Grevë treditore në Belgjikë kundër reformave qeveritare socio-ekonomike
- – Në organizim të tri sindikatave më të mëdha në Belgjikë sot fillojnë një varg grevash, të cilat do të kulminojnë të mërkurën me grevë të përgjithshme 24-orëshe.
Bruksel, 24 nëntor 2025 (MIA) – Në organizim të tri sindikatave më të mëdha në Belgjikë sot fillojnë një varg grevash, të cilat do të kulminojnë të mërkurën me grevë të përgjithshme 24-orëshe.
Konfederata e Sindikatave të Krishtera (CSC/ACV), Federata e Përgjithshme e Punës në Belgjikë (FGTB/ABVV) dhe Konfederata e Përgjithshme e Sindikatave Liberale të Belgjikës (CG SLB/ACLVB) i organizojnë grevat në shenjë proteste për shkak të reformave socio-ekonomike të Qeverisë federale belge, të cilat ndikojnë në nivelin e pensioneve dhe pagave dhe kushteve për punë.
Tri sindikatat theksojnë se greva treditore është “hap i domosdoshëm”, me qëllim që të detyrohen kryeministri belg Bart de Vever dhe Qeveria e tij “t’i japin fund dështimit social”.
Sindikatat akuzojnë se me masat qeveritare ulen pensionet dhe mbështetja sociale, rritet TVSH-ja dhe siç thonë, kufizohen të drejtat e punëtorëve.
Në mesin e kërkesave sindikaliste, përveç anulimit të këtyre masave, janë edhe vendosja e “tatimeve për të pasurit dhe gjigantëve digjitalë” dhe heqja e “subvencioneve të pakushtëzuara për kompanitë e mëdha”.
Seria e grevave fillon sot me ndërprerje të punës në transportin publik, shërbimet publike dhe arsimi do të fillojnë gjithashtu grevën nesër, ndërsa të mërkurën, gjatë grevës së përgjithshme, do t'u bashkohen atyre edhe punonjës të tjerë në sektorin shtetëror dhe privat.
Ndryshe nga grevat e përgjithshme të mëparshme, në të cilat u mbajtën marshe protestuese në Bruksel, këtë herë nuk është planifikuar një ngjarje e tillë. Në marshin e fundit të grevës së përgjithshme më 14 tetor morën pjesë rreth 100.000 njerëz. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s