• петок, 05 декември 2025

Fillon seanca plenare e nëntorit në Parlamentin Evropian

Fillon seanca plenare e nëntorit në Parlamentin Evropian

Strasburg, 24 nëntor 2025 (MIA) - Programi Evropian i Industrisë së Mbrojtjes, siguria e hapësirës ajrore dhe infrastrukturës kritike të BE-së, Propozim-buxheti për vitin 2026, siguria e lodrave, mbrojtja e të miturve nga përmbajtja e papërshtatshme në internet dhe Ligji për Shpyllëzimin do të jenë temat kryesore të seancës plenare të kësaj jave të Parlamentit Evropian në Strasburg.

Seanca fillon vonë këtë pasdite me një debat mbi raportin e eurodeputetes holandeze. Tinele Strik nga radhët e të Gjelbërve, për "ekzistencën e një rreziku të qartë të një shkeljeje serioze të vlerave mbi të cilat është themeluar Unioni nga Hungaria", pas së cilës do të vijojë debat për forcimin e bashkëpunimit policor në luftën kundër kontrabandës së migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Për miratimin e të dy raportëve eurodeputetët do të deklarohen nesër. Përveç kësaj, sonte do të organizohet edhe shënimi i 30-vjetorit të Procesit të Barcelonës dhe Paktit për Mesdheun.

Vazhdimi i seancës së nesërme do të fillojë me një debat për Programin Evropian të Industrisë së Mbrojtjes (EDIP), i hartuar për të forcuar bazën industriale të mbrojtjes të BE-së dhe për të rritur mbështetjen e mbrojtjes për Ukrainën, pas të cilit eurodeputetët pritet të votojnë për miratimin e tij.

Në vazhdim do të mbahet debati për raportin për mbrojtjen e të miturve në internet, për të cilin eurodeputetët do të votojnë të mërkurën. Në raportin kërkohen masa për të ndaluar dizajnet që krijojnë varësi dhe tiparet e ngjashme me bixhozin në lojërat onlajn, si dhe vendosjen e një pragu moshe prej 16 vjeç për qasje në mediat sociale.

Deputetët gjatë ditës së sotme do të zhvillojnë debat mbi Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe, ndër të tjera, do të diskutojnë edhe për Raportin e Mburojës Evropiane për Demokraci, "omnibusin" e ri digjital për të thjeshtuar rregullat teknologjike, situatën humanitare në Sudan, strategjinë diplomatike të BE-së dhe bashkëpunimin gjeopolitik në Arktik, si dhe situatën në Mianmar, me theks të veçantë në situatën e Roxhinjëve.

Përveç Programit Evropian të Industrisë së Mbrojtjes, eurodeputetët nesër, ndër të tjera,  do të votojnë edhe për miratimin e rregullave të reja mbi sigurinë e lodrave të fëmijëve, si dhe për raportet mbi sigurimin e regjistrimit dhe përdorimit më të shpejtë të agjentëve të kontrollit biologjik dhe olr ndikimin e inteligjencës artificiale në sektorin financiar.

Të mërkurën, seanca do të fillojë me një debat për përdorimin efektiv të politikës tregtare dhe industriale të BE-së për përballje me kufizimet e eksportit të Kinës për mineralet e rralla të tokës, të cilat janë thelbësore për tranzicionin digital dhe të gjelbër të BE-së.

Sesioni i pasdites do të vazhdojë me një debat tematik të iniciuar nga Partia Popullore Evropiane për situatën e komuniteteve të krishtera dhe pakicave fetare në Nigeri dhe Lindjen e Afërt dhe përgjegjësinë e Evropës për t'i mbrojtur ato, pas së cilës eurodeputetët do të diskutojnë, ndër të tjera, edhe për Pakon e e Mbrojtjes së Demokracisë, kërcënimet e vazhdueshme nga Rusia dhe Bjellorusia ndaj hapësirës ajrore të BE-së dhe infrastrukturës kritike, Strategjinë e BE-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, për rregullat për transparencën e përfaqësimit të interesave, përkatësisht lobimi për vendet e treta,si dhe Marrëveshjen e Tregtisë dhe Bashkëpunimit midis Bashkimit dhe Britanisë së Madhe.

Gjatë votimit të së mërkurës, eurodeputetët, përveç Raportit për Mbrojtjen e të Miturve në Internet, do të votojnë edhe për Propozim-buxhetin për vitin 2026, Rregulloren e Shpyllëzimit dhe mbrojtjen e konsumatorëve të BE-së nga praktikat e disa platformave të e-tregtisë.

Në ditën e fundit të sesionit të kësaj jave, të enjten, eurodeputetët do të debatojnë për zhvillimin e një industrie për karburant të qëndrueshëm për aviacionin në Evropë, rezultatet e Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (KOP30) në Belém, si dhe kultivimin e lëkurës dhe plasimin e produkteve të lëkurës në BE. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан