
15:00 / 10 mars / 2025
Shkup - Para nesh është një periudhe e rëndësishme kur duhet të tregojmë vullnet politik, lidership dhe përkushtim për zbatimin e të gjitha këtyre reformave. Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij duhet të vazhdojnë të mbështesin këtë ambicie, të tregojnë lidership në zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe rajonale dhe të vazhdojnë mbështetjen e tyre në rrugën e integrimit të Ballkanit Perëndimor. Këtë e theksoi ministri i Drejtësisë Igor Filkov në konferencën ndërkombëtare "Drejt BE-së: Përorcimi i integritetit dhe pavarësisë së drejtësisë penale në Ballkanin Perëndimor" të mbajtur në Lubjanë. Ai potencoi se vjen nga një shtet dhe komb, i cili ka pothuajse dy dekada që lufton me këmbëngulje për vendin e tij në Bashkimin Evropian.
Shkup - Komisioni Kuvendor për Financim dhe Buxhet në seancën e sotme vendosi që Projekt-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të dërgohet në procedurë të mëtutjeshme. Ndryshimet e propozuara nga deputetët Sadik Sulejmani, Halil Snopçe, Kaltrina Beqiri, Adnan Azizi, Salim Sulejmani, Rijad Shaqiri, Imërlije Saliu Fetai dhe Saranda Imeri Stafai, vendosin kushtet për zgjedhjen/emërimin e drejtorit të Drejtorisë së Inteligjencës Financiare, përkatësisht kërkohet që kandidati për këtë pozitë të ketë një vërtetim ose çertifikatë për provim të kaluar për njohjen e një nga katër gjuhëve më të përdorura në Bashkimin Evropian (angleze, frenge, gjermane dhe italiane) në nivelin B2 nga Korniza e Përbashkët Evropiane e Referencës për Gjuhët, lëshuar nga një institucion ose organ brenda ose jashtë vendit, i regjistruar si ofrues i këtij shërbimi, jo më i vjetër se pesë vjet.
Shkup - Gjykata e Apelit Shkup sot kumtoi se i është hequr masa e paraburgimit të pandehurit Valmir Etemi, i cili është organizator i grupit të trafikut të drogës dhe armëve në rajonin Ohër-Strugë, me pranimin e garancisë në vlerë të përgjithshme prej mbi 600 mijë euro. Për të pandehurin janë caktuar masa kujdesi. "Gjykata e Apelit në Shkup, në interes të opinionit dhe mediave, njofton se duke vepruar në lëndën penale KSZH-162/25, në seancën me dyer të mbyllura të mbajtur më 06.03.2025, e ka pranuar ankesën e të pandehurit V.E. nga Struga. Vendimin e Gjykatës Themelore Penale e ka ridrejtuarnë atë mënyrë që është hequr masa e paraburgimit ndaj të pandehurit V.E. nga Struga duke pranuar garanci në vlerë të përgjithshme prej 618.147 euro ose në kundërvlerë në denarë prej 38.016.040,50 denarë. Në të njëjtën kohë, kundër të pandehurit V.E. nga Struga janë caktuar masat e kujdesit, në pajtim me nenin 146 paragrafi 1 pika 2 dhe 3 të Kodit të procedurës penale, theksohet në kumtesën nga Gjykata e Apelit Shkup.
Shkup - Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski, sot në kabinetin e tij realizoi takim pune me kryerevizorin shtetëror, Maksim Acevski, zëvendësrevizorin shtetëror, Orhan Ademi, kryetarin e Senatit të Institucionit të Lartë të Revizionit të Malit të Zi, Nikolla N. Kovaçeviq dhe anëtarin e Senatit të Institucionit të Lartë të Revizionit të Malit të Zi, Branisllav Radulloviq. Siç informojnë nga shërbimi për informim i Kuvendit, Milloshoski e ndau me mysafirët suksesin e bashkëpunimit të Kuvendit me Entin Shtetëror të Revizionit. Ai theksoi se nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit midis Kuvendit dhe Entit Shtetëror të Revizionit ka mundësuar që raportet përfundimtare të revizorit të jenë lëndë e shqyrtimit në Dhomën Ligjvënëse.
Shkup - Në seancën e sotme të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut u zgjodh kryetari i Gjykatës së Apelit Manastir, si dhe kryetarët e Gjykatave Themelore në Gjevgjeli, Kavadar dhe Koçan. Me 13 vota "për", gjyqtarja Zhaklina Doveden u zgjodh kryetare e Gjykatës së Apelit – Manastir. Trembëdhjetë vota "për" ka marrë kandidatja e vetme për kryetare të Gjykatës Themelore – Kavadar, Elizabeta Petkovska.
Shkup – Shumë shpejt do të zgjidhet u.d. kryetar i Gjykatës Supreme, ndërsa zgjedhja po vonon sepse ende nuk janë zbatuar procedurat për integritet dhe test psikologjik, porositi sot kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski. “Komisioni nuk arriti ta bëjë këtë, sepse kishim më shumë se 70 kandidatë nga Akademia, të cilët gjithashtu u testuan. Supozoj ajo ishte arsyeja që më shumë u dha prioritet aty, sepse ka shumë kandidatë dhe ashtu prolongohet procedura. Megjithatë për kohë të shpejtë do të zgjidhet. Për këtë zgjedhja është vendosur në seancë të Këshillit Gjyqësor, sepse të mërkurën skadon mandati i kryetarit aktual të Gjykatës Supreme”, deklaroi Kambovski para fillimit të mbledhjes së Këshillit Gjyqësor.
Shkup - Studentë të Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike në Shkup, nga sot do të ndihmojnë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në avancimin e funksionimit digjital dhe përshpejtimin e procesit të digjitalizimit të arsimit. Nën mentorimin e profesorëve të tyre, ata do të ofrojnë mbështetje për mirëmbajtjen e vazhdueshme të disa prej sistemeve të informacionit dhe platformave digjitale me të cilat disponon Ministria dhe do të marrin pjesë në krijimin dhe zbatimin e zgjidhjeve të reja teknike-teknologjike dhe shërbimeve digjitale në procesin edukativo- arsimor.
Shkup - Për shkak të një aksidenti trafiku në magjistralen A3 Manastir – Prilep, komunikacioni është duke u zhvilluar përgjatë rrugës rajonale. Ashtu siç informojnë nga Lidhja Auto Moto e Maqedonisë, komunikacioni nga ora 12:10 zhvillohet në rrugën rajonale.
Shkup - Dizeli nga sonte në mesnatë do të jetë më i lirë për dy denarë për litër, ndërsa çmimi i benzinës do të ulet për gjysmë deri në një denarë për litër, vendosi sot Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale (KRRE). Vendimi ul çmimet me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht me 2.08 për qind. Çmimet me pakicë të EURODIZELIT (D-E V) dhe vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) janë ulur për dy denarë dhe do të kushtojnë 70 përkatësisht 69,5 denarë për litër. Çmimi me pakicë i benzinës EUROSUPER BS-98 zvogëlohet për një denar, ndërsa i EUROSUPER BS-95 për gjysmë denarë, kështu që do të shiten për 76,5 pra 74,5 denarë për litër.
Shkup - Deri të shtunën do të mbajë mot i ngrohtë me temperatura të cilat në shumë vende do të jenë mbi 20 gradë dhe do të fryjë erë e fortë nga drejtimi jugor (mbi 60 km/h). Siç njoftojnë nga DPHM, nesër në orët e pasdites deri të enjten në mëngjes do të ketë reshje lokale të shiut, në disa vende reshje të rrëmbyeshme, të përcjella me bubullima, sidomos në orët e natës drejt së enjtes. Stabilizim të përkohshëm të motit do të ketë të premten dhe të shtunën, ndërsa të dielën përsëri në shumë vende do të jetë mot i paqëndrueshëm me reshje të dendura të shiut dhe bubullima.
Bruksel - Çdo plan për të ardhmen e Gazës duhet të sigurojë zgjidhje të besueshme për rindërtim, qeverisje dhe siguri, thuhet në reagimin e Përfaqësueses së lartë të BE-së për Punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kallas ndaj Planit të rimëkëmbjes dhe rindërtimit të Gazës të propozuar nga Liga e Shteteve Arabe. “Përpjekjet për rimëkëmbjen dhe rindërtimin duhet të bazohen në një kornizë solide politike dhe sigurie të pranueshme si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët, i cili do të garantojë paqen dhe sigurinë për të dyja palët”, thuhet në deklaratë.
Bruksel - Komisioni Evropian nuk ka koment për vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor të Rumanisë për refuzimin e nominimit të kandidatit të ekstremit të djathtë Kalin Gjorgjeskut për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të majit në vend, deklaroi sot zëdhënësi i KE-së për Punë të Brendshme, Demokraci, Drejtësi dhe Sundim të Ligjit, Markus Lamer. "Zgjedhjet janë një kompetencë kombëtare dhe Komisioni nuk komenton mprocesin zgjedhor rumun, i cili është përgjegjësi e autoriteteve rumune dhe popullit rumun", deklaroi Lamert.
Bruksel – Bashkimi Evropian në të gjitha kontaktet me përfaqësuesit amerikanë përsërit qartë se në interes të Ukrainës, të Evropës dhe në fund edhe të SHBA-së është fuqizimi i pozitës së Kievit para se të fillojnë çfarëdo lloj bisedime paqësore, porositi sot Komisioni Evropian në një koment për qëndrimin e BE-së në prag të takimit të nesërm të përfaqësuesve amerikanë dhe ukrainas në Arabinë Saudite. Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Anita Hiper deklaroi se KE-ja “nuk hyn në specifikat e këtij takimi dypalësh”, duke shtuar se Unioni qartë e tregoi mbështetjen e tij për Ukrainën dhe është donatori më i madh i ndihmës ushtarake për vendin, njëjtë sa edhe SHBA-ja.
Banja Llukë - Presidenti i Republikës Sërpska (RS) Milorad Dodik sot pritet të paraqitet para Prokurorisë së BeH-së si i dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues të shtetit, pas nënshkrimit të një dekreti për shpalljen e ligjeve që ndalojnë punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së BeH-së, si dhe të Agjencisë së hetimit dhe sigurisë së BeH-së në territorin e RS-së. Përveç tij, të dyshuar janë edhe kryeministri i Republikës Srpska, Radovan Vishkoviq dhe kryetari i Kuvendit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq. Ato ligje u miratuan nga Kuvendi kombëtar i Republikës Sërpska më 27 shkurt, ndërsa në 7 mars Gjykata Kushtetuese e BeH-së i anuloi.
Londër/Paris/Pekin - Britania e Madhe, Franca dhe Kina kanë uruar sot Mark Karnin për zgjedhjen e për lider të Partisë Liberale në pushtet, e me këtë edhe për kryeministër. Karni së shpejti do të zëvendësojë Xhastin Trudo në funksionin e kryeministrit. Karni (59) fitoi dje 85,9 për qind të votave për t'u bërëlider i Partisë Liberale, ndërsa ish-ministrja e Financave Kristija Friland mori vetëm tetë për qind të votave.
Londër - Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar sot dënoi akuzat "qëllimkeqe dhe të pabaza" për spiunazh të dyshuar që i shtynë autoritetet ruse të dëbojnë diplomatët britanikë. "Kjo nuk është hera e parë që Rusia bën akuza dashakeqe dhe të pabaza kundër stafit tonë", deklaroi zëdhënësi i Forin Ofisot. Londra revokoi kredencialet e diplomatit rus në fillim të shkurtit, si përgjigje e dëbimit të një diplomati britanik në nëntor nga ana e Moskës.
Londër - Një tanker me naftë dhe një anije transportuese sot në mlngjes janë përplasur në Detin e Veriut, pas çka në tanker ka shpërthyer flakë. Aksidenti ndodhi në afërsi të bregut të Jorkshirit Lindor, ndërsa roja bregdetare nisi menjëherë një operacion të madh shpëtimi me varka dhe helikopter. Përveç tyre, në vendngjarje u dërguan edhe një aeroplan i rojes bregdetare dhe anije në afërsi. Roja bregdetare kumtoi se "zjarri ende po zgjat".
Gazë - Grupi militant palestinez Hamas sot kumtoi se pret që Izraeli të pranojë të kalojë në zbatimin e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës. Hamasi thotë se po tregon "fleksibilitet" në negociatat për marrëveshje për armëpushim me ndërmjetësit dhe po pret rezultatin e përpjekjeve të Egjiptit, Katarit dhe SHBA-së në negociatat me Izraelin, publikoi "Tajms of Izrael". Në kumtesën theksohet se negociatat fokusohen në përfundimin e luftës, tërheqjen e trupave izraelite nga Rripi i Gazës dhe rindërtimin e enklavës.
Kiev - Ukraina dëshiron paqe, ndërsa Rusia është "arsyeja e vetme se pse lufta vazhdon", deklaroi presidenti ukrainas Volodimir Zelenski në prag të bisedimeve me Uashingtonin që do të mbahen në Arabinë Saudite. "Ukraina është përpjekur për paqe që në sekondën e parë të luftës, ndërsa ne çdoherë kemi folur se arsyeja e vetme pse vazhdon lufta është Rusia", ka thënë Zelenski në Telegram.