• сабота, 15 март 2025

Komisioni Evropian nuk heq dorë nga propozimi për heqjen e llogaritjes sezonale të kohës

Komisioni Evropian nuk heq dorë nga propozimi për heqjen e llogaritjes sezonale të kohës

Bruksel, 14 mars 2025 (MIA) – Propozimi për heqjen e llogaritjes sezonale të kohës edhe më tutje është në listën e detyrave në Programin për punë të Komisionit Evropian, deklaroi zëdhënësja e KE-së për klimë, energji, akomodim, mjedis jetësor dhe tatime Ana – Kajza Itkonen. 

 “Ai ende është në listë dhe është në Parlament dhe Këshill për debat. Nuk e kemi tërhequr, edhe pse është e qartë se kaloi disa përpjekje për miratim gjatë viteve të kaluara”, deklaroi Itkonen në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve nëse në mesin e propozimeve të dorëzuara më parë për miratim të cilat i ka tërhequr Komisioni Evropian është edhe nisma me të cilën propozohet heqja e praktikës për ndryshim të kohës për llogaritje dimërore dhe verore. 

Itkonen theksoi se kjo është një nga çështjet për të cilat vendet anëtare nuk mund të harmonizohen, por se propozimi mbetet. 

 “Për dy javë mbetet që përsëri t’i ndryshojmë orët që t’i përshtatim me kohën e re”, shtoi Itkonen. 

Zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinjo sqaroi se në kuadër të politikës së saj për thjeshtësim, KE-ja ka vendosur t’i tërheqë të gjitha propozimet e dorëzuara para të paktën pesë vjetëve, për të cilat Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ende nuk ka arritur marrëveshje për miratim të saj. 

Sipas Pinjos, edhe pse propozimi për heqjen e ndryshimit sezonal të kohës është i vjetër gjashtë vjet, ai megjithatë nuk është në mesin e nismave të tërhequra. 

Javën e kaluar ministri polak i Zhvillimit, Kzhishtof Pashik deklaroi se Polonia në cilësinë e kryesueses me Këshillin e BE-së, ndërmori hapa konkretë për heqjen e praktikës për ndryshim të kohës për llogaritje dimërore dhe verore dhe për vendosjen e zonës së vetme kohore gjatë gjithë vitit. 

Pashik deklaroi se heqja e ndryshimit sezonal të akrepave të orëve përfaqëson “çështje sociale dhe ekonomike” dhe njoftoi se për këtë tashmë ka biseduar me eurokomisarin për transport dhe turizëm Apostollos Xixikostas dhe “e ka bindur” që të mos e heqë nismën për heqjen nga Programi i punës i Komisionit për vitin 2025. 

 “Për shkak të lidhjeve ekonomike, me rëndësi thelbësore është që të arrihet konsensus i të gjitha vendeve anëtare të BE-së për këtë çështje”, shtoi Pashik. 

Ndryshimi i ardhshëm i kohës do të ndodhë natën ndërmjet 29 dhe 30 marsit, kur orët në orën 2 do të lëvizin një orë më parë. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

 

Остани поврзан