• петок, 24 јануари 2025

Mercenarët amerikanë do të sigurojnë kthimin e refugjatëve dhe paqen në Gaza

Mercenarët amerikanë do të sigurojnë kthimin e refugjatëve dhe paqen në Gaza

Jerusalem, 23 janar 2025 (MIA) - Forcat mercenare private amerikane do të kapin pikat kryesore të kontrollit në Gaza në ditët në vijim dhe do të vendosin personelin e tyre të armatosur në enklavë, njoftoi portali Aksios, duke cituar dy zyrtarë izraelitë. Kjo është në përputhje me marrëveshjen e arritur mes Izraelit dhe Hamasit, shkruan portali.

Kompanitë private amerikane do të operojnë në Gaza si pjesë e një konsorciumi ndërkombëtar të krijuar sipas Marrëveshjes së Armëpushimit midis Hamasit dhe Izraelit, e cila u ndërmjetësua nga SHBA, Egjipti dhe Katari.

Roli i mercenarëve amerikanë do të jetë inspektimi i automjeteve palestineze që lëvizin nga jugu në veri të Gazës, për të parandaluar transportin e raketave dhe armëve të tjera të rënda.

Tre anëtarë të forcave të sigurisë amerikane u vranë në vitin 2003 në një sulm ndaj një autokolone amerikane në Gaza. Autoritetet izraelite pretendojnë se pas sulmit qëndron Hamasi. Kjo do të jetë hera e parë në dy dekada që forcat amerikane janë ridislokuar në Gaza.

Formimi i një ekipi ndërkombëtar të sigurisë ishte pjesë e negociatave për zgjidhjen e çështjes së kthimit të palestinezëve në Gazën veriore. Izraeli ka kërkuar që të gjithë palestinezët që udhëtojnë në veri t'i nënshtrohen kontrolleve të sigurisë. Hamasi e refuzoi këtë kërkesë.

U arrit një kompromis që automjetet mund të lëviznin në pjesën veriore të Gazës vetëm përmes një rruge dhe se ato do të inspektoheshin në korridorin Necerim, me inspektimin që do të kryhej nga një palë e tretë.

"Roli i konsorciumit është të monitorojë, menaxhojë dhe sigurojë pikën kritike të kontrollit përgjatë rrugës Salah al-Din, duke siguruar kthimin e sigurt të palestinezëve të zhvendosur. Qëllimi është të sigurohet lëvizje e rregullt e automjeteve duke parandaluar transportin e armëve në veri, në përputhje me kushtet e armëpushimit", tha një burim i njohur me detajet e marrëveshjes për Aksios.

Konsorciumi përbëhet nga tre kompani private, të përzgjedhura nga SHBA, Egjipti dhe Katari me miratimin e Izraelit dhe Hamasit.

Mercenarët amerikanë pritet të jenë të pranishëm në Gaza deri në përfundimin e fazës së parë të marrëveshjes për shkëmbimin e pengjeve. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 



Остани поврзан