9:00/ 30 prill/ 2026
Shkup - Në Kuvend sot do të mbahet seanca e 101-të plenare, ku në rend të ditës është parashtrimi i pyetjeve të deputetëve. Seanca për pyetje të deputetëve mbahet çdo të enjte të fundit në muaj, ndërsa kryetministrit dhe ministrave pyetjet e para ua parashtrojnë deputetët nga partitë opozitare. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot do të mbajë takim joformal me përfaqësuesit e mediave, ku do të bisedohet për aktivitetet vijuese dhe të ardhshme të dhomës ligjvënëse.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, Gordan Gërliq Radman, po qëndron për vizitë pune në Zagreb, në kuadër të së cilës është planifikuar takim me homologun e tij kroat. Në takim, njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, dy ministrat do të diskutojnë për situatën aktuale politike në të dyja vendet, marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin sektorial, si dhe për iniciativën për përmirësimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Theks i veçantë do të vihet në nënshkrimin e ardhshëm të Marrëveshjes për partneritet strategjik midis dy vendeve, si dhe në bashkëpunimin ekonomik dhe mënyrat për thellimin e tij, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e energjisë, shëndetësisë, kulturës dhe turizmit.
Shkup – Këshilli fiskal i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot organizon debat të ekspertëve në temën "Efikasiteti i financave publike dhe roli i rregullave fiskale në Maqedoninë e Veriut", me qëllim që të nxitet dialogu konstruktiv ndërmjet vendimmarrësve, ekspertëve ekonomikë dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë për sfidat fiskale kyçe në vend. Sipas agjendës, me fjalime përshëndetëse në ngjarjen që mbahet në amfiteatrin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) do të flasin ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska – Koçoska, akademik Taki Fiti, udhëheqës në Qendrën për Hulumtime Strategjike “Ksente Bogoev” në kuadër të ASHAM dhe akademik Abdulmenaf Bexheti, kryetar i Këshillit Fiskal.
Shkup - Në Kuvend sot mbledhje do të mbajë Komisioni për Financim dhe Buxhet. Në rend dite të seancës është shqyrtimi i Propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për kontribute nga sigurimi i detyrueshëm social dhe Raportit tremujor të Bankës Popullore për shkurt të vitit 2026.
Shkup - Këshilli për etikë në mediat e Maqedonisë (KEMM) sot do t'i ndajë çmimet për storjet më të mira gazetareske me temë "Faktet dhe dezinformatat për ndryshimet klimatike", të publikuara në periudhën nga maji 2025 deri në prill të vitit 2026. KEMM, në bashkëpunim me UNESKO-n, tradicionalisdht i ndan çmimet në prag të Ditës botërore të lirisë së mediave - 3 Maji, me qëllim që të inkurajohet gazetaria e lirë, përgjegjëse dhe etike dhe të tregohet në rëndësinë e së drejtës së opinionit për informim me kohë dhe të saktë. Tema e çmimeve, i treti vit me radhë, është e orientuar ndaj mbrojtjes së mjedisit të jetesës, me fokus në dezinformatat e lidhura me ndryshimet klimatike dhe ngritjen e ndërgjegjes për rreziqet nga ndotja e ajrit, ujit dhe tokës, si dhe për "pikat e zeza" ekologjike në vend.
Shkup – Moti sot do të jetë i vranët me reshje të shiut të cilat në disa vende do të jenë më të dendura me sasi të shiut të rënë prej 15 deri 20 litra në metër katror. Për shkak të depërtimit të masës më të ftohtë të ajrit nga veriu reshjet e shiut në male do të kalojnë në reshje të borës. Do të fryjë erë mesatare, deri e përforcuar nga drejtimi verior, e cila përkohësisht do të kalojë shpejtësinë prej 60 kilometra në orë. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej 5 deri 10, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 10 deri 18 gradë Celsius. Në Shkup moti do të jetë i vranët me reshje të kohëpaskohshme të shiut. Do të fryjë erë mesatare, deri e përforcuar nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të bie deri në 9, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 13 gradë.
Nju Jork– Presidenti amerikan Donald Tramp sot duhet të informohet nga komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së, gjeneral Bred Kuper, për plane të reja për veprime të mundshme ushtarake kundër Iranit, njoftoi portali politik “Aksios”. Shtëpia e Bardhë deri më tani nuk i komentoi informacionet e tilla. Sipas raporteve të cilat i publikoi “Aksios” duke iu referuar deklaratave të dy burimeve, Komanda Qendrore ka përgatitur plan për seri të goditjeve “të shkurta dhe të fuqishme" ndaj Iranit, të drejtuara sipas gjitha gjasave drejt objekteve infrastrukturore.
Madrid - Atletiko Madridi dhe Arsenali mbrëmë luajtën baraz (1:1) në stadiumin "Metropolitano", në ndeshjen e parë të gjysëmfinales së Ligës së kampionëve. Të dy golat u shënuan nga penaltia. Arsenali erdhi në epërsi në minutln e 44-të përmes Gjokereshit, ndërsa Alvarezi e barazoi rezultatin për nikoqirët në minutën e 56-të. Me barazimin në Madrid, futbollistët e Arsenalit e vazhduan serinë e tyre pa humbje në Ligën e kampionëve këtë sezon. Ekipi londinez në 13 ndeshje ka 10 fitore dhe tre barazime. Atletiko Madridi është në gjysëmfinalen e tyre të shtatë në këtë garë elitare dhe në ndeshjen kthyese do të tentojë të vijë deri në finalen e tyre të katërt. Në tre finalet e tyre paraprake (1974, 2014 dhe 2016) humbën në të gjitha. Finalen e parë e humbën nga Bajerni i Munihut, e pastaj dy herë nga rivali i qytetit, Reali.