• сабота, 16 мај 2026
MIA Flesh

18:00/ 5 maj/ 2026

Shkup- Zëvendëskryeministri dhe ministër i Çështjeve Evropiane thotë se po punohet me ritëm të përshpejtuar në agjendën e reformave dhe po bëhen përpjekje të merren mjete nga Plani për rritje të cilat do të mbeten të pashfrytëzuara nga Serbia, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.  Sali, i cili sot mori pjesë në mbledhjen e Bordit Drejtues të Odës Ekonomike, tha se vlerësimi i Komisionit Evropian është se kemi tempo të shpejtë të rritjes në krahasim me shtetet e tjera të rajonit. 

Stamboll - Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, mori pjesë në tryezën ministrore të Forumit të 5-të Ndërkombëtar për Ujërat, që po mbahet në Stamboll, Republika e Turqisë. Në fjalimin e tij, ai theksoi rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore, në kontekstin e situatës aktuale gjeopolitike dhe krizës gjithnjë e më të theksuar klimatike. Hoxha informoi se Maqedonia e Veriut po ndjek në mënyrë aktive standardet evropiane në menaxhimin e ujërave, përfshirë edhe zbatimin e Direktivës Kornizë për Ujërat të Bashkimit Evropian.

Shkup - Grupi i punës sektoriale për Energjetikë mbajti sot një takim në Qeveri, në të cilin, siç raportoi Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM), u porosit se tranzicioni energjetik nuk është më një plan, por një proces aktiv me rezultate konkrete dhe qëllime të matshme.  Fokusi i diskutimit ishte përshpejtimi i reformave, koordinimi efektiv i donatorëve dhe përcaktimi i prioriteteve të ardhshme në zbatimin e dokumenteve strategjike dhe agjendës së reformave. Në takim morën pjesë përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian, UNDP-së, Bankës Botërore, ambasadave, institucioneve kyçe të sektorit energjetik, si dhe përfaqësues të komunitetit të donatorëve dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.

Shkup -  Financat publike të qëndrueshme dhe stabiliteti makroekonomik janë kruciale në kushtet e rritjes së pasigurisë globale, theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska gjatë fjalimit të saj në Dialogun ekonomik dhe financiar, i cili u mbajt sot në Bruksel. Në suaza të Dialogut të 12-të ekonomik dhe financiar, u diskutua zhvillimi ekonomik, sfidat dhe planet, si dhe u miratuan rekomandime për politikat e targetuara për secilin vend, të cilat duhet të zbatohen në periudhën e ardhshme.  "Hapësira e kufizuar fiskale është çështja më urgjente me të cilën përballen ministrat e Financave pas disa krizave të njëpasnjëshme dhe përkrahjes së fuqishme fiskale të ofruar gjatë pandemisë", theksoi ministrja.

Shkup– Gjykata Themelore Penale në Shkup e ka dënuar me 10 muaj burg Jasminka Kostadinovën, bashkëpunëtore në Ministrinë e Bujqësisë, e cila e ka pranuar fajësinë për marrje të shpërblimit prej 2.000 euro, në rastin për keqpërdorimin e fondeve IPARD. Në dënimin me burg të Kostadinovës, e cila është një nga nëntë të akuzuarit që duhej të ndihmonin një kompani që nuk ishte në mesin e të renditurve të merrte para nga fondet evropiane IPARD, i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga nëntori i vitit të kaluar, si dhe koha deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Shkup - Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve mbajti mbledhje në të cilën zhvilloi intervista me kandidatët e paraqitur pas Vendimit për shpalljen e konkursit publik për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Mbledhjen e hapi Gjorgjija Sajkoski, kryetar i Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, dhe më pas e kryesoi kryetari i Komisionit të Përzgjedhjes, Igor Zdravkovski. Kandidatët Katerina Zajkovska, Marija Katrallova-Kitanov, Vlladimir Klekovski, Tanja Levajkoviq dhe Millka Muratovska paraqitën pikëpamjet dhe vizionet e tyre para anëtarëve të Komisionit, si dhe para publikut të interesuar.

Shkup- Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shkup, Michalis Rokas, në ambientet e Delegacionit të BE-së në Shkup. Në fokus të bisedës ishin zhvillimet politike në vend dhe avancimi i perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Thaçi theksoi se përshpejtimi i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian mbetet prioritet strategjik, duke nënvizuar se çdo vonesë e mëtejshme rrezikon të thellojë pasigurinë politike dhe të dobësojë besimin e qytetarëve në institucione. Në këtë kontekst, u theksua edhe rëndësia e kultivimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore si një hap i domosdoshëm për zhbllokimin e procesit të negociatave dhe avancimin e rrugës evropiane të vendit.

Shkup- Gjatë 24 orëve të kaluara në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë regjistruar pesë denoncime për dhunë familjare, me çka dy persona janë privuar nga liria, informojnë nga MPB. 

Strugë – Në Gjykatën Themelore në Strugë nesër do të fillojë përsëri gjykimi për mjekët Blerton Asani dhe Liljana Jovanovska, të pandehurit e dytë dhe të tretë në rastin me lehonën nga Dibra, e cila humbi mitrën, vezoren dhe veshkën gjatë lindjes në Spitalin e Strugës. Gjykata e Apelit në Manastir konfirmoi dënimin me burg për të pandehurin e parë, gjinekologun Muhamed Asani, ndërsa për dy të pandehurit e tjerë, të cilët u liruan nga akuzat, çështja u kthye në rigjykim. Gjykatësi Jordan Jovanov informoi se në aktgjykimin që është kthyer nga Gjykata e Apelit nuk ka pasur vërejtje se çfarë duhet të ndërmerret dhe se në seancën e nesërme do të përsëriten provat materiale të paraqitura, pas së cilës do të vijojë aktgjykimi.

Prishtinë - Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka dërguar letër presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, njëherësh zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, përmes së cilës ka ftuar Bashkimin Evropian të dërgojë Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të caktuara për datën 7 qershor 2026. Siç bën të ditur Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës (ZPRK), në letrën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar se, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, ka nxjerrë vendimin për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, ajo ka ftuar Bashkimin Evropian që, përmes një Misioni të pavarur Vëzhgues, të përcjellë dhe vlerësojë zhvillimin e zgjedhjeve.

Londër – Çmimet e naftës sot u ulën pasi SHBA-ja filloi aksion për rihapje të Ngushticës së Hormuzit. Por, rënia e çmimeve është kufizuar dhe nafta blihet për më shumë se 110 dollarë për fuqi.  Në Bursën e Londrës nafta Brent pasdite shitej për 112,61 dollarë për fuqi ose për 1,6 për qind më pak se çmimi i djeshëm në mbylljen e bursave. Dita e djeshme përfundoi me rritje të çmimit të naftës për 5,8 për qind.  Në bursat e SHBA-së çmimi i naftës së lehtë amerikane u ul për 2,5 dollarë dhe blihej për 103,92 dollarë. Ulja në krahasim me dje është 2,35 për qind, pasi rritja e djeshme ishte 4,4 për qind.

Islamabad - Të paktën 470 gra u vranë në Pakistan në vitin 2025 nga të afërm të ngushtë në të ashtuquajturat "vrasje për nder", theksohet në raportin e ri që e përshkruan problemin si "endemik" në një shoqëri me dhunë në rritje me bazë gjinore.  Kjo shifër është më e lartë krahasuar me 405 rastet e regjistruara një vit më parë, kumtoi Komisioni i të Drejtave të Njeriut në Pakistan (HRCP), duke treguar një rritje pavarësisht ligjeve më të rrepta që synojnë frenimin e krimeve të tilla, të cilat shpesh marrin dënime kombëtare, ndërsa ndonjëherë ndërkombëtare. Më shumë se një e treta e viktimave janë nga provinca qendrore e Penxhabit, zemra bujqësore e Pakistanit, ku strukturat shoqërore konservatore shpesh formësohen nga lidhjet fisnore dhe fetare. Raporti i HRCP-së regjistroi gjithashtu 1.332 vrasje të grave të lidhura me dhunën në familje vitin e kaluar.

Uashington- Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset dhe shefi i Shtabit të bashkuar të ushtrisë amerikane, gjeneral Den Kejn, sot nga Pentagoni theksuan se SHBA-së "nuk i nevojitet luftë" dhe shtoi se Iranit nuk guxon t'i lejohet të bllokojë rrugë detare ndërkombëtare dhe të ndal mallëra të dedikuara për vende të pafajshme. "Kalimi i dy anijeve tregon se lundrimi nëpër Ngushticën e Hormuzit është i lirë", tha Hegset. Ministri sqaroi se “Projekti Liria” është krejtësisht i ndarë nga Operacioni "Zemërimi Epik", i cili filloi në fund të shkurtit, në vet fillimin e luftës. Detyra kryesore e këtij projekti të ri është mbrojtja e anijeve tregtare nga agresioni iranian, ndërsa Hegset shtoi se i gjithë misioni është i një natyre të përkohshme.

Teheran – Irani e akuzoi SHBA-në për vrasje të pesë civilëve në Ngushticën e Hormuzit, duke thënë se forcat e tyre civile sulmuan anije të udhëtarëve, ndërsa jo anije që i takojnë Korparmatës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), siç thoshin amerikanët.  Ky pohim është në kundërshtim me deklaratën e admiralit amerikan Bred Kuper, i cili tha se forcat e Komandës Qendrore (CENTCOM) fundosën gjashtë anije të IRGC-së të cilat bënin përpjekje të përziheshin në misionin amerikan për evakuim të anijeve të bllokuara nga Hormuzi.  Operacioni i SHBA-së, i quajtur “Projekti Liria”, e lëkundi armëpushimin e brishtë të arritur ndërmjet Iranit dhe SHBA-së më 8 prill dhe e rinovoi frikën nga përshkallëzimi i mundshëm. 

Остани поврзан