• вторник, 11 март 2025
MIA Flesh

12:00/11 mars/2025

Baku - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e cila është për vizitë zyrtare në Azerbajxhan, paradite u prit me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake nga nikoqiri i saj Ilham Aliev në rezidencën presidenciale "Zugulba" në Baku. Në vijim është një takim tet-a-tet i Siljanovska Davkovës dhe Alievit, pasuar nga një takim plenar i dy delegacioneve. Në përbërje të delegacionit të Maqedonisë është edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.  Presidentja pasdite do të mbajë ligjëratë për komunitetin akademik dhe studentët në Universitetin ADA në Baku.  

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dje dhe sot është në vizitë pune në Azerbejxhan pas ftesës së ministrit azerbejxhanas të punëve të brendshme Vilajat Ejvazov. Siç thksoi MPB, Ministri Toshkovski theksoi se ky takim ka rëndësi shumë të madhe për përforcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe shkëmbimit të përvojave në sfidat bashkëkohore të sigurisë. "Me ministrin Ejvazov diskutuam për format e bashkëpunimit të cilat deri më tani nuk ishin vendosur. Аzerbejxhani, si vend i rëndësishëm strategjik që lidh rajone të ndryshme, ka përvojë të pasur në përballimin e kërcënimeve të sigurisë me karakter global. Pikërisht për këtë gjë, ramë dakord që ta formalizojmë bashkëpunimin e ardhshëm përmes Marrëveshjes së bashkëpunimit të sigurisë dhe Memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet qendrave tona për trajnim. Kjo do të mundësojë shkëmbimin e përvojave, trajnime të përbashkëta dhe avancimin e kapaciteteve të strukturave të sigurisë.“, theksoi ministri Toshkovski.

Shkup - Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski sot vazhdon vizitën e punës në Republikën Çeke, ku në Pragë, përveç pjesëmarrjes së Komisionit për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Maqedonisë dhe Republikës Çeke, do të ketë takime bilaterale me përfaqësues të lartë të Qeverisë Çeke. Siç njofton Ministria e Transportit, përveç takimit me drejtorin e aeroportit të Pragës, ku u bisedua për vendosjen e linjës së re ajrore Shkup-Pragë, si dhe për mundësinë e linjës së re Ohër-Karlovi Vari, zëvendëskryeministri do të zhvillojë edhe takime pune me ministrin e Transportit dhe ministrin e Energjetikës.

Shkup - Temat për të cilat do të diskutohet sot janë të një rëndësie globale dhe janë më relevante se kurrë për shkak të paqartësive dhe krizave fiskale që kanë prekur rajonin, por edhe mbarë botën, tha drejtori i Zyrës së Bankës botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Masimiliano Paolluçi në prezantimin e sotëm të Komisionit fiskal të Këshillit fiskal të Bashkimit Evropian për financim dhe buxhet dhe Çështje ekonomike, politikë të punës dhe energjetikë. "Borxhi publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut është rritur ndjeshëm dhe tani është në 62,4 për qind të BPV-së, që është 14 për qind mbi nivelin para pandemisë. Kjo është për shkak të deficiteve të vazhdueshme fiskale nga pandemia, të cilat mesatarisht janë 5 për qind në vit", tha Paolluçi në fjalimin e tij para komisioneve në sallën "Boris Trajkovski" në Kuvend.

Berlin - Ish kancelarja gjermane, Angela Merkel, i bëri thirrje Evropës të bashkohet përballë sfidave politike, njoftoi DPA. Duke folur për Rajnishe Post, Merkel theksoi rëndësinë e unitetit për të shmangur shpërbërjen e Evropës në "shkumë dhe pluhur". Merkel theksoi gjithashtu se migrimi mbetet një detyrim evropian që mund të zgjidhet vetëm përmes konsultimeve me vendet fqinje të BE-së.

Bruksel – Anëtarët e Këshillit të Atlantikut të Veriut, të udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute dhe zëvendës sekretarja e Përgjithshme Radmilla Shekerinska, sot do të qëndrojnë në Kosovë për ta vizituar misionin ndërkombëtar të udhëhequr nga Aleanca, KFOR-i. Siç njoftoi NATO, Rute, Shekerinska dhe ambasadorët e përhershëm të vendeve anëtare në Aleancë do të kenë takime me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Enriko Barduani, si dhe me drejtorin e Ekipit Këshillimor Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Kristian Navrat. Gjithashtu, ata do të kenë mundësinë të bisedojnë me ushtarë të angazhuar në NATO dhe NALT.

Bruksel - Në kuadër të tensioneve të shtuara gjeopolitike dhe ripërtëritjes së momentit të zgjerimit të BE-së, Parlamenti Evropian përveç zyrës në Tiranë përgjegjëse për kontaktet me vendet e Ballkanit Perëndimor, do të hapë edhe një përfaqësi në Kishinau, e cila do të përfaqësojë një pikë kyçe për marrëdhëniet me parlamentet kombëtare nga vendet partnere të rajonit lindor dhe partnerët vendorë. "Zyra do të promovojë pozicionet dhe aktivitetet e Kuvendit dhe do të mbështesë demokracinë dhe reformat institucionale në rajon. Ajo do të ndihmojë në përgatitjen dhe vazhdimin e vizitave zyrtare të eurodeputetëve, ndërsa do të forcojë bashkëpunimin me aktorët e tjerë të BE-së në terren, organizatat ndërkombëtare dhe shoqërinë civile", njoftoi Parlamenti Evropian.

Paris - Presidenti francez Emanuel Makron do të presë sot në Paris shefat e Shtatmadhorive të vendeve që janë të gatshme të marrin përgjegjësinë për Ukrainën dhe të forcojnë sigurinë evropiane. Midis pjesëmarrësve janë përfaqësues ushtarakë nga 30 vende të BE-së dhe/ose NATO-s, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Turqinë. Takimi do të mbahet në koordinim të ngushtë me komandën ushtarake të NATO-s. Pas takimit të sotëm, të mërkurën, ministri francez i Forcave të Armatosura Sebastien Lekornu do të mbledhë kolegët e tij nga grupi E5 - Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Polonia - si dhe përfaqësues të BE-së dhe NATO-s. Në takimin me video-konferencë do të marrë pjesë edhe ministri ukrainas i Mbrojtjes. Bisedimet kanë të bëjnë  me ndihmën për Ukrainën dhe riarmatimin e Evropës.

Strasburg - Evropa sot përballet me të njëjtën detyrë si 70 vjet më parë, me nevojën për të ndërtuar mbrojtje të përbashkët me qëllim të pengojë çdo sulm nga jashtë, sepse paqja në Bashkimin Evropian nuk mund të merret më si e mirëqenë, ka thënë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen sot në fjalimin e saj në Parlamentin Evropian në debatin kushtuar forcimit të arkitekturës evropiane të mbrojtjes dhe mbështetjes së Ukrainës. “Po shkundet rendi evropian i sigurisë dhe kaq shumë nga iluzionet tona po shkatërrohen”, tha Fon der Lajen. Sipas saj, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, disa besonin se Rusia mund të integrohej në arkitekturën ekonomike dhe të sigurisë së Evropës, ndërsa të tjerët besonin se Evropa mund të mbështetej pafundësisht në mbrojtjen e plotë të SHBA-së dhe si rezultat i kësaj, shpenzimet e mbrojtjes u përgjysmuan nga një mesatare prej mbi 3.5 për qind.

Romë - Vajza e Monika Belluçit dhe Vensan Kasel, Deve u shfaq në tapetin e kuq në promovimin e serialit "Leopard" (II Gattopardo) në "Netfliks", me të dashurin e saj - aktorin 24-vjeçar italian Sol Nani. Seriali është xhiruar në Itali, ndërsa çifti i ri aty veprojnë së bashku, ku edhe këtë herë, sapo dolën para kamerave tërhoqën gjithë vëmendjen, transmeton “Indeks”.

Xheda - Delegacionet nga Ukraina dhe SHBA-ja sot filluan takimin në Arabinë Saudite, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës. Ministria njoftoi për fillimin e takimit në Xheda në kanalin e saj zyrtar në rrjetin social Telegram. Në ueb faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit theksohet se takimi i delegacioneve amerikane dhe ukrainase në Xheda është caktuar për sot në mesditë sipas orës lokale. Shefi i kabinetit të presidentit të Ukrainës, Andrij Jermak, para takimit deklaroi se delegacioni ukrainas po përgatitet për negociatat.

Pekin - Kina sot bëri të ditur se shpreson se mund të gjindet një "zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme" për luftën ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, pasi përfaqësues të lartë të SHBA-së dhe Ukrainës do të bisedojnë për konfliktin në Arabinë Saudite. "Shpresojmë që palët të arrijnë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme që është e pranueshme për të gjithë", tha zëdhënësja e Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme Mao Ning në një konferencë për shtyp në Pekin.

Остани поврзан