• сабота, 16 мај 2026
MI Flesh

12:00/6 maj/2026

Shkup - Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska u takua në Bruksel me drejtorin e Drejtorisë së përgjithshme për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimin e Komisionit Evropian, Gert Jan Kopman, në të cilin diskutuan për zbatimin e reformave dhe progresin në kuadër të Agjendës reformuese 2024–2027. Gjatë takimit u potencua progresi i realizuar deri më tani në zbatimin e reformave, si dhe dinamika e aktiviteteve të ardhshme.

Shkup - Në organizim të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Të Rinjve dhe UNICEF-it sot do të mbahet konferenca "Investimi tek çdo fëmijë - nxitja e kapitalit njerëzor, punësimi i grave dhe rritja inkluzive". Siç është paralajmëruar, në konferencë do të prezantohen gjetjet kyçe nga analiza gjithpërfshirëse e ndihmës monetare për familjet dhe fëmijët, në mënyrë që të inicohet dialogu për reforma, me qëllim të investimit në kapitalin njerëzor, nxitjen e punësimit të grave dhe uljes së varfërisë fëmijërore.

Shkup - Delegacioni Ministrisë së Punëve të Brendshme, i kryesuar nga ndihmësministri për marrëdhënie me publikun, Muhamed Ismaili, merr pjesë në panairin dhe konferencën ndërkombëtare "SAHA Expo 2026", që po mbahet në Stamboll nga 5 deri më 9 maj. Në kuadër të vizitës, delegacioni realizoi një takim pune me zëvendësdrejtorin e policisë turke, Mustafa Çalıshkan. Në takim u konfirmua bashkëpunimi I fuqishëm dhe i vazhdueshëm ndërmjet MPB-së dhe policisë turke, I bazuar në besimin e ndërsjellë dhe partneritetin. Theks I veçantë iu kushtua përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandimIt të emigrantëve dhe përballjes me sfidat bashkëkohore të sigurisë. Bashkëbiseduesit u pajtuan se përmes koordinimit të shtuar operacional, shkëmbimit të informatave dhe aktiviteteve të përbashkëta do të vazhdojnë të kontribuojnë në forcimin e sigurisë rajonale dhe globale.

Shkup - Temperaturat në mbarë vendin në mëngjes janë mbi zero. Më ftohtë është në Berovë ku janë matur dy gradë, ndërsa më ngrohtë në Vinicë, Krushevë dhe Zajçev Rid në Shkup ku temperatura e mëngjesit është 20 gradë. Për sot paralajmërohet mot me vranësira të ndryshueshme me periudha me diell dhe erë nga drejtimi jugor që do të jetë më e shprehur përgjatë Vardarit. Temperatura maksimale do të jetë në interval prej 21 deri në 27 gradë.

Athinë - Një anije mallrash që lundronte nën flamurin e Vanuatus u fundos në det, në veri të ishullit grek Andros, pasi goditi një pjesë shkëmbore, ndërsa të nëntë anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan dhe u transportuan të sigurt në port, raportoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Vjenë - Organizata Botërore Shëndetësore (OBSH) beson se ka ndodhur transmetim i hantavirusit nga njeriu te njeriu në një anije kroçerë në Atlantik, deklaroi epidemiologia e OBSH-së, Maria Van Kerhove, në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

Kiev - Shefi i administratës ushtarake rajonale ukrainase Zaporozhje, Ivan Fedorov, sot njoftoi për sulm rus ndah një kompleksi industrial për shkak të armëpushimit të njëanshëm nga ana e Kievit i cili tashmë hyri në fuqi. Ndërprerja nga ana e Ukrainës është nga sot në mesnatë, përderisa Moska parasheh armëpushim të përkohshëm më 7 dhe n8 maj në mënyrë që të shënohet fitorja e Bashkimit sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Moskë - Zëdhënësja e Ministrisë rusetë Punëve të Jashtme, Maria Zaharova, deklaroi se Rusia është e gatshme për "negociata produktive" për Ukrainën, por vetëm nëse ato sjellin rezultate konkrete. Zaharova për agjencinë RIA Novosti deklaroi se Moska edhe më tej është e hapur për procesin negociues dhe për kontakte, por se insiston për "rezultate të vërteta". Ajo shtoi se liderët perëndimorë, sipas vlerësimit rus, gjithnjë e më tepër janë të fokusuar në kriza të tjera globale, përfshirë edhe konfliktet në Lindjen e Afërt.

Teheran - Së paku tetë persona e humbën jetën, ndërsa 36 janë lënduar dje në zjarrin në një qendër tregtare në perëndim të Teheranit, kumtoi televizioni shtetëror iranian. Shërbimi zjarrfikës lokal kumtoi se shtresa e fasadës së ndërtesës së djegur ishte e ndezshme dhe se kjo e ka ndihmuar përhapjen e shpejtë të flakëve. Shkaku mbetet i panjohur.

Los Anxhelos - Zhvilluesi i "ÇatGPT", "OpenAI", pritet të shpenzojë rreth 50 miliardë dollarë këtë vit për zhvillimin e fuqisë kompjuterike, sipas bashkëthemeluesit dhe presidentit të kësaj kompanie amerikane për IA, Greg Brokman. Ai, në fakt, e zbuloi këtë shifër gjatë dëshmisë së tij në padinë e ngritur nga miliarderi i teknologjisë Elon Mask, i cili është gjithashtu bashkëthemelues i "OpenAI".

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se "Projekti Liria" (Project Freedom), iniciativa për të siguruar lundrimin nëpër Ngushticën e Hormuzit, do të pezullohet "për një periudhë të shkurtër kohore" për të parë nëse mund të finalizohet dhe nënshkruhet një marrëveshje me Iranin. Që nga fillimi i përplasjeve mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit në fund të shkurtit, Teherani praktikisht e ka ndalur lundrimin nëpër Ngushticën e Hormuzit përmes kërcënimeve dhe sulmeve, ndërsa Uashingtoni vendosi një bllokadë detare për anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane.

Uashington – Çmimi mesatar i benzinës në SHBA u rrit në 4.51 dollarë për galon, niveli më i lartë që nga korriku i vitit 2022, sipas të dhënave nga kompania "GasBuddy". Rritja e çmimit shoqërohet me vazhdimin e konfliktit në Iran dhe ndërprerjet në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin global të naftës ku trafiku është i kufizuar. Sipas "GasBuddy", çmimi i benzinës u rrit për 21 cent për galon krahasuar me javën e kaluar, ndërsa që nga fillimi i konfliktit në fund të shkurtit ka qenë më i shtrenjtë me më shumë se 1.50 dollarë për galon.

Londër – Arsenali është finalisti i parë në Ligën e kampionëve, pasi mbrëmë e mposhti Atletiko Madridin 1-0 në shtëpi dhe e eliminoi klubin spanjoll në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 2-1. Deri në finalen e dytë në historinë e klubit në garën elitare, Arsenali arriti me golin e Bukajo Sakës në minutën e 44-të.

Londër – Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta deklaroi se është krenar për lojtarët e tij që u kualifikuan në finalen e Ligës së kampionëve mbrëmë, e para për klubin londinez që nga viti 2006. “Jam krenar për ta dhe jam shumë i lumtur. E kemi pritur gjatë këtë finale dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që e arritëm para tifozëve tanë. Tifozët tanë janë krenarë për ne”, tha Arteta.

Остани поврзан