9:00/ 23 janar/ 2025
Shkup - Mihalis Rokas, shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, sot do të qëndrojë për vizitë në Kumanovë. Ky aktivitet është pjesë e serisë së vizitave në komunave, përmes të cilave qytetarët dhe institucionet kanë mundësi të njoftohen me përfitimet nga procesi i inkuadrimit në Bashkimit Evropian. Përmes vizitave të tilla theksohet rëndësia e integrimit dhe kontributi i saj në zhvillimin e bashkësive lokale. Siç informojnë nga Delegacioni i BE-së, ambasadori Rokas gjatë vizitës do të takohet me kryetarin e komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Shefi i delegacionit të BE-së do të bisedojë edhe me anëtarët e Këshillit të komunës. Ambasadori do të takohet edhe me përfaqësues të organizatave qytetare dhe do të marrë pjesë në debatin me qytetarët "Pyete ambasadorin", me qëllim që të bisedohet për çështje të lidhura me rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Shkup - Këshilli i ambasadorëve të Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Këshillin e ambasadorëve të Shqipërisë dhe organizatat partnere - Këshillin atlantik nga Bosnje e Hercegovina, Instituti për zhvillim të qëndrueshëm demokratik nga Kosova dhe Horizonti i ri nga Mali i Zi sot në Shkup organizon punëtorinë me titull: “Dialog me shoqërinë civile për ndryshime në Ballkanin Perëndimor”. Me këtë rast theksi do të vihet në aftësitë e komunikimit diplomatik, si dhe komunikimit ndërmjet organizatave civile dhe shoqatave civile në vendet e rajonit për ndryshime pozitive. Punëtoria është pjesë e projektit rajonal të mbështetur nga një grant nga BE/Fondi për Ballkanin Perëndimor.
Shkup - Tre persona janë lënduar në një aksident zinxhiror që ka ndodhur mbrëmë në qarkoren e Shkupit në afërsi të liqenit të Smilkovës, në të cilin janë përfshirë tre automobila, një kamion dhe një autobus, kumtoi MPB-ja. "Me datë 22.01.2025 rreth orës 20:20 në SPB Shkup është raportuar se ka ndodhur një aksident trafiku në qarkoren e Shkupit, kryqëzimin e Butelit në afërsi të liqenit të Smilkovës në drejtim të Haraçinës, në të cilin janë përfshirë tre automobila, një automjet për transportim të mallrave dhe një autobus i parkuar. Në aksident janë lënduar tre pjesëmarrës të cilët janë transportuar në klinikat e Shkupit", theksojnë nga MPB.
Shkup – Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me periudha dielli më të shpeshta në pjesën lindore dhe me erë të lehtë jugperëndimore. Nëpër lugina do të ketë paraqitje të mjegullës dhe vranësira të ulëta e cila gjatë ditës do të dobësohet. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej -5 deri 4, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 5 deri 14 gradë. Në Shkup mot i ndryshueshëm me vranësira dhe i qetë me paraqitje të mjegullës e cila në mes të ditës do të ulet. Temperatura minimale do të bie deri -1, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 9 gradë.
Shkup – Pa rrymë sot prej orës 9:00 deri në orën 14:00 do të mbesin një pjesë e banorëve të fshatit Kondovë. Në periudhën prej orës 8:30 deri në orën 15 pa furnizim me energji elektrike do të jenë një pjesë e shfrytëzuesve të rrugëve “Stobi, “Probishtipska”, “Mice Kozar” dhe “Socialistiçka zora” në Komunën Gjorçe Petrov. Pa rrymë prej orës 9:00 deri në orën 15:00 do të jenë një pjesë e fshatrave Pakoshevë dhe Novo Sellë në Komunën Zelenikovë. Siç bëri të ditur QRMK – Shkup, ndërprerjet janë për shkak të intervenimeve teknike në rrjetin elektrodistributiv.
Shkup – Për shkak të mjegullës, dukshmëri të ulur prej 50 deri 100 metra ka në qafën malore Stracin, Manastir, Prilep, Makedonski Brod, Koçan, Dellçevë, Strumicë dhe Petrovec, njoftoi LAMM. Komunikacioni në rrugët e tjera në shtet zhvillohet në kushte dimërore, nëpër rrugë kryesisht të lagështa. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.
Berlin - Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Analena Berbok deklaroi se një mision i mundshëm paqeruajtës në Ukrainë duhet të përfshijë evropianë, si dhe përfaqësues nga rajone tjera, dhe nuk e përjashtoi mundësinë e pjesëmarrjes së përfaqësuesve gjermanë. Lidhur me mundësinë e dërgimit të trupave gjermane në Ukrainë, Berbok theksoi se po shqyrton "elemente të ndryshime të përpjekjeve të qëndrueshme paqëruajtëse në bashkëpunim me partnerët kryesorë evropianë dhe Ukrainën".
Bern – Hakerët rusë e sulmuan kantonin Shafhauzen në veri të Zvicrës dhe qytetet Gjenevë dhe Siera dhe i paralizuan ueb-faqet e tyre, informuan mbrëmë mediat zvicerane. Shërbimi informativ i Shafhauzen, duke punuar me një ofrues të jashtëm, ka arritur që plotësisht të mbrohet nga sulmi dhe puna e administratës nuk ishte rrezikuar, bëhet e ditur në kumtesë. Qendra kombëtare për siguri kibernetike ka paraparë sulme të tilla gjatë kohës së Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Grupi rus i hakërreve NoName e mori përgjegjësinë për sulmet kibernetike, sipas mediave lokale. Ai grup qëndron edhe pas sulmeve DDoS lidhur me konferencën ukrainase në Burgenstok në qershor të vitit 2024.
Vilnus - Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius deklaroi dje se ekziston mundësia teorike që Rusia të tentojë të sulmojë një shtet anëtar të NATO-s në periudhën e vitit 2029-2030. "Ekspertët ushtarakë me kujdes ndjekin zhvillimet në Rusi. Industria ushtarake atje po zhvillohet ndjeshëm, po prodhohen shumë tanke dhe aeroplanë, që do të thotë se forcat e armatosura ruse po rriten ndjeshëm. Deri në vitin 2026, numri i tyre me gjasë do të rritet në 1.5 milion ushtarë", ka thënë Pistorius gjatë një vizite në Lituani. Ai shton se ekspertët ushtarakë besojnë se presidenti rus Vlladimir Putin teorikisht mund të riorganizojë forcat e tij të armatosura në vitin 2029-2030 për të krijuar kushte të favorshme për të sulmuar vendet e tjera, veçanërisht vendet e NATO-s.
Uashington - Armata amerikane do të dërgojë edhe 1.500 ushtarë në kufirin me Meksikën, kumtoi Shtëpia e Bardhë dy ditë pasi presidenti Donald Tramp e ka nënshkruar dekretin për migrim. Trupat shtesë përfshijnë 500 marinsa, si dhe ekipazhe të helikopterëve të armatës dhe analitikë të intelegjencës. Ata do t'u bashkangjiten 2.200 personave aktivë ushtarakë dhe mijërave ushtarëve të Gardës kombëtare, të cilët ishin në kufi para inaugurimit të Trampit.
Nju Jork - Miliarderi Majkëll Blumberg bëri të ditur se fondacioni i tij do të përfshihet në financimin e trupit të KB-së për ndryshimet klimatike, pasi presidenti Donald Tramp informoi se SHBA do të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit. Ndërhyrja e Blumbergut ka për qëllim të sigurojë që Konventa kornizë e KB-së për ndryshimet klimatike (UNFCCC) të mbetet plotësisht e financuar edhe krahas asaj se SHBA ka ndërprerë kontributin e saj. SHBA zakonisht siguron 22 për qind të buxhetit të sekretariatit të UNFCCC-së, ndërsa kostot operative të këtij trupi për 2024-2025 janë parashikuar në 88.4 milionë euro.
Uashington - Presidenti amerikane Donald Tramp publikoi se e ka zgjedhur Shon Karanin për drejtor të Shërbimit sekret amerikan, Karan ishte pjesë e sigurimit të Trampit gjatë përpjekjes për atentat në Batler, Pensilvania, korrikun e kaluar. "Ai e demonstroi guximin e tij të madh kur rrezikoi jetën e tij për të më shpëtuar nga plumbi i një atentatori në Batler, Pensilvani. Unë kam besim të plotë dhe absolut te Shon se do ta bëjë Shërbimin sekret më të fortë se kurrë", theksoi Tramp në deklaratën.
Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp e ka shpallur lëvizjen jemenase Huthët të njohur si “Ansar Allah”, si organizatë të huaj terroriste, bën të ditur Shtëpia e Bardhë. Me këtë parashihen sanksione më të rrepta nga ato që vendosi administrata e Xho Bajdenit kundër Huthëve si përgjigje e sulmeve të tyre ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq dhe ndaj anijeve luftarake amerikane që mbrojnë korridorin kritik detar. “Aktivitetet e Huthëve kërcënojnë sigurinë e civilëve dhe personelit amerikan në Lindjen e Mesme, sigurinë e partnerëve tanë më të afërt rajonal dhe stabilitetin e tregtisë globale detare”, theksohet në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë.
Nju-Jork - Bandat në Haiti mund ta pushtojnë tërësisht kryeqendrën Port-o-Prens, gjë që do të sillte deri në kolaps të plotë të pushtetit shtetëror, nëse nuk sigurohet përkrahje shtesë ndërkombëtare për policinë e dobësuar kombëtare, paralajmëroi sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh. Në raportin e prezantuar në seancën e mbrëmshme të Këshillit për siguri, Guteresh ka shprehur brengosje për gjendjen e përkeqësuar në vendin më të varfër në Hemisferën perëndimore dhe theksoi se "koha është kyçe".
Uashington - Sekretari shtetëror amerikan, Marko Rubio pati një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, ku theksoi se mbështetja e SHBA-së për Izraelin mbetet një prioritet kryesor për administratën e re amerikane. “Mbështetja e vazhdueshme e SHBA-së për Izraelin është një prioritet kryesor për presidentin amerikan Donald Trump”, theksohet në kumtesën e Departamentit të shtetit. Rubio e uroi Netanjahun për "sukseset e Izraelit kundër Hamasit dhe Hezbollahut" dhe premtoi se do të punojë pa u lodhur për të liruar të gjithë pengjet e mbetura që mbahen në Gazë, shtohet në kumtesën.
Uashington - Dhoma përfaqësuese e Kongresit amerikan e miratoi propozim-ligjin e parë të presidentit Donald Tramp, i cili kërkon arrestimin e emigrantëve të paligjshëm të akuzuar për vjedhje dhe krime të dhunshme. Ligji është miratuar me 263 vota "pro" dhe 156 "kundër", me mbështetje të 46 demokratëve dhe 217 republikanëve. Ai propozim, i emëruar sipas Lejken Rajlli, vajzës ng Xhorxhia e cila u vra vitin e kaluar nga një emigrant i paligjshëm nga Venezuela, tani duhet të nënshkruhet nga Trampi para se të hyjë në fuqi.
Los Anxhelos – Disa ditë pas zjarreve katastrofale që shkaktuan dëmtime të mëdha në Los Anxhelos, Kaliforni, zjarri i ri, i quajtur “Hjuz”, shkaktoi urdhra për evakuim ose paralajmërim për mbi 50.000 njerëz në këtë shtet federal amerikan. Zjarri ka filluar të mërkurën në mëngjes sipas kohës lokale dhe deri më tani shkatërroi 9.400 hektarë tokë, pa u vënë nën kontroll, njoftoi Shërbimi i Kalifornisë për pylltari dhe mbrojte të zjarreve (CAL Fire). Rre të mëdha të tymit të errët janë evidentuar në afërsi të liqenit Kastejk, zonë e famshme për rekreacion në pjesën veriperëndimore të Los Anxhelosit, i cili gjendet rreth 40 kilometra nga zjarret Iton dhe Palisejds, të cilët po digjen tashmë tri javë.
Nion - Pas luajtjes së ndeshjeve të xhiros së 7-të nga Liga e kampionëve në futboll, të njohura janë nëntë ekipe, të cilat nuk do të mund të hyjnë në plejof. Pa gjasa për kualifikim në fazën e ardhshme në këtë garë janë Bolonja, Sparta Praga, Lajpcigu, Zhirona, Cërvena Zvezda, Shturm, Salsburg dhe Jang Bojs. Në këtë moment në zonën e plejofit janë PSV, Klub Brizh, Benfika, PSZH, Sportingu dhe Shtutgarti, por tre prej tyre mund të eliminohen. Gjasa për kualifikim në Top 24, kanë edhe Mançester Siti, respektivisht Dinamo Zagrebi, të cilat janë në vendin 25-të, respektivisht 26-të. Xhiroja e fundit nga faza e parë e LK-së do të luhet javën e ardhshme më 29 janar.
Milano - Trajneri i Milanit, Serhio Konseisao nuk është i kënaqur nga loja e ekipit të tij, edhe krahas fitores ndaj Zhironës (1:0) mbrëmë në ndeshjen e xhiros së 7-të nga Liga e kampionëve. "Duhet të vazhdojmë të punojmë. Rezultati është më i rëndësishmi, por ka punë që mund t'i përmirësojmë", deklaroi Konseisao. Trajneri i ekipit spanjoll, Miçell përgëzoi lojtarët për performansën në "San Siro". "Krenar jam për djemtë, ata e bënë atë që e kemi planifikuar. Mendoj se kemi luajtur ndeshje të mirë. Krijuam raste, patëm mundësi të pastërta. Por, gjithsesi, duhej të qëndronim në mbrojtje. Duhet të fitojmë përvojë për të garuar në këtë nivel", deklaroi Miçell.