9:00/ 21 janar/ 2025
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili është për vizitë në SHBA, është takuar me përfaqësues të organizatës "Maqedonia 2025". Për këtë takim, Miskoski informoi në Fejsbuk. "Në Uashington, në takim me Maqedonia 2025, e theksojmë përkushtimin tonë për një të ardhme më të mirë. Pavarësisht nëse jemi në shtëpi, në Evropë apo në SHBA, lufta gjithmonë është e synuar drejt krijimit të kushteve më të mira për jetë dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë", ka shkruar Mickoski në publikimin. Mickoski mori pjesë në inaugurimin e presidentit amerikan Donald Tramp. Aktivitetet inauguruese, siç publikoi në Fesjbuk, i ka ndjekur së bashku me kryetarin e Partisë Republikane të SHBA-së, Majkëll Vatlli, në pjesën Vip në Uashington.
Shkup - Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve kthehet përsëri në procedurë parlamentare në seancën e sotme të 31-të, pasi presidentja Gordana Siljanovska Davkova kohë më parë nuk e nënshkroi dekretin për shpalljen e Ligjit. Deputetët e votuan këtë ligj më 24 dhjetor në seancën e 27-të plenare, me shumicë të thjeshtë dhe Badenter. Me mosnënshkrimin e Dekretit, ndryshimet ligjore kthehen në Kuvend dhe nëse votohen sërish, presidentja do të duhet ta nënshkruajë dekretin. Në shpjegimin e presidentes thuhet se ndryshimet e votuara të Ligjit përmbajnë disa dispozita kontestuese. Në sqarim ajo thekson se ka bërë analiza të thella dhe konsultime me ekspertë, pas së cilës kërkon rishikimin e dispozitave të neneve 9 dhe 10 të Propozim- ligjit.
Shkup - Në Kuvend sot do të mbajnë mbledhje tre komisione - Komisioni për financim dhe buxhet, Komisioni për politikë të jashtme dhe tregti të jashtme dhe Komisioni ligjdhënës-juridik. Anëtarët e Komisionit për financim dhe buxhet do të debatojnë për Planin financiar të Agjencisë për supervizion të sigurimeve për vitin 2025. Propozim-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Instrument mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për aranzhmane të posaçme për zbatimin e përkrahjes nga Unioni në pajtim me Instrumentin për reforma dhe rritje, është në rend të ditës të Komisionit për politikë të jashtme dhe tregti të jashtme dhe Komisionit ligjdhënës-juridik.
Shkup - Këshilli për etikë në media në Maqedoni (KEMM) sot në konferencë për shtyp do të prezantojë pasqyrën statistikore për ankesat e pranuara dhe të përpunuara në vitin 2024. Kryetarja e Komisionit për ankesa pranë KEMM, Snezhana Tërpevska do të prezantojë një analizë të shkurtër të trendeve në raportimin mediatik dhe shkeljet më të shpeshta të Kodit të Gazetarëve dhe Udhëzimeve për raportim onlajn mediave.
Shkup - Panel diskutim në të cilin do të prezantohet nisma "Tre detet", mundësitë për bashkëpunim ekonomik ndërmjet anëtarëve të saj dhe kontributin në zhvillimin e tyre ekonomik, me rishikim të veçantë në infrastrukturë dhe përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përforcimin e boshtit veri-jug në Evropën lindore, sot do të mbahet në Shkup në organizim të Odës Ekonomike në bashkëpunim me Institutin për nisma dhe politika strategjike. Nisma "Tre detet", përfshin trembëdhjetë vende-anëtare të BE-së të vendosura midis Detit Baltik, të Zi dhe Adriatik, përkatësisht Austria, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia dhe Greqia.
Shkup – Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski sot në konferencë për media do të informojë për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Siguri Kibernetike 2025–2028. Ministri Andonovski në debatin publik për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Siguri Kibernetike 2024-2028 të mbajtur më 1 nëntor të vitit 2024, theksoi se strategjia është dokument strategjik dhe “kornizë gjithëpërfshirëse për aksion e cila do të sigurojë përgjigje të koordinuar kombëtare në kërcënimet kibernetike bashkëkohore dhe do të kontribuojë për të ardhme më të sigurt digjitale të shtetit tonë”. Është përgatitur, siç tha atëherë, me nivelin më të lartë të transparencës dhe gjithëpërfshirjes sepse i ka përfshirë të gjitha palët e prekura.
Shkup - Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi bashkë me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi dhe zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti nga Uashingtoni kanë uruar marrjen e detyrës presidentit të 47-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp. Në urimin e tyre, ata theksuan rëndësinë strategjike të marrëdhënieve me SHBA-në, duke theksuar se ky shtet mbetet partneri dhe aleati më i rëndësishëm, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjithë kombin në tërësi. “Shprehim besimin tonë të plotë se SHBA-ja, nën lidershipin e ri, do të vazhdojë të jetë mbështetëse në përballimin e sfidave të përbashkëta dhe në forcimin e bashkëpunimit dypalësh”, deklaruan zyrtarët nga Maqedonia e Veriut.
Shkup - Të reshura të borës me intensitet të dobët në orët e mëngjesit regjistrohen në Mavrovë dhe në qafat malore Bukovë, Gjavato dhe Pletvar, por në këtë moment nuk paraqesin pengesë për zhvillimin e komunikacionit. Dukshmëri të zvogëluar për shkak të mjegullës prej 100-150 metra ka në akset rrugore Shkup-Tetovë dhe Veles-Katllanovë. Sipas informatave të LAMM-së, intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar, ndërsa në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka ndalesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.
Shkup – Moti sot paradite do të jetë me mjegull dhe vranësira të ulëta nëpër disa lugina, ndërsa gjatë ditës do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me reshje të kohëpaskohshme të shiut dhe borës në vendet më të ulëta dhe të borës në vendet më të larta dhe në male. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej -5 deri 1, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 2 deri 9 gradë Celsius. Në Shkup, paradite do të ketë mjegull, ndërsa gjatë ditës moti do të jetë kryesisht i vranët me kushte për reshje të kohëpaskohshme të dobëta të shiut. Temperatura minimale do të bie deri në -4, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 4 gradë.
Ankara - Një zjarr shpërtheu në një hotel në ski-qendrën e popullarizuar turke Kartalkaja në provincën qendrore Bollu, me ç'rast jetën e kanë humbur 10 persona, ndërsa 32 janë lënduar, njoftoi ministri turk i Punëve të Brendshme, Ali Jerlikaja. Zjarri shpërtheu në ora 3:27, publikoi ministri turk në "X".
Bruksel - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute pret që kthimi i Donald Trampit si president i SHBA-së të nënkuptojë forcim të shpejtë dhe domethënës të aleancës ushtarake perëndimore. "Me kthimin e presidentit Tramp në detyrë, do të 'rrisim' shpenzimet për mbrojtje dhe prodhim", shkruan Rute në X. Rute shprehu "urime të ngrohta" për Trampin për inaugurimin e tij si president i 47-të i SHBA-së dhe të Xhej- Di Vens si zëvendëspresident. "Së bashku mund të arrijmë paqen përmes forcës - përmes NATO-s", nënvizoi Rute.
Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp deklaroi se po shqyrton vendosjen e taksës prej 25 për qind për të gjitha mallrat që vijnë nga Kanadaja dhe Meksika duke filluar nga 1 shkurti. “Mendojmë për taksë prej 25% për Meksikën dhe Kanadanë, sepse u lejojnë shumë njerëzve të hyjnë në SHBA”, ka thënë Trampi në Shtëpinë e Bardhë disa orë pasi mori detyrën. Ai tha se tarifat po mendohet të hyjnë në fuqi nga 1 shkurti.
Uashington - Presidenti i SHBA-së Donald Tramp i ka bërë thirrje presidentit rus, Vlladimir Putin të pajtohet për marrëveshje me Ukrainën. Trampi tha edhe se Putini po e shkatërron Rusinë me mosgatishmërinë për të arritur marrëveshje. Putini paraprakisht uroi Trampin për inaugurimin e tij dhe tha se Moska dëshiron "paqe të përhershme" me Kievin. Donald Tramp bëri me dije se do të takohet me Putinin, por se ende nuk është përcaktuar datë për takimin. Ai po ashtu premtoi se do t'i japë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës sa më shpejtë.
Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp nënshkroi urdhër ekzekutiv me të cilin shtyhet zbatimi i ndalesës për përdorimin e aplikacionit TikTok në SHBA për 75 ditë. Urdhri përmban udhëzime që prokurori publik të mos e zbatojë ndalesën që “qeveria ime të mund të përcaktojë veprime adekuate lidhur me TikTok-un”. Krahas kësaj, me urdhrin e tij ekzekutiv, Trampi e urdhëron Ministrinë e Drejtësisë tu dërgojë letra kompanive si Ejpëll dhe Gugëll të cilat punojnë me TikTokun në të cilat duhet të sqarohet se nuk do të jenë përgjegjës për shfrytëzimin e TikTok-ut në periudhën e theksuar kohore.
Uashington - SHBA duhet ta kontrollojë Grenlandën për të garantuar siguri ndërkombëtare, deklaroi presidenti amerikan, Donald Tramp. Tramp e tha këtë gjatë nënshkrimit të urdhrave ekzekutivë në Zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë në ditën e parë të mandatit të tij të dytë presidencial, raportojnë mediat amerikane. Ai shprehu interes për aneksimin e Grenlandës, një territor autonom danez ndaj SHBA-së pasi u rizgjodh për president nëntorin e kaluar. Tramp nuk e përjashton përdorimin e forcës ushtarake ose ekonomike për të bindur Danimarkën që të heqë dorë nga Grenlanda.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp amnistoi 1.500 persona të akuzuar lidhur me bastisjen në Kapitoll Hill më 6 janar të vitit 2021. "Presim të dalin sonte. E presim këtë", tha Tramp. Presidenti shtoi edhe se gjashtë të akuzuarve do t'u zvogëlohen dënimet. Falja e këtyre të akuzuarve është plotësimi i një prej premtimeve të tij parazgjedhore, në të vërtetë t'u ndihmojë përkrahësve të tij, të cilët ishin të akuzuar dhe të burgosur lidhur me bastisjen në Kapitoll, qëllimi i të cilëve ishte të pengohet konfirmimi për fitoren e Xho Bajdenit në zgjedhjet presidenciale në vitin 2020, njoftuan mediumet amerikane.
Uashington – Presidenti amerikan, Donald Tramp deklaroi se nuk është i bindur se marrëveshja për armëpushim në Gazë do të zbatohet. I pyetur nga gazetarët teksa kthehej në Shtëpinë e Bardhë nëse të dyja palët do ta ruanin armëpushimin dhe të vazhdojnë me marrëveshjen, Trampi u përgjigj: "Nuk jam i sigurt". “Kjo nuk është lufta jonë, është luftë e tyre. Por unë nuk jam i sigurt”, ka thënë Trampi. Tramp, megjithatë, tha se beson se Hamasi është "dobësuar" në luftën që filloi me Izraelin më 7 tetor 2023.
Uashington – Zëvendësdrejtori shumëvjeçar i Byrosë federale të hetimeve të SHBA-së (FBI), Pol Abejt ka dhënë dorëheqje, bëjnë të ditur mediat amerikane, duke cituar një email që ai ka dërguar deri te drejtuesit e lartë. Pritej që Abejt ta zëvendësojë ushtruesin e detyrës drejtor të FBI-së, Kristofer Vrej. Ende nuk dihet se kush do të drejtojë FBI-në, pasi për momentin po zhvillohet proces i konfirmimit për drejtorin Kash Patel, të nominuar nga presidenti amerikan Donald Tramp.
Uashington – Ish presidenti amerikan Xho Bajden, në minutat e fundit të mandatit të tij, në mënyrë preventive ka falur pesë anëtarë të familjes së tij – vëllain Xhejms dhe bashkëshorten e tij Sara, vëllain Frensis, motrën më të re Valeri Bajden Ovens dhe bashkëshortin e saj Xhon Ovens, sepse, siç tha, ata u ishin “nënshtruar sulmeve dhe kërcënimeve të pamëshirshme”. Vendimi erdhi pasi Bajdeni paraprakisht në mënyrë kontroverse e fali djalin e tij Hanter, i cili ishte akuzuar për krime dhe përballej me burg, ndërsa gjithashtu në mënyrë preventive fali disa nga armiqtë e Trampit, siç janë dr.Entoni Fauçi dhe gjeneralin Mark Milli.
Tajpei - Një tërmet me intensitet prej 6,4 ballë sipas shkallës së Rihterit mbrëmë u regjistrua në pjesën jugore të Tajvanit, me ç'rast më lehtë janë lënduar 27 persona dhe dëmtuar disa objekte. Gjashtë prej të lënduarve, mes të cilëve edhe një foshnje, janë shpëtuar nga rrënojat e një shtëpie në qarkun Nanksi. Epiqendra e tërmetit ka qenë në qytetin Dapu, qarku Çijaji, në thellësi prej 9,7 kilometrave.
Gazë - Hamasi dje kumtoi se grupi tjetër i pengjeve izraelite, të cilët mbahen në Rripin e Gazës, do të lirohet siç ishte planifikuar, të shtunën (25 janar). Kumtesa u publikua pasi zëdhënësi i Hamasi, Nahed al Fahuri deklaroi se pengjet do të lirohen një ditë më vone se sa pritej. Është planifikuar Hamasi të lirojë mbi 90 pengje izraelite në javët e ardhshme si pjesë e Marrëveshjes për armëpushim në Rripin e Gazës.
Kabul - Qeveria e talebanëve në Afganistan njoftoi se pas "negociatave të gjata", SHBA-ja ka liruar një të burgosur afgan në këmbim për të burgosur amerikanë. "Luftëtari afgan, Kan Mohamed, i cili vuan dënim me burg në Amerikë, u lirua në këmbim për shtetas amerikanë dhe u dërgua në shtëpi", kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme nën kontroll të talebanëve, përmes porosisë në "Iks", duke shtuar se shtetasi i arrestuar afgan ka vuajtur dënim të përjetshëm në Kaliforni, pasi u arrestua para më shumë se dy dekadave.Paralajmërimi për këmbim vijoi një ditë pas inaugurimit të presidentit të ri amerikan, Donald Tramp. Pasi kandidati republikan është rizgjedhur në nëntor, qeveria talebane njoftoi se shpreson se do të hapë "kapitull të ri" në marrëdhëniet bilaterale me SHBA-në.
Varazhdin – Me ndeshjen kundër Austrisë sot pasdite në Varazhdin, reprezentacioni i Maqedonisë do ta fillojë fazën kryesore të grupeve të Kampionatit botëror në hendboll 2025. Pas ndeshjeve në grupe, reprezentacioni bart një pikë, ndërsa austriakët dy në Grupin e sapoformuar -2. Përzgjedhësit e trajnerit Kiril Llazarov dje në mbrëmje janë stërvitur në përbërje të plotë dhe të përgatitur presin sfidën e radhës. Me një fitore të mundshme, reprezentacioni i Maqedonisë do ta kalojë Austrinë dhe do të ruajë shanset për një renditje më të lartë, apo edhe çerekfinale. Takimi është caktuar në orën 15:30.