Mali i Zi: Që nga heqja e regjimit pa viza, pothuajse 9.000 shtetas turq e kanë lënë vendin
- Nga fundi i tetorit, kur Qeveria malazeze e Milojko Spajiq (Lëvizja Evropa tani) vendosi përkohësisht viza për shtetasit e Turqisë, pothuajse 9.000 shtetas turq e kanë lëshuar Malin e Zi, ndërsa në të njëjtën periudhë janë miratuar vetëm 194 kërkesa për lëshim vizash.
Podgoricë, 27 nëntor 2025 (MIA) - Nga fundi i tetorit, kur Qeveria malazeze e Milojko Spajiq (Lëvizja Evropa tani) vendosi përkohësisht viza për shtetasit e Turqisë, pothuajse 9.000 shtetas turq e kanë lëshuar Malin e Zi, ndërsa në të njëjtën periudhë janë miratuar vetëm 194 kërkesa për lëshim vizash.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi për gazetën "Vijesti" se nga 27 tetori deri më 26 nëntor, Malin e Zi e kanë lëshuar 8.935 shtetas turq.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme thanë se nga 30 tetori, kur hyri në fuqi vendimi për futjen e përkohshme të vizave, janë procesuar 320 kërkesa. Prej tyre, 194 kërkesa janë miratuar, 29 janë refuzuar, ndërsa 97 janë në procedurë.
Shkak për Qeverinë që ta shfuqizojë regjimin pa viza me Turqinë ishte incidenti që ndodhi më 25 tetor në Podgoricë, kur u plagos një qytetar. Edhe pse policia fillimisht pretendoi se në plagosjen kishin marrë pjesë një shtetas i Turqisë dhe një i Azerbajxhanit, më vonë doli se sulmin gjoja e kishin kryer dy shtetas të Azerbajxhanit.
Një pjesë e opinionit publik e kritikoi vendimin, duke theksuar se ai është rezultat i populizmit të nxituar dhe se Qeveria i është nënshtruar atmosferës ksenofobe në vend.
Ky hap shkaktoi shqetësim edhe në planin ekonomik, duke pasur parasysh se turqit janë investitorët më të mëdhenj në Mal të Zi, marrin pjesë me pesë për qind në turizëm dhe janë pronarë të 20 për qind të kompanive në vend.
Shefi i diplomacisë, Ervin Ibrahimoviq (Partia boshnjake), më 17 nëntor deklaroi se beson se vizat për shtetasit turq do të hiqen brenda 10 deri në 15 ditë. Ai atëherë shtoi se Mali i Zi duhet ta harmonizojë politikën e vet të vizave me politikën e vizave të Bashkimit Evropian deri në fund të vitit 2026. Megjithatë, as nga resori i tij, as nga kabineti i kryeministrit Spajiq nuk iu përgjigjën pyetjes së "Vijestit" se saktësisht kur do të hiqen vizat. qa/
Foto: arkivi