• петок, 05 декември 2025

Dhjetëra mijëra ukrainas mbetën pa energji elektrike pas sulmeve ruse ndaj Hersonit dhe Odesës

Dhjetëra mijëra ukrainas mbetën pa energji elektrike pas sulmeve ruse ndaj Hersonit dhe Odesës

Kiev, 4 dhjetor 2025 (MIA) - Dhjetëra mijëra njerëz në jug të Ukrainës mbeten pa energji elektrike dhe ngrohje pas sulmeve ruse ndaj qytetit të Hersonit dhe portit më të madh ukrainas, Odesa, njoftuan sot autoritetet lokale dhe kompania ukrainase e energjisë DTEK.

Guvernatori i qytetit jugor ukrainas Herson, Oleksandr Prokudin, deklaroi se centrali i ngrohjes qendrore dhe termoelektrani i qytetit u ndalën pas një seri sulmesh ruse gjatë natës, duke lënë 40,500 banorë pa ngrohje.

"Ky objekt krejtësisht civil, i cili siguronte ngrohje për banorët e qytetit, pësoi dëme serioze: hapësirat dhe pajisjet e stacionit u dëmtuan. Terroristët përsëri zhvillojnë luftë kundër popullatës civile", shkroi Prokudin në kanalin e tij në Telegram.

Kompania ukrainase e energjisë DTEK njoftoi se Rusia sulmoi objektin e saj energjetik në rajonin jugor të Odesës gjatë natës, duke lënë 51,800 amvisëri pa energji elektrike.

Ministria e Energjisë e Ukrainës njoftoi se sulmet ruse gjithashtu, lanë rreth 60,000 banorë në rajonin e Donjeckut pa energji elektrike, pa dhënë detaje shtesë. qa/

Foto: Arkivi i EPA-s

Остани поврзан