• сабота, 16 мај 2026

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 25 prill/ 2026

Shkup - Në shtëpinë ligjvënëse pasdite do të mbahet debat kombëtar dy ditësh për rolin e Kuvendit në procesin e inkuadrimit në BE. Siç informojnë nga shërbimi për shtyp i Kuvendit, në sesionin e parë plenar me temën "Modeli i përfshirjes së Kuvendit në procesin e inkuadrimit drejt BE-së", do të mbajnë fjalim kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, Zoran Dimitrovski, zëvendësministër i punëve të jashtme dhe tregtisë së jashtme, Fani Karanfilova-Panovska, zëvendës kryetare e LSDM-së, Marija Risteska, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Hulumtime dhe Krijim të Politikave-CRPM dhe Gordan Georgiev, ish deputet dhe kryetar i Forumit për politika të mençura.

Shkup - Ministria e Shëndetësisë, në përputhje me një vendim të Qeverisë, ka shpallur procedurën e prokurimit publik për 100 automjete të reja të ndihmës së shpejtë, të pajisura me aparaturë të avancuar mjekësore, për institucionet publike shëndetësore në të gjithë vendin, njoftoi MSH. Vlera totale e investimit është 461.250.000 denarë. Aktualisht është në vijim afati ligjor për dorëzimin e ofertave.

Shkup - Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot iu bashkua vullnetarëve në një aksion të madh për pastrimin e lokalitetit Matkë, një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore në vend. Siç njoftoi Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, gjatë aksionit, ministri Hoxha theksoi se institucionet po punojnë me intensitet në zgjidhje sistematike, por se çelësi për sukses afatgjatë qëndron në përgjegjësinë personale të çdo individi.

Shkup - Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski, duke folur për projektet e Korridorit 8, deklaroi se aktualisht është duke u zhvilluar përzgjedhja e një kontraktori së bashku me BERZH-in për segmentin nga Bukojçani në Kërçovë, dhe shtoi se autostrada Kërçovë - Ohër tashmë është drejt përfundimit.

Shkup - Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka urdhëruar që të zbatohet procedurë hetimore kundër dy personave të dyshuar për veprën penale të marrjes së shpërblimit për ndikim të paligjshëm. Prokuroria Publike Shtetërore informon se të dyshuarit janë një polic gjyqësor dhe një person për dorëzim nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, të cilët nga gushti 2025 deri më 7 prill 2026 kanë marrë drejtpërdrejt një shpërblim prej 500 eurosh dhe 60.000 denarësh nga një dëshmitar, për ndërmjetësimin e policit gjyqësor në gjykatat më të larta, me qëllim që të marrin një vendim lirimi nga akuzat.

Shkup - Nën moton "Lidership. Miqësi. Ndikim", Asociacioni Alumni i Shkollës për liderë të ish presidentit të shtetit Gjorge Ivanov - ISLAA (Ivanov School of Leaders - Alumni Association) shënoi 15 vjetorin e themelimit, me një ngjarje solemne që i bashkon alumnistët, mbështetësit dhe miqtë. ISLAA njoftoi se gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit është rritur në një komunitet me ndikim me mbi 600 ish-studentë nga vendi dhe nga e gjithë bota.

Shkup - Pas shumë vitesh pritjeje, banorët e Lisiçes së Poshtme më në fund kanë ujë të pijshëm të pastër dhe të sigurt, ka shkruar sot kryetari i Qytetit të Shkupit Orce Gjorgjievski në profilin e tij në Fesjbuk. Gjorgjievski informoi se sot me kryetarin e Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, inspektuan punimet në rrjetin e ri të ujësjellësit në rrugën "2" në Lisiçe të Poshtme.

Berlin - Njësitë detare gjermane do të vendosen në Mesdhe në përgatitje për pjesëmarrje të mundshme në misione në Ngushticën e Hormuzit, tha ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius. "Një anije minahedhëse dhe një anije komande dhe furnizimi do të vendosen", tha Pistorius për gazetën "Rajnishe Post". Ai nuk specifikoi se kur saktësisht do të niseshin anijet.

Moskë - SHBA po braktis konventat diplomatike të njohura ndërkombëtarisht në ndjekje të interesave të veta, veçanërisht në dominimin e tregjeve të energjisë, tha ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në një intervistë për televizionin shtetëror rus. Ai vuri në dukje se me veprimet e tij në Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme, Uashingtoni po e kthen botën "në një epokë kur nuk kishte asgjë" - as ligj ndërkombëtar dhe as një sistem marrëdhëniesh ndërkombëtare.

Islamabad - Ministri iranian i punëve të jashtme Abas Aragçi, mbërriti në kryeqytetin pakistanez Islamabad për të biseduar për propozimet e rifillimit të negociatave paqësore me SHBA-në, në kushte të sinjaleve të kundërshtuara për atë nëse do të takohet me negociatorët amerikan. Ministria e Punëve të Jashtme të Pakistanit e konfirmoi mbërritjen e delegacionit iranian dhe njoftoi se Aragçi do të takohet me përfaqësues të lartë pakistanez për të biseduar për përpjekjet paqësore.

Gazë - Palestinezët sot votojnë në zgjedhjet lokale, duke përfshirë edhe në Rripin e Gazës, për herë të parë në dy dekada. Pritet që votimi të tregojë atmosferën në territoret palestineze në kohën kur qeveria izraelite tenton ta parandalojë çdo përpjekje për shtetin palestinez. Vetëqeverisja palestineze me seli në Bregun Perëndimor shpreson se përfshirja simbolike në qytetin Deri-al Balah në Gaza në zgjedhje do të ndihmojë në përforcimin e kërkesës së saj për vendosje të pushtetit mbi territorin e shkatërruar nga lufta, i cili është nën udhëheqjen e Hamasit nga viti 2007.

Bejrut - Forcat izraelite sulmuan lëshues raketor që i përkasin lëvizjes shiite libaneze Hezbollah në Libanin jugor gjatë natës, njoftoi DPA, duke i'u referuar kumtesës së sotme të armatës izraelite. Në kumtesë thuhet se lëshuesit raketor paraqesin një kërcënim për qytetarët dhe ushtarët izraelit. Në ndërkohë, Ministria libaneze e shëndetësisë publikoi se gjashtë persona janë vrarë, ndërsa dy janë plagosur në sulmet e djeshme ajrore izraelite.

Teheran - Një burrë i akuzuar për bashkëpunim me shërbimet sekrete izraelite gjatë protestave të mëdha në Iran në janar u ekzekutua këtë mëngjes, njoftuan autoritetet gjyqësore iraniane. Ekzekutimet në vend janë rritur që nga shpërthimi i luftës, e cila filloi me një sulm amerikano-izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt. Erfan Kiani u var në një procedurë të miratuar nga Gjykata Supreme, raportoi edicioni gjyqësor Mizan.

Uashington - Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione ndaj rafinerisë kineze të naftës Hengli për shkak të marrëveshjeve të saj të biznesit me Teheranin, njoftoi Ministria e Financave. "Rafineritë e pavarura në Kinë vazhdojnë të luajnë një rol jetësor në mbështetjen e ekonomisë së naftës të Iranit, ndërsa Hengli është një nga klientët më të mëdhenj të Iranit për naftë të papërpunuar dhe produkte tjera të naftës, duke blerë naftë iraniane në vlerë prej miliarda dollarësh", thuhet në kumtesën e Ministrisë.

 Uashington - Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pit Hegset, deklaroi se armata amerikane meriton të marrë Çmimin Nobel për Paqe çdo vit. "I vetmi institucion që duhet të marrë Çmimin Nobel për Paqe çdo vit është ushtria amerikane, sepse ne jemi garantues i sigurisë dhe mbrojtjes jo vetëm të vendit tonë, por edhe të shumë njerëzve në këtë botë", tha Hegset në një konferencë për shtyp në Pentagon.

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se Irani planifikon të japë një ofertë që synon përmbushjen e kërkesave të SHBA-së, dhe se pritet që negociatat paqësore në Pakistan të vazhdojnë. "Ata japin një ofertë dhe do ta shohim", tha Trampi në një intervistë telefonike për Rojters. Ai thotë se nuk e dinte ende se ç'farë do të ishte oferta.

Shkup - Moti sot do të jetë me diell me vranësira të vogla deri në mesatare lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 0 deri në 7 gradë, ndërsa maksimalja nga 17 deri në 25 gradë. Në Shkup moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme me periudha me diell. Do të fryjë erë mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të bie në 5 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 23 gradë.

Остани поврзан