• сабота, 16 мај 2026

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 1 maj/ 2026

Shkup - Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova dërgoi një mesazh për qytetarët, duke theksuar rëndësinë e të drejtave të punëtorëve dhe drejtësisë sociale. "Si presidente e të gjithë qytetarëve, ju kujtoj se kemi detyrim të ndërtojmë një shoqëri në të cilën puna vlerësohet dhe çmohet, dhe të drejtat sociale dhe ekonomike realizohen", shkroi presidentja Siljanovska-Davkova në një mesazh me rastin e 1 Majit - Ditës Ndërkombëtare të Punës.

Shkup - Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të punës, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, dërgoi urim për të gjtihë punëtorët në vend, duke theksuar se puna e tyre është e rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë.  "1 Maji – Dita Ndërkombëtare e Punës, është një ditë kushtuar të gjithë atyre që me punën, dijen, përkushtimin dhe përgjegjësinë e tyre kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin e shoqërisë sonë", shënoi Gashi në urim me rastin e festës së 1 Majit.

 Ohër - Jo vetëm që nuk ka ngecje, por ka përparim në agjendën e reformave të vendit. Nga vendi i fundit, Maqedonia tani është krah për krah me të ashtuquajturit kryesues në grup. Do t'u kërkoja qytetarëve, të gjitha mesazhet që vijnë nga opozita t'i pranojnë me rezervë, sepse qëllimi i kësaj opozite nuk është të dërgojë një mesazh të saktë ose të jetë konstruktiv dhe të ofrojë një zgjidhje, por qëllimi i saj është të tërheqë vëmendjen me gënjeshtra dhe spekulime, tha sot nga Ohri kryeministri Hristijan Mickoski.

Ohër - Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikollovski dhe kryetari i komunës, Kiril Pecakov, sot inspektuan aktivitetet ndërtimore që po kryhen në të gjithë Ohrin, si dhe morën pjesë në fillimin e ndërtimit të një garazhi me kate në qendër të qytetit. Kryeministri në këtë rast theksoi se një pjesë e prioriteteve që kishte Komuna e Ohrit dhe një pjesë e projekteve që i propozuan deputetët janë ose të realizuara, ose janë në fazë realizimi, ose do të fillojnë të realizohen.

Ohër - Disa nga sindikatat që sot protestojnë ishin me mua në konferenca për shtyp kur së bashku arritëm marrëveshje për të drejta më të mëdha të të punësuarve dhe paga më të larta, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski. Ai e klasifikoi protestën e sotme në grupin e, siç tha ai, protestave tradicionale të 1 Majit që sindikatat duhet të zhvillojnë.

Shkup - Në këtë moment, po i përmbahemi masës së TVSH-së së ulur në 10 për qind për benzinën 95 dhe 98, si dhe masës së akcizës së ulur. Pres që dizeli të jetë më i lirë nga e hëna, dhe TVSH-ja për të do të mbetet në 18 për qind. Pas negociatave të vështira dhe të lodhshme me "Okta"-n, arritëm ta vazhdojmë zbritjen që ishte rënë dakord më parë - dy denarë shtesë për litër për benzinë ​​dhe tre denarë për litër dizel. Dhe kjo do të zgjasë deri më 18 maj. Deri atëherë, kemi një marrëveshje, dhe pas kësaj do të shohim. Shpresojmë që kriza të mbarojë dhe se do të mund të hyjmë në një gjendje normale, por të presim. Është e rëndësishme që zbritjet të vazhdojnë për të gjitha kompanitë që marrin benzinë ​​dhe naftë nga "Okta", tha sot kryeministri Hristijan Mickoski. Mickoski është i befasuar që, gjoja, disa kompani që e përdorin këtë zbritje po rieksportojnë benzinë ​​dhe naftë në vendet fqinje, por informacioni i tillë, siç theksoi ai, ende po verifikohet për saktësi.

Shkup - Me rastin e 1 Majit - Ditës Ndërkombëtare të Punës, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në Fejsbuk dërgoi urime për të gjithë punëtorët të cilët, siç theksoi, me përkushtimin, dijen dhe përgjegjësinë e tyre, kontribuojnë për zhvillimin e shoqërisë. "Puna është një nga vlerat më të mëdha mbi të cilën ndërtohet dinjiteti i çdo personi, dhe për këtë arsye është themeli i çdo vendi të përparuar dhe të qëndrueshëm. Çdo sukses fillon nga personi dhe varet nga siguria, stabiliteti dhe motivimi i tij. Kjo është arsyeja pse ne mbetemi të përkushtuar ndaj politikave që nënkuptojnë një standard më të mirë jetese, avancimin e të drejtave të punëtorëve dhe hapjen e mundësive të reja të punësimit", shkroi ministrja.

Shkup - Është koha që Evropa jo vetëm të zgjohet, por edhe të bëjë një hap drejt zgjerimit të Unionit. Duhet të flasim më pak për historinë dhe më shumë për të ardhmen, theksoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në fjalimin e tij në forumin e organizuar nga Unioni Ndërkombëtar i Demokracisë (IDU) që u mbajt në Zagreb të Kroacisë.

Shkup - Nën sloganin "Luftojmë për rrogë - nuk lutemi" sot në Shkup u mbajt një protestë e organizuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), me kërkesë për paga më të larta dhe kushte më të mira pune. Protesta filloi nga Shtëpia e Punëtorëve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, vazhdoi para Kuvendit të Republikës, deri te Oda Ekonomike dhe përfundoi para Qeverisë. Kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov, tha se shumë punëtorë sot, pavarësisht se janë të pakënaqur me pagat e tyre, kanë frikë t'u bashkohen protestave sepse besojnë se protestat i drejtohen dikujt.

Gostivar - Nën moton "Heshtja vret, zëri shpëton", mbrëmë në Gostivar, Qendra për të Drejtat e Grave "Etika" organizoi një debat dhe ekspozitë për të rritur ndërgjegjësimin për dhunën në familje dhe ndaj grave. Ekspozita speciale me 16 fotografi në qendrën kulturore ASNOM paraqiti para banorëve të Gostivarit histori të vërteta me një mesazh të qartë: të thyejnë heshtjen dhe të rrisin ndërgjegjësimin rreth dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Gjevgjeli - Në 24 orët e fundit, gjithsej 14.000 pasagjerë e kanë kaluar kufirin e Maqedonisë në vendkalimin kufitar "Bogorodicë" në drejtim të Greqisë, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme. Deri në orën 10 të mëngjesit të sotëm, janë regjistruar rreth 3.000 shtetas të Maqedonisë që janë regjistruar për dalje nga kjo pikë kufitare, ndërsa 11.000 të tjerët janë shtetas të vendeve të tjera. Nga ana e Maqedonisë nuk janë vërejtur vonesa në vendkalimet kufitare në pjesën juglindore të vendit, drejt Greqisë fqinje, dhe Ministria e Punëve të Brendshme thotë se po merren masa duke vënë në funksion të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për të përshpejtuar fluksin e pasagjerëve, duke zbatuar kontrolle të detyrueshme kufitare.

Athinë - Me greva dhe protesta në Athinë dhe qytetet tjera greke, në Greqi tradicionalisht do të shënohet Dita e punës, të organizuara nga sindikatat e të punësuarve në sektorin publik dhe privat, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Greqia sot është pa transport detar dhe hekurudhor, ndërsa probleme do të ketë edhe në transportin publik, duke marrë parasysh atë që në Athinë, metroja dhe tramvaji filluan grevë 24 orëshe, autobusët dhe trolejbusët do të qarkullojnë nga ora 09:00-21:00, ndërsa në Selanik do të qarkullojnë vetëm 50 autobusë.

Teheran - Ministri iranian i Punëve të Jashtme Abas Aragçi i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t'i mbajë përgjegjës SHBA-në dhe Izraelin për atë që ai e quajti një "luftë agresive" 40-ditore kundër Iranit, duke paralajmëruar se tensionet aktuale në Gjirin Persik dhe në Ngushticën e Hormuzit janë pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre veprimeve.

Uashington - Presidenti i SHBA-së Donald Tramp deklaroi se "ndoshta" do të shqyrtojë për tërheqjen e trupave amerikane nga Italia dhe Spanja. Kohë më parë ai njoftoi se Uashingtoni mendon edhe për uljen e numrit të ushtarëve në Gjermani. Trampi ashpër i kritikoi aleatët e NATO-s për mosdërgimin e forcave të tyre detare për të ndihmuar në hapjen e Ngushticës së Hormuzit, e cila u mbyll për trafikun detar global pas fillimit të luftës ajrore amerikano-izraelite kundër Iranit më 28 shkurt. Ai gjtihashtu, deklaroi se po mendon për tërheqjen e SHBA-së nga Aleanca.

Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha se po heq disa tarifa për uiskin skocez pas vizitës së Mbretit të Britanisë, Çarlsi i Tretë, dhe Mbretëreshës Kamila, në Shtëpinë e Bardhë këtë javë. "Mbreti dhe Mbretëresha më detyruan të bëj diçka që askush tjetër nuk e ka bërë ndonjëherë, pothuajse pa më pyetur!" shkroi Trampi në rrjetet sociale.

Vankuver - Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, konfirmoi në kongresin në Vankuver se do të kandidojë për një mandat të ri në vitin 2027. Në fjalimin e tij para delegatëve të kongresit, Infantino theksoi arritjet e FIFA-s nën udhëheqjen e tij gjatë dekadës së fundit.

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe më freskët me periudha me diell. Në pjesët jugore do të ketë kushte për shi të përkohshëm lokal. Do të fryjë erë mesatare, në disa vende përkohësisht erë e përforcuar nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -1 deri në 6 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 9 deri në 16 gradë. Në Shkup do të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme me periudha me diell. Do të fryjë erë mesatare, në disa pjesë të luginës erë e përkohshme e përforcuar nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të bie në 2, ndërsa maksimalja do të arrijë 15 gradë.

Остани поврзан