• сабота, 16 мај 2026
MIA Flesh

15:00/ 2 maj/ 2026

Shkup - Telemjekësia do të jetë një nga shtyllat kryesore për përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe adresimin e mungesës së mjekëve në vend, thekson ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu në kumtesën e sotme. Duke folur për sfidën e largimit të profesionistëve shëndetësorë nga vendi, ai theksoi se një pjesë e zgjidhjes qëndron në përfshirjen e mjekëve nga diaspora përmes teknologjisë. "Sot kemi një numër të madh mjekësh në diasporë që janë specialistë shumë të mirë, performojnë në nivele të larta dhe janë të respektuar në vendet ku punojnë. Ne nuk duam që ky kapacitet njerëzor të mbetet i pashfrytëzuar", deklaroi ministri Aliu.

Shkup - Spitali Klinik në Tetovë do të rindërtohet plotësisht, do të modernizohet dhe do të riorganizohet funksionalisht përmes një projekti strategjik me vlerë 4,56 miliardë denarë, përkatësisht rreth 74 milionë euro, njofton ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në kumtesën e sotme nga Ministria e Shëndetësisë.  Sipas ministrit Aliu, bëhet fjalë për një projekt që duhet të ndryshojë përgjithmonë mënyrën e ofrimit të shërbimeve shëndetësore në rajonin e Pollogut. Ministri Aliu thekson se projekti do të realizohet sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, përmes kombinimit të mjeteve shtetërore dhe financimeve nga institucionet financiare ndërkombëtare, të strukturuara në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Shkup – Sot në mëngjes më ftohtë ishte në Berovë dhe në Kodër të Diellit, ku në orën 7 janë matur -4 gradë celsius, ndërsa më ngrohtë në Tetovë me 5 gradë të matura.  Sipas DPHM, -2 gradë janë matur në Shkup-Petrovec, Kriva Pallankë, Pretor, Krushevë, -1 në Manastir, Shtip, Veles, Hanet e Mavrovës, Llazaropolë, 0 në Ohër, Kavadar, Demir Kapi, Strumicë, 1 në Vinicë, 2 në Shkup – Zajçev Rid, Kumanovë dhe 4 gradë celsius në Gjevgjeli.

Prishtinë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë njoftoi se fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për më 7 qershor do të fillojë më 28 maj, njofton "Koha Ditore".  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e miratoi planin dhe buxhetin për votimin e ardhshëm. Sipas KQZ-së, organizimi i zgjedhjeve të reja të parakohshme do të kushtojë mbi 10.887 milionë euro.  Të enjten, ushtruesja e detyrës presidente e Kosovës, Albulena Haxhiu, pas konsultimeve me partitë politike, shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor pasi parlamenti nuk arriti të zgjedh president të ri dhe ishte shpërbërë. 

Tiranë - Shqipëria renditet mes vendeve me tkurrjen më të fortë të popullsisë në botë gjatë periudhës 2000–2025, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në listën e 24 vendeve me rënien më të madhe demografike, Shqipëria pozicionohet në vendin e 10-të, me një ulje prej 13% të popullsisë në 25 vitet e fundit. "Ky tregues e vendos vendin përpara disa shteteve të rajonit dhe shumë afër vendeve që historikisht janë përballur me emigracion masiv dhe plakje të popullsisë, si Serbia, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut. Fenomeni nuk është i izoluar vetëm në Shqipëri. I gjithë rajoni i Ballkanit po përjeton një krizë të heshtur demografike, por ritmi shqiptar mbetet ndër më të lartët", njoftuan mediat.

Kiev – Të paktën dy persona janë vrarë, ndërsa shtatë janë plagosur në një sulm me dron rus ndaj një minibusi në qytetin Herson, njoftuan autoritetet lokale.  Sipas shefit të administratës rajonale, Oleksandër Produkin, sulmi ka ndodhur në zonën Dnjepër, ndërsa në mesin e të vdekurve ka edhe një grua dhe punonjës komunal, identiteti i të cilit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.  “Edhe shtatë persona janë plagosur – gjashtë burra dhe një grua, duke përfshirë punonjës komunalë. Të gjithë janë hospitalizuar”, tha Produkin, sipas “Unian”. 

Uashington– SHBA-ja do të tërheqë 5.000 ushtarë nga Gjermania, njoftoi Pentagoni.  Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Shon Parnel, deklaroi dje se pritet që tërheqja të përfundojë në gjashtë muajt e ardhshëm deri 12 muaj.  Ky veprim vjen në kushte të tensioneve të rritura ndërmjet presidentit amerikan Donald Tramp dhe Evropës rreth luftës në Iran. Trampi paraprakisht këtë javë u kërcënua se do ta ulë numrin e ushtarëve amerikanë në Gjermani pas përplasjes me kancelarin gjerman, Fridrih Merc, i cili të hënën tha se iranianët po e poshtërojnë SHBA-në në bisedimet për përfundimin e luftës.

Berlin – Evropianët duhet të ndërmarrin përgjegjësi më të madhe për sigurinë e tyre, deklaroi ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, duke e komentuar qëllimin e SHBA-së që të tërheqin 5.000 ushtarë të tyre të stacionuar në Gjermani.  "Gjermania është në rrugën e duhur" në këtë drejtim, tha Pistorius, duke theksuar se janë marrë masa për të rritur personelin e Bundesverit, për të lehtësuar dhe përshpejtuar furnizimin publik për blerjen e pajisjeve mbrojtëse dhe për ndërtimin e infrastrukturës.

Bruksel – NATO punon me SHBA-në që t’i sqarojë hollësitë nga vendimi për tërheqjen e planifikuar të trupave amerikane nga Gjermania, deklaroi sot zëdhënësja e NATO-s, Alison Hart.  "Punojmë me SHBA-në që t’i kuptojmë hollësitë nga vendimi i tyre për të tërhequr forca në Gjermani", deklaroi ajo në platformën "X". Hart tha se kjo është përshtatje e tërheqjes ushtarake, që edhe më shumë e thekson nevojën që vendet evropiane t’i rrisin investimet në mbrojtje dhe të ndërmarrin përgjegjësi më të madhe për sigurinë e përbashkët. 

Bejrut – Dymbëdhjetë persona janë vrarë, ndërsa 25 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në jug të Libanit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në Bejrut.  Një nga viktimat është fëmijë, njoftoi ministria. Armata izraelite fillimisht nuk i komentoi incidentet.  Ushtria izraelite dje në Telegram njoftoi se Hezbollahu ka gjuajtur “disa dronë shpërthyes” drejt ushtarëve të saj në jug të Libanit. Gjithashtu, njoftoi se ka kapur një raketë drejtuar drejt zonës ku veprojnë ushtarë izraelitë, gjithashtu në jug të Libanit.  Në bazë të raportimeve të mediave katër ushtarë izraelitë janë plagosur lehtë në jug të Libanit dhe veri të Izraelit. Edhe pse teknikisht është në fuqi armëpushimi armiqësitë ndërmjet milicisë Hezbollah, të mbështetur nga Irani, në Liban vazhdojnë çdo ditë.

Uashington – Departamenti i Shtetit Amerikan njoftoi se miraton shitje të pajisjes ushtarake në vlerë prej mbi 8,6 miliardë dollarë për aleatët e tij nga Lindja e Mesme – Izraeli, Katari, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.  Publikimi vjen pas më shumë se tri javëve pasi hyri në fuqi armëpushimi i brishtë në luftën me Iranin, e cila filloi më 28 shkurt të këtij viti me sulme izraelite – amerikane në territorin iranian.  Shitja e miratuar nga Departamenti i Shtetit përfshin 4,01 miliardë dollarë shërbime dhe pajisje për mirëmbajtje, riparim dhe rinovim të sistemeve të Katarit "Patriot", si dhe 992,4 milionë dollarë në sisteme për municion të drejtuar me saktësi.

Teheran – Forcat e armatosura të Iranit janë plotësisht të gatshme “me vendosmëri t’i përgjigjen çdo kërcënimi”, deklaroi ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi, duke shtuar se Teherani mbetet i gatshëm për diplomaci nëse SHBA-ja e ndryshon qasjen e saj. “Irani nuk ka filluar luftë dhe Teherani është i gatshëm ta vazhdojë procesin diplomatik nëse SHBA-ja heq dorë nga kërkesa të tepruara, retorikë kërcënuese dhe veprime provokative.  Forcat e armatosura iraniane mbeten plotësisht syhapur dhe të gatshme për mbrojtje gjithëpërfshirëse dhe vendimtare të vendit nga çfarëdo lloj kërcënimi ose akti dashakeq”, paralajmëroi ai.

Остани поврзан