• недела, 16 март 2025
Македонски
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Nga Dibra deri në Tiranë për një orë, lëshohet në përdorim tuneli i madh në autostradën "Rruga e Arbrit"

Nga Dibra deri në Tiranë për një orë, lëshohet në përdorim tuneli i madh në autostradën

Dibër, 14 mars 2025 (MIA) – Me lëshimin në përdorim të tunelit të madh të Murrizit, sot pasdite, që është pjesë e autostradës “Rruga e Arbrit”, nga Dibra në Tiranë tashmë arrihet për një orë. 

Në këtë ngjarje morën pjesë banorë të rajonit më të gjerë, me tupanë, instrumente, valle, ishte pritur kryeministri Edi Rama, bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, si dhe ministra të tjerë. 

Nuk pati fjalime të zakonshme, përveç përshëndetjes me qytetarët të cilëve Rama edhe një herë u premtoi se derisa është ai në krye të qeverisë shqiptare, në këtë autostradë nuk do të paguhen taksa për rrugë. 

 “Edhe pse është pjesë e një partneriteti publik-privat (PPP), as shtetasit shqiptarë dhe as të huajt nuk do të paguajnë taksa për rrugë gjatë kohës që jam kryeministër. Kjo rrugë financohet me mjete shqiptare. Taksa mund të bëhet në të gjitha rrugët, por jo në Rrugën e Arbrit”, tha më herët Rama.

Tuneli prej sot është i hapur për të gjitha llojet e automjeteve, ndërsa punimet vazhdojnë në tunelin ndihmës, i cili është për raste urgjente. Filloi të hapet në maj të viti 2019, por punimet ecnin më ngadalë se sa ishte paraparë, për shkak të gjeologjisë së vështirë dhe rrëshqitjes së dheut. Ai është me gjatësi prej 3,78 kilometra. 

Autostrada për qarkullim ishte lëshuar në fund të nëntorit të vitit 2021, në përgjithësi, ka 7 tunele, me gjatësi të përgjithshme prej 8,5 kilometra, si dhe katër ura, njëra prej tyre, me 158 metra është më e larta në Ballkan. 

 “Me gjatësi afërsisht 74 kilometra, ‘Rruga e Arbrit’ po kthehet në një korridor të rëndësishëm për lidhjen Lindje-Perëndim. Jo vetëm që do t'i afrojë qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do të jetë edhe një arterie e zhvillimit ekonomik dhe turizmit. Gjithashtu, ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Peshkopinë, si dhe me Maqedoninë e Veriut, Dibrën, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë një rrugë lidhëse ndërkombëtare”, deklaroi më herët Balluku.

Për shkak të infrastrukturës së mirë në vazhdimësi po rritet frekuenca e udhëtarëve në pikën kufitare “Bllatë”. Kështu, vitin e kaluar, siç konfirmuan për MIA-n nga MPB e Maqedonisë së Veriut, në hyrje dhe dalje janë regjistruar 834.345 udhëtarë, prej tyre të huaj 672.062 dhe 162.283 shtetas të Maqedonisë së Veriut. Në krahasim me vitin e kaluar numri është më i madh për 120.086 udhëtarë. fc/

Fotografia: Balluku në FB

 

 

Остани поврзан