtu, opsioni me titull „Go Home“ (Kthehu në faqen e parë) i dërgon shfrytëzuesit e faqes në video të Donald Trampit gjatë kohës së vitit të tij të parë si president dhe gjatë kohës së fushatës së tij.