• сабота, 21 февруари 2026

MIA FLESH

MIA FLESH

09:00/ 5 shkurt/ 2026 

Shkup - Me dëgjimin e dëshmitarëve dhe përfaqësuesit ligjor të të dëmtuarve në sallën e gjyqit në Idrizovë sot duhet të vazhdojë gjykimi për zjarrin në diskotekën  "Puls" në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.Rastin e udhëheq gjyqtarja Dijana Gruevska Ilievska dhe gjendet në procedurë dëshmuese me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria. Për seancën e sotme, siç është paralajmëruar, duhet të ndëgjohen pesë dëshmitarë. 

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski pasdite do të takohet me Sindikatën e AOGJSH-së. Takimi u caktua për në ora 16:45, ndërsa ndodh pasi Miskoski dha ofertë për rritje të pagave, për të cilën AOGJSH njoftoi se është e pranueshme dhe në mënyrë plotësuese do të bisedohet në kuadër të organizatave sindikale.

Shkup- Shoqata për të drejtë penale dhe kriminologji e Maqedonisë dhe Qendra për hulumtime strategjike pranë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë sot organizojnë debat shkencoro-ekspert për Propozimin e Ligjit për Akademinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë.

Shkup - Tërmet me intensitet prej III ballë sipas Shkallës makrosizmike evropiane (SHME) është ndjerë në Manastir, Ohër dhe rrethinë mbrëmë në ora 23:10, kumtoi Opservatori sizmologjik pranë Fakultetit natyroro-matematikor në Shkup. Epiqendra e tërmetit ka qenë në Republikën e Shqipërisë, rreth 150 kilometra në jugperëndim të Shkupit.

Shkup – Këshilli i Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mbajë sot seancën e tridhjetë e shtatë, në të cilën, siç thuhet në vendimin e miratuar, janë planifikuar disa pika në rend dite, përfshirë procesverbalin e Komisionit për procedurën për sigurimin dhe garantimin e pavarësisë së prokurorëve publikë, të paraqitur nga Prokurorja publike Lençe Ristovska.

Shkup - Dukshmëri të ulët për shkak të mjegullës deri në 100 metra sot në mëngjes ka në rrugën Tetovë - Shkup. Reshje bore me intensitet mesatar janë regjistruar në Kodrën e Diellit, por nuk paraqesin ndonjë pengesë për trafikun. Reshje të lehta shiu dhe bore janë regjistruar në qafën malore të Presekës, informon LAMM.

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira me erëra të lehta deri në mesatare nga drejtimi juglindor. Në pjesët juglindore do të ketë reshje të shiut (mbi 20 l/m²), ndërsa në viset më të larta në pjesët veriperëndimore reshje të borës.

Uashington- Rajan Raut, i akuzuari për tentim për atentat ndaj Donald Trampit në vitin 2024, dje u dënua me burg të përjetshëm. Raut (59) është shpallur fajtor nga porota në shtator për pesë pika të akuzës, duke përfshirë edhe tentim për vrasje. Ai e përfaqësonte veten në gjykim. Gjykatësja në Gjykatën amerikane të Qarkut, Ajlin Kanon e shqiptoi dënimin në Fort Pirs, Floridë.

Nju Jork – Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh deklaroi se skadimi i Marrëveshjes START i Ri, i cili kufizonte arsenalet strategjike bërthamore të Rusisë dhe SHBA-së, është një moment i errët për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare dhe u bëri thirrje Moskës dhe Uashingtonit të arrijnë një marrëveshje të re mbi kontrollin e armëve të shkatërrimit në masë sa më shpejt të jetë e mundur.

Tel Aviv- Ministria e Shëndetësisë e Gazës dje publikoi se 54 trupa palestinezë dhe 66 kuti me mbetje njerëzore janë transferuar në Rripin e Gazës pasi Izraeli i dorëzoi, ndërsa dorëzimi u krye përmes Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. 

Mançester - Mançester Siti e mposhti mbrëmë Njukasllin me rezultat 3-1 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së ligës së Anglisë. Ndeshja u luajt në stadiumin Etihad në Mançester. Në minutën e 7-të, sulmuesi i Sitit, Omar Marmush, hapi rezultatin. Njëzet minuta më vonë i njëjti lojtar e çoi epërsinë në 2-0, ndërsa Tijani Rejnders në minutën e 32-të shënoi për 3-0.

Остани поврзан