9:00/ 29 prill/ 2026
Shkup- Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot do ta presë presidentin e Konferderatës Zvicerane, Gi Parmelan, i cili do të qëndrojë për vizitë zyrtare në vend. Presidenti zviceran do të pritet me nderime më të larta shtetërore dhe ushtarake në ceremoni në Kabinetin presidencial. Pas pritjes, siç informuan nga Kabineti i presidentes, vijon tet-a-tet takim i presidentëve, e pastaj edhe takim plenar të delegacioneve të dy vendeve. Pas takimit plenar, Siljanovska-Davkova dhe Parmelan do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp.
Shkup - Seanca e Komitetit për investime publike do të mbahet sot në hapësirat e Ministrisë së Financave. Ne seancë do të marrë pjesë kryeministri Hristian Mickoski. Pas përfundimit të seancës, është parashikuar që kryeministri Mickoski të japë deklaratë për media.
Shkup - Ndryshimet ligjore për shfuqizimin e qeverisë teknike dhe Propozimi- ligji për ndryshimet në Ligjin për deputetët ku propozohet që deputetët të kenë vetëm një shtetësi, janë në seancën e sotme plenare të 98-të në Kuvend. Zëvendësministri i Administratës Publike, Llaze Jaqimoski në shpjegimin e tij para deputetëve, theksoi se qeveria kalimtare, ose teknike, për realizimin e zgjedhjes së deputetëve, e themeluar si model ligjor ose zgjidhje e përkohshme në kushte të një krize të theksuar politike dhe institucionale, kishte për qëllim të siguronte konsensus për organizimin dhe zhvillimin e proceseve zgjedhore. Një model i tillë, siç tha ai, lindi nga marrëveshjet politike të arritura në vitin 2015 dhe u zbatua së pari në përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vitin 2016, dhe më pas në ciklet zgjedhore pasuese.
Shkup - Sindikata e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, në prag të 1 Majit - Ditës Ndërkombëtare të Punës, organizon konferencë me temë "Politikat e punës dhe kontratat kolektive - korniza ligjore, zbatimi dhe sfidat". Në kuadër të konferencës do të mbahen panele diskutimi të dedikuara çështjeve nga fusha e së drejtës së punës, të lidhura me krijimin e politikave të punës dhe kornizës ligjore, si dhe problemet dhe dilemat në zbatimin praktik të kontratave kolektive.
Shkup – Në Kuvend sot do të mbajë mbledhje Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Në rend dite është formimi i Grupit të punës për përzgjedhje preliminare të kandidatëve për anëtar të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut pas Konkursit për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilin e zgjedh Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” numër 87/2026) dhe shqyrtimi i kërkesës për realizimin e të drejtës së pagës pas ndërprerjes së funksionit anëtar për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi.
Shkup– Prezantim i gjetjeve nga Analiza për keqpërdorimin seksual të fëmijëve në vend: gjendja, përgjigja institucionale dhe sfidat do të mbahet sot në organizim të Avokatit të Popullit dhe projektit “Mbështetja e BE-së për sundimin e drejtësisë” i financuar nga Bashkimi Evropian. Fokus i veçantë do t’i jepet numrave shqetësues dhe lëshimeve sistematike në mbrojtjen e fëmijëve nga keqpërdorimi seksual, si dhe i rekomandimeve nga Analiza.
Shkup - Në Kuvend sot do të mbahet Debat publik në Klubin për çështje rinore me temë "Ndikimi i përdorimit të rrjeteve sociale ndaj të rinjve dhe shëndetit të tyre mental. Ngjarja u organizua në Klubin e Kuvendit për çështje dhe politika rinore, në bashkëpunim me Agjencinë kombëtare për programe arsimore dhe mobilitet evropian, si pjesë të iniciativës "Java evropiane e rinisë 2026", ku rëndësi të posaçme i jepet shëndetit mental të të rinjve.
Shkup - Moti sot do të jetë me diell me vranësira të lehta deri mesatare. Pasdite do të ketë zhvillim lokal të vranësirave të paqëndrueshme me reshje shiu të rrëmbyeshme dhe bubullima. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare, në pjesët lindore nga jugperëndimi, ndërsa në pjesët perëndimore nga drejtim i ndryshueshëm. Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga tre deri në nëntë gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 20 deri në 25 gradë. Në Shkup, mot me diell me vranësira të lehta deri mesatare dhe kushte për reshje të lehta lokale shiu. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior.
Prishtinë - Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, pasi Parlamenti nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit të paraparë. Mbrëmë në mesnatë ka skaduar afati që kishte Parlamenti për zgjedhjen e shefit të shtetit. Mandati i presidentes Vjosa Osmani skadoi në fillim të prillit, ndërsa kryeministri Albin Kurti nuk arriti të sigurojë mbështetje nga partitë opozitare për kandidatin e tij. Që zgjidhja të jetë e vlefshme, kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve në Parlamentin me 120 anëtarë. Moszgjedhja e presidentit të ri çon në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Kiev – Ukraina po përgatitet të eksportojë armë sepse vendi prodhon më shumë sesa u nevojitet forcave të saja të armatosura, deklaroi mbrëmë presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. “Në segmente të caktuara prodhimi, për momentin kemi tepricë deri në 50 për qind”, tha Zelenski në fjalimin e tij të mbrëmshëm. “Eksporti i armëve ukrainase do të bëhet realitet. Armata ukrainase do të ketë gjithmonë përparësi dhe furnizime të mjaftueshme – do të marrë gjithçka që i nevojitet dhe sasitë e tepërta do të shkojnë për eksport.”
Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, deklaroi se mbreti britanik Çarls i Tretë kanë rënë dakord se Irani nuk duhet të posedojë armë bërthamore. "Për momentin po punojmë për çështjen e Lindjes së Mesme dhe kjo po shkon shumë mirë", deklaroi Trampi në fjalimin e tij gjatë darkës zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, të organizuar në nder të monarkut. Ngjarja u zhvillua në ditën e dytë të vizitës katërditore të Çarlsit në SHBA, në një kohë tensionesh në marrëdhëniet mes dy vendeve, pasi Trampi kishte bërë disa herë kritika ndaj kryeministrit britanik Kir Starmer për, siç tha ai, mungesë të pamjaftueshme ndihme "në udhëheqjen e luftës kundër Iranit".
Bejrut - Të paktën pesë persona, mes të cilëve edhe tre shpëtimtarë, janë vrarë gjatë dy sulmeve ajrore të njëpasnjëshme izraelite ndaj një ndërtese në jug të Libanit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e Libanit. Zëdhënësi mbrojtjes civile libaneze deklaroi se shpëtimtarët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes pas sulmit të parë për të ndihmuar të plagosurit, por u zunë nën rrënoja pas goditjes së dytë në qytetin Maxhal Zun, ku më vonë u konfirmua se kishin humbur jetën. Armata libaneze më herët njoftoi se dy ushtarë ishin plagosur në sulmin e dytë. Kryeministri libanez Nauaf Salam i cilësoi sulmet si "krim të ri dhe të hapur lufte të kryer nga Izraeli".
Uashington – Senati i SHBA-së që është nën kontroll të republikanëve, mbrëmë bllokoi një rezolutë të propozuar nga demokratët e cila do t’ia ndalonte presidentit Donald Tramp të fillojë aksion ushtarak kundër Kubës pa lejen e Kongresit. Senati votoi me 51 përkundër 47 vota, pothuaj plotësisht sipas vijës partiake, për masë procedurale me të cilën ishte bllokuar rezoluta për autorizimet ushtarake të presidentit, pasi anëtarët e partisë së Trampit deklaruan se nuk ka armiqësi aktive të SHBA-së kundër Kubës. Senatori republikan Rik Skot nga Florida i cili e filloi procedurën për bllokim, deklaroi se votimi për autorizime ushtarake është i papërshtatshëm sepse Trampi nuk ka dërguar ushtri.