15:00/ 3 maj/ 2026
Shkup- "Formimi i së ardhmes në paqe" është motoja me të cilën nesër dhe pasnesër në Lusakë të Zambisë do të mbahet konferenca globale me rastin e 3 majit, "Ditës botërore të lirisë së mediave". Dita Botërore e Lirisë së mediave është vendosur në bazë të një vendimi të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe rekomandimit të Asamblesë së Përgjithshme të UNESKO-s në vitin 1991. Festohet që nga viti 1993, gjithmonë më 3 maj, ndërsa qëllimi është promovimi i parimit të lirisë së mediave, për të theksuar rëndësinë e mbrojtjes së lirive të medias dhe luftimin e të gjitha formave të ndikimit në mediet, si dhe për të kujtuar punonjësit mediatikë që humbën jetën në ushtrimin e punës së tyre. Si ditë përkujtimi është përvjetori i miratimit të Deklaratës Uindhoek për promovimin e gazetarisë së pavarur dhe pluraliste afrikane të vitit 1991, të miratuar nga gazetarët afrikanë në qytetin Uindhoek, Namibi.
Shkup – Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova po qëndron për vizitë pune në Republikën e Armenisë me rastin e pjesëmarrjes në Samitin e 8-të të Bashkësisë Politike Evropiane që po mbahet në Erevan nën moton "Duke ndërtuar të ardhmen: unitet dhe qëndrueshmëri në Evropë". Siljanovska-Davkova, siç njoftoi kabineti i saj, do të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët "Forcimi i lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike në kontekstin e tranzicionit të gjelbër", e cila do të kryesohet nga kryeministrat e Kroacisë dhe Norvegjisë, Andrej Plenkoviç dhe Jonas Gar Shtore. Në diskutim pritet të marrin pjesë kryeministrat e Belgjikës, Kanadasë, Gjeorgjisë, Sllovakisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, kancelari federal i Austrisë, sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, si dhe kryetarja e Komisionit Evropian.
Shkup- Në Ditën botërore të lirisë së mediave, zëdhënësja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi, ka deklaruar se një shoqëri demokratike nuk mund të ekzistojë pa media të lira e profesionale. Sipas saj informimi i drejtë dhe i paanshëm është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi i qytetarëve dhe forcohet demokracia. “Liria e mediave nuk është vetëm e drejtë e gazetarëve, por një e drejtë e çdo qytetari për të qenë i informuar në mënyrë të saktë dhe transparente. Ajo nënkupton përgjegjësi, integritet dhe respekt për të vërtetën, por edhe mbrojtje nga çdo formë presioni apo ndikimi”, thotë zëdhënësja e Qeverisë.
Shkup - Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, do të qëndrojë në një vizitë dyditore pune në Bruksel, ku do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues të Komisionit Evropian, Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, si dhe me eurodeputetë. Në këto takime do të hapen çështjet që lidhen me perspektivën evropiane të vendit, por edhe zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe cenimin e parimeve themelore të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
Shkup – Sot në mëngjes më ftohtë ishte në Kodër të Diellit, -2 gradë, ndërsa temperatura maksimale 8 gradë është matur në Shkup – Zajçev Rid, Veles, Kavadar dhe Gjevgjeli. Siç informoi DPHM, deri në orën 8:30 janë matur edhe 0 gradë në Berovë, 1 në Krushevë, Hanet e Mavrovës dhe Llazaropolë, 3 në Kriva Pallankë dhe Pretor, 4 në Ohër dhe Vinicë, 5 në Shtip, 6 në Shkup – Petrovec, Manastir, Prilep dhe Strumicë, si dhe 7 në Tetovë, Kumanovë dhe Demir Kapi. Më së shumti reshje të shiut gjatë 24 orëve, deri sot në orën 8, ka pasur në Kriva Pallankë, 4 litra në metër katrorë, 3 në Pozharan, 2 në Krushevë dhe Hanet e Mavrovës, si dhe 1 litër për një njësi sipërfaqe në Ohër, Pretor dhe Kodër të Diellit.
Shkup - Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se në kuadër të aksionit të djeshëm në territorin e qytetit të Shkupit janë sanksionuar 113 drejtues të motoçikletave, prej tyre katër drejtues janë sanksionuar për drejtim të motoçikletës me kategori të papërshtatshme, 17 sanksione janë shqiptuar për drejtues që kanë drejtuar biçikletë me motor ndihmës pa vërtetim për vozitje dhe 45 masa për drejtues pa helmetë mbrojtëse. Tre masa janë shqiptuar për motoçikleta të paregjistruara, tre sanksione për mosmbajtje të lejes së qarkullimit, dy sanksione për lëvizje në sipërfaqe të papërshtatshme, dy masa për mosndalim në shenjë të dhënë, si dhe 37 masa për kundërvajtje të tjera. Gjatë aksionit të kontrollit një drejtues motoçiklete është privuar nga liria sipas nenit 297-a të Kodit Penal për drejtim të pakujdesshëm të automjetit. Aksioni ishte zbatuar nga Njësia për Sigurinë e Trafikut Rrugor pranë SPB Shkup në periudhën nga ora 12:00 deri në orën 20:00.
Shkup- Trendet aktuale demografike në Maqedoninë e Veriut çojnë në uljen dhe plakjen e popullsisë dhe paraqesin sfida për të ardhmen e sistemeve të mbrojtjes sociale, fuqisë punëtore dhe infrastrukturës, veçanërisht në zonat rurale. Ushtruesja e detyrës drejtore e Zyrës së UNFPA-s në Maqedoninë e Veriut, Jovanka Brajoviq Grigorijeviq në intervistën për MIA-n, thekson se nuk ka një zgjidhje të thjeshtë dhe magjike, por qeveritë e shqetësuara për rënien e popullsisë duhet të formojnë ekonomitë dhe shoqëritë në një mënyrë që të rinjtë të ndihen të sigurt dhe të mbushur me vetëbesim në mënyrë që të mund të planifikojnë të ardhmen. Ajo thekson se është e nevojshme të adaptohen sistemet dhe të investohet në kapitalin njerëzor, në shëndetësi, arsim dhe aftësi të popullsisë, duke shtuar se "një popullsi e shëndetshme, e arsimuar mirë dhe e aftë i ndihmon vendet të përparojnë".
Shkup - MBP njoftoi gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e vendit, nëpunës policorë kanë privuar nga liria 11 shoferë për drejtim të pakujdesshëm të automjetit. Prej tyre, shtatë kanë drejtuar automjet patentë shoferi (katër në Shkup, dy në Tetovë dhe një në rajonin e Kumanovës), një shofer në Dibër ka drejtuar automjet pavarësisht se kishte ndalim aktiv, ndërsa një shofer në Manastir ka drejtuar automjet nën ndikimin e alkoolit. Në Gradsko, një person ka drejtuar automjet me shpejtësi më të madhe nga e lejuara, ndërsa në Koçan një person ka drejtuar automjet në kah të kundërt. Pas dokumentimit të plotë të rasteve do të paraqiten kallëzime penale përkatëse.
Shkup - MPB informoi se gjatë 24 orëve të kaluara janë evidentuar katër kallëzime për dhunë në familje dhe janë privuar nga liria tre persona.
Shkup - Vijon periudhë e motit relativisht të ngrohtë, ndërsa nga fundi i javës priten reshje të përkohshme lokale të shiut, njofton DPHM. Nesër në mëngjes pritet mot i kthjellët dhe më i ftohtë, me diell me vranësira të lehta gjatë ditës. Temperaturat do të sillen nga minus tre deri në 25 gradë Celsius. Sipas DPHM-së nga dita e martë moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme me periudha me diell ku do të fryjë erë mesatare nga drejtimi jugor.
Prishtinë- Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me ministrin në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, kanë bërë homazhe në 27-vjetorin e Masakrës në Bukosh. U.d. presidentja Haxhiu, tha se më tre maj të vitit 1999, pra para 27 viteve, nga kolona e familjeve shqiptare u ndanë 25 civilë të pafajshëm, burra e djem nga mosha 85 vjeçe deri në atë 5 vjeçare.
Stamboll– Më shumë se dy javë pas të shtënave në një shkollë turke, numri i viktimave u rrit në 10 persona, transmetoi DPA. Një vajzë 11-vjeçare ka ndërruar jetë në spital nga lëndimet e mara, informon sot agjencia shtetërore e lajmeve Anadollia. Një nxënës në klasën e tetë më 15 prill qëlloi tetë nxënës dhe një mësimdhënës në shkollën e tij në provincën juglindore Kahramanmarash. Sipas raportimeve zyrtare, sulmuesi 14-vjeçar gjithashtu është i vdekur. Motivi për sulmin ende është i paqartë.
Vjenë – Arabia Saudite, Rusia dhe edhe pesë vende nga OPEK+ sot do të mbajnë takim që ta marrin vendimin e parë për kuotat për prodhimin e naftës pas lëkundjes së shkaktuar nga largimi i Emirateve të Bashkuara Arabe. OPEK+ aleanca ndërmjet Organizatës së vendeve importuese të naftës dhe edhe dhjetë vendeve prodhuese, ende nuk ka dalë me qëndrim pasi Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat ishin shtylla e kartelit dhe një nga dy vendet me mundësi më të mëdha ta rrisin prodhimtarinë, të martën u larguan nga organizata. Për këtë kumtesa pas këtij takimi, i cili do të mbahet onllajn, pritet me interesim edhe më të madh nga vetë vendimi, të cilin tregu në masë të madhe tashmë e ka paraparë.
Strasburg – Parlamenti Evropian sot, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, e përsëriti “përkushtimin e palëkundur” të tij në atë që gazetarët ta kryejnë punën e tyre “të sigurt, pa kërcënime, dhunë dhe frikësim”. Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Mecolla, në një publikim në X tha se “guximi nuk duhet të jetë në përshkrimin e vendit të punës së gazetarit, ndërsa megjithatë shumë shpesh është”. “Gazetaria nuk është vetëm punë, ajo është shërbim publik, shtyllë e demokracisë sonë dhe për këtë fjala juaj është aq e rëndësishme”, theksoi Mecolla.
Varshavë – Në poligonin Ozhish në Poloni filluan stërvitjet ushtarake „Amber Shock 2026“, në të cilat marrin pjesë rreth 3.500 ushtarë nga disa vende anëtare të NATO-s, përfshirë edhe SHBA-në. “Në manovra do të përdoren disa qindra pajisje ushtarake. Stërvitjet do të zgjasin deri të premten dhe do të përfundojnë me qitje me municion të vërtetë. Gjatë stërvitjeve, pjesëmarrësit do të kryejnë detyra taktike dhe me zjarr, duke përmirësuar bashkëpunimin dhe duke demonstruar unitetin dhe besueshmërinë e anëtarëve të NATO-s në përmbushjen e detyrimeve të tyre të përbashkëta në fushën e sigurisë” njoftoi nënkoloneli Dariush Guzenda, zëdhënës i divizionit shumëkombësh Verilindje, transmetoi agjencia polake e lajmeve PAP.
Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp do ta shqyrtojë planin të cilin e dorëzoi Irani për t’i dhënë fund luftës. "Së shpejti do ta shqyrtoj planin që Irani sapo na dërgoi, por nuk mund ta imagjinoj se do të ishte i pranueshëm duke pasur parasysh se ata ende nuk kanë paguar një çmim mjaftueshëm të lartë për atë që i kanë bërë njerëzimit dhe botës gjatë 47 viteve të fundit", shkroi ai në platformën e tij "Truth Social". Edhe pse është në fuqi një armëpushim i pakufizuar mes palëve, bisedimet për shndërrimin e armëpushimit në marrëveshje të përhershme janë bllokuar për shkak të mospajtimeve të ashpra rreth ambicieve bërthamore të Iranit dhe kontrollit ndaj Ngushticës së Hormuzit.
Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp mbrëmë deklaroi se planifikon të tërheqë shumë ushtarë amerikanë nga Gjermania se sa që ishte paralajmëruar më herët. Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset, urdhëroi tërheqjen e rreth 5.000 pjesëtarëve të forcave amerikane nga bazat në Gjermani, përkujton DPA. Megjithatë, Trampi dje para gazetarëve në Floridë deklaroi se numri do të jetë më i madh. “Do të bëjmë shkurtime të konsiderueshme. Dhe do të shkurtojmë shumë më tepër se ato 5.000”, tha ai. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-së deklaroi se tërheqja duhet të përfundojë në 12 muajt e ardhshëm. Hollësitë mbeten të paqarta.
Rio de Zhaneiro – Ylli kolumbian i popit Shakira mbrëmë mahniti miliona njerëz me koncert falas në Rio de Zhaneiro në plazhin legjendar brazilian Kopakabana. "Nuk do ta harroj kurrë këtë performancë", tha Shakira në fund të shout, i cili zgjati pak më pak se dy orë e gjysmë dhe u cilësua si më i madhi i karrierës së saj. Publiku vlerësohej në dy milionë njerëz. Ajo performoi një numër të madh nga hitet e saj si “Waka Waka” dhe “Whenever, Wherever”. Këngë si “Hips Don’t Lie”, “La Tortura” dhe “She Wolf” ishin gjithashtu pjesë e repertorit. Koncerti ishte pjesë e serisë „Todo Mundo no Rio“ (Të gjithë në Rio), përmes së cilës këshilli i qytetit sjell yje ndërkombëtare në metropolin bregdetar.
Teheran - Njësia e inteligjencës së Korparmatës iraniane të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) sot njoftoi se hapësira për marrje të vendimeve e SHBA-së është ngushtuar. "Ekziston vetëm një mënyrë për ta interpretuar këtë: (presidenti amerikan Donald) Tramp duhet të zgjedhë midis një operacioni ushtarak të pamundur dhe një marrëveshjeje të keqe me Republikën Islamike të Iranit. Hapësira e vendimmarrjes së SHBA-së është ngushtuar", thuhet në kumtesën e publikuar në X.