09:00/24 prill/2026
Shkup - Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi do të jetë sot nikoqir i Konferencës së XX-të të kryetarëve/spikerëve të Iniciativës Adriatiko-Joniane (IAJ), e cila mbahet në kuadër të kryesimit të shtetit tonë me këtë Iniciativë. Në takim është paralajmëruar prania e kryetarëve, nënkryetarëve dhe deputetë të parlamenteve të shteteve anëtare të IAJ-së - Republika e Maqedonisë së Veriut, Republika e Shqipërisë, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Republika Greke, Mali i Zi, Republika Italiane, San Marino, Republika e Serbisë dhe Republika e Sllovenisë, si dhe përfaqësues nga Sekretariati i IAJ-së.
Shkup - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska sot do të marrë pjesë në hapjen e një Laboratori të ri për Ushtrime Paraklinike në Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin "Shën Kirili dhe Metodi" në Shkup. Siç njoftoi MASh, investimi është me vlerë 10 milionë denarë, gjysma e të cilave do të sigurohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Universiteti.
Shkup - Moti sot do të jetë me diell me vranësira lokale të lehta deri mesatare. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, kryesisht nga drejtimi verior, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -1 deri 6, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 15 deri 23 gradë.
Athinë - Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.7 ballë sipas shkallës Rihter u regjistrua pak para orës 6:30 të mëngjesit sipas kohës lokale në zonën detare në jug të ishullit grek të Kretës, ndërsa deri më tani nuk janë raportuar probleme, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Sipas Institutit Gjeodinamik, epiqendra ishte në zonën detare shtatë kilometra në jugperëndim të qytetit bregdetar të Gudurës dhe në një thellësi prej 5 kilometra.
Athinë - Një marrëveshjen e re pesëvjeçare për bashkëpunim strategjik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, që njëkohësisht do të jetë rinovim i asaj të mëparshmes nga viti 2021, pritet të nënshkruhet nga Greqia dhe Franca gjatë vizitës në Athinë të presidentit francez Emanuel Makron, raporton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Odesa – Të paktën dy persona u vranë, ndërsa 15 u plagosën në sulmin e forcave ruse në Odesa gjatë natës, kumtoi sot Shërbimi shtetëror i emergjencave të Ukrainës. “Si rezultat i sulmit gjatë natës në Odesa u goditën ndërtesa banimi dhe infrastruktura civile. Dy persona u vranë, ndërsa 15 u plagosën. Për shkak të goditjes së një ndërtese banimi trekatëshe, janë shkatërruar banesa dhe shpërtheu zjarr. Gjashtë persona janë lënduar”, bën të ditur Shërbimi në Fejsbuk.
Oslo – Qeveria norvegjeze ka informuar sot se do të propozojë ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeçe dhe se kompanitë e teknologjisë do të jenë përgjegjëse për verifikimin e moshës së përdoruesve të rinj. "Po e sjellim këtë ligj sepse duam një fëmijëri ku fëmijët mund të jenë fëmijë. Lojërat, miqësitë dhe jeta e përditshme nuk duhet të merren nga algoritmet dhe ekranet", deklaroi kryeministri norvegjez Jonas Gar Stjore në një komunikatë.
Buenos Aires - Qeveria e presidentit argjentinas Havier Milei u ka ndaluar qasjen gazetarëve në pallatin presidencial "Kasa Rosada". Sekretari për komunikime, Havier Linari, deklaroi se vendimi bazohet në një raport nga organet përgjegjëse për sigurinë e presidentit dhe rezidencës qeveritare.
Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore në luftën kundër Iranit, transmeton DPA. "Pse të përdorë armë bërthamore? Ne i kemi shkatërruar plotësisht, në një mënyrë shumë konvencionale edhe pa to", u tha Trampi gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. "Jo, unë nuk do t'i përdorja ato. Askujt nuk duhet t'i lejohet kurrë të përdorë armë bërthamore", shtoi ai.