• петок, 05 декември 2025

Albaneze: Turqia do të jetë nikoqire e Samitit KOP31

Albaneze: Turqia do të jetë nikoqire e Samitit KOP31

Belem, 23 nëntor 2025 (MIA) – Kryeministri australian Entoni Albaneze deklaroi se është arritur një marrëveshje formale që Turqia të jetë nikoqire e Samitit për Klimën KOP31 në vitin 2026.

"Është arritur një marrëveshje formale për të mbajtur KOP31 në Antalia të Turqisë, ndërsa Australia do të promovojë interesat e Paqësorit duke marrë rolin e kryesuesit në negociata edhe gjatë takimit", theksoi Albaneze. 

Me këtë është zgjidhur ngecja e gjatë në negociatat për nikoqir të KOP31.

Australia do të ketë "kompetenca të jashtëzakonshme në negocatat" dhe në marrjen e vendimeve në Samit. Rajoni i Paqësorit do të jetë nikoqir i një takimi të posaçëm përpara Konferencës për Ndryshimet Klimatike (KOP) për të "paralajmëruar për kërcënimin ekzistencial që ndryshimet klimatike paraqesin për rajonin".

Blloku diplomatik rajonal prej 18 vendesh, Forumi i Ishujve të Paqësorit, ka mbështetur kandidaturën e Australisë. Disa vende ishujsh të Paqësorit janë në rrezik nga rritja e nivelit të detit.

Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (kOP30) përfundoi dje pa një plan detyrues për të hequr gradualisht lëndët djegëse fosile, me ç'rast vendet miratuan vetëm një iniciativë vullnetare për të përshpejtuar përpjekjet kombëtare për klimën.

Edhe pse kOP30 u zgjat për 19 orë, rreth 200 vende pjesëmarrëse nuk arritën të bien dakord për një plan detyrues për të hequr gradualisht lëndët djegëse fosile. Në dokumentin përfundimtar nuk përmenden në mënyrë të qartë nafta, qymyri dhe gazi, përveç në termin "gazra serrë".

Pas dy javësh bisedimesh në qytetin brazilian Belem, u miratua vetëm një iniciativë vullnetare që synonte përshpejtimin e përpjekjeve kombëtare për të luftuar ndryshimet klimatike.

Sipas Ministrit gjerman të Mjedisit Jetësor, Karsten Shnajder, vendet prodhuese të naftës penguan miratimin e një rezolute më ambicioze.

Në KOP30 u theksua se vendet e pasura duhet të rrisin ndjeshëm ndihmën për vendet më të varfra, ose të trefishojnë mjetet deri në vitin 2035, në mënyrë që t'i ndihmojnë ato të përshtaten me efektet e ngrohjes globale. ls/ 

Foto: EPA

 

 

Остани поврзан