Seanca e dytë e Komisionit për ndjekjen e gjendjes me furnizim me energji elektrike
- Komisioni për monitorimin e situatës së furnizimit me energji elektrike mbajti seancën e dytë, ku u diskutuan disa tema me rëndësi për sektorin e energjisë elektrike, me theks të veçantë në gjendjen aktuale të furnizimit me energji elektrike në vend.
Shkup, 27 dhjetor 2024 (MIA) - Komisioni për monitorimin e situatës së furnizimit me energji elektrike mbajti seancën e dytë, ku u diskutuan disa tema me rëndësi për sektorin e energjisë elektrike, me theks të veçantë në gjendjen aktuale të furnizimit me energji elektrike në vend.
Në seancë morën pjesë anëtarë të Komisionit nga Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit (KRRE) dhe përfaqësues nga kompanitë energjetike SHA EMV, MEMO SHPKNJP Shkup, EMV Energetika, EVN HOME SHPKNJP dhe TE-TO SHA Shkup.
"Anëtarët e Komisionit u njoftuan për problemet me termocentralet, veçanërisht në REK Manastir dhe TEC Oslomej. REK Manastir aktualisht operon me dy njësi, me konsum mesatar të thëngjillit prej 12.500 tonë në ditë. Në TEC Oslomej ka mungesë të thëngjillit cilësor. Si rezultat i punës së menaxhmentit të mëparshëm dhe përdorimit të thëngjillit të cilësisë së dobët, ky objekt prodhues është ndërprerë. Andaj, shpallja për furnizimin e 400 mijë tonë thëngjill është publikuar për TEC Oslomej, i cili duhet të arrijë në deponi për të filluar punën", thuhet në kumtesën e Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale.
Në seancë u prezantua edhe gjendja aktuale e hidroakumulimeve, e cila, siç u tha, është në nivelin 10 për qind të kapacitetit, që është dukshëm nën mesataren shumëvjeçare për këtë periudhë të vitit. Kjo situatë, siç thuhet në kumtesë, së bashku me mbylljet e mundshme në termocentralet, shkakton shqetësim serioz për stabilitetin e rrjetit elektrik në vend, veçanërisht në periudhën e dimrit, kur pritet konsumi më i lartë i energjisë.
"Është analizuar dhe monitoruar me kujdes gjendja në pjesën jugperëndimore të vendit, ku ekziston rreziku i mbingarkesës së rrjetit të transmetimit elektrik në rast të mosdisponueshmërisë së blloqeve kyçe në REK Manastir dhe TEC Oslomej dhe mundësi për reshje të dendura bore. Janë duke u analizuar skenarë të ndryshëm për shmangien e situatave të ndryshme të mundshme krizash të cilat janë karakteristike për këtë periudhë të vitit, si dhe masat mbrojtëse, por situata po monitorohet në vazhdimësi", thuhet në kumtesë.
Gjatë seancës u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me tregun e energjisë elektrike. Në nëntor 2024, çmimi mesatar i energjisë në tregun e vendit ishte 165 euro për megavat orë, që është afërsisht brenda kufijve të çmimeve në rajon. Për muajin janar 2025 pritet rritje e konsumit dhe nevoja për furnizim shtesë, veçanërisht për EVN Home, niveli vjetor i konsumit të së cilës është rritur në krahasim me vitin e kaluar.
"Në përpjekje për të siguruar furnizim të sigurt me energji elektrike gjatë periudhës së dimrit, MEPSO, së bashku me institucionet dhe kompanitë tjera relevante, po ndërmerr masa për përmirësimin e infrastrukturës dhe tejkalimin e defekteve në sistem. Një projekt veçanërisht i rëndësishëm është instalimi i transformatorit të ri në TEC Bitola 2, i cili pritet të ndihmojë në stabilizimin e furnizimit në rajon. Seanca e Komisionit ishte një hap i rëndësishëm në koordinimin e masave për stabilizimin e sektorit të energjisë elektrike, i cili gjatë dimrit është i ekspozuar ndaj rreziqeve më të mëdha për shkak të rritjes së konsumit dhe ndryshimeve të mundshme atmosferike", thuhet në kumtesë.
Komisioni do të vazhdojë me mbledhjet dhe analizat e rregullta, veçanërisht në periudhat e rritjes së ngarkesës në sistemin energjetik, me qëllim identifikimin e rreziqeve të mundshme dhe propozimin e masave për adresimin e tyre në kohë. sa/
Foto: Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale